Bajerni i Mynihut është dy fitore larg titullit kampion. Sot, në orën 15:30, bavarezët do të përballen në transfertë ndaj Hertës, ndaj të cilëve kanë fituar zyrtarisht titullin dy herë në fund të sezonit (2013-2014, 2014-2015). Trajneri Guardiola bën të ditur se klubi s'ka planifikuar festë, pasi ata nuk besojnë që Dortmundi do të humbë në Shtutgart. Ai ndihet i nderuar që bëhet pjesë e trajnerëve si Hajnkes (1989, 1990, 2013), Hicfeld apo Latek që e kanë fituar tri herë titullin me Bajernin.
Guardiola, cili është qëllimi i transfertës në Berlin?
Ne do kujdesemi që në minutat e para. Ndaj Hertës është si një finale. Berlinezët janë shumë të fortë fizikisht dhe në superformë. Kanë fituar shumë besim, pavarësisht humbjes me Dortmundin. Ata duan të kualifikohen në Champions, ndërsa ne luajmë për titullin. Pikët u duhen të dyja skuadrave.
Parashikoni të festoni titullin në Berlin?
Jo. Nuk kemi planifikuar gjë dhe s'pres që të fitojmë titullin që këtë javë. Për të vetmen arsye se Dortmundi do fitojë në Shtutgart. Ne e kemi vetë në dorë. Fitojmë dy ndeshje dhe shpallemi kampionë. Pak rëndësi do ketë nëse jemi me titull apo pa titull para ndeshjes me Atletikon.
Jeni shumë afër titullit të tretë radhazi dhe tripletës. Besoni te tripleta?
Do ishte një nder i madh të renditesha në nivelet e Jup Hajnkesit. Katër herë radhazi nuk e ka fituar titullin asnjë ekip gjerman. Shpresojmë t'ia arrijmë. Në tri vite eksperiencë me Bajernin, të fitosh kampionatin në të tria vitet, më bën të ndihem krenar dhe i nderuar për detyrën dhe punën time.
Si është atmosfera në skuadër. Suksesi u takon lojtarëve apo edhe stafit?
Ne kemi mbajtur nivel të lartë. Këta lojtarë kanë fituar tripletën në 2013-ën dhe po përpiqen të fitojnë çdo ndeshje. Mentaliteti i tyre është në unison me atë të klubit. Natyrisht si stafi teknik dhe mjekësor ka pjesën e vet.
Komenti juaj për simulimin e Vidalit ndaj Verderit?
Nuk kam folur më me Vidalin për atë skenë dhe nuk kam për ta bërë. S'më pëlqeu që Vidal e bëri atë simulim. Mua më pëlqen ta fitoj me nder dhe me meritë ndeshjen. Nuk ka më vend për diskutim. Është çështje e mbyllur. Arturo do të luajë në finalen e Berlinit.
Bajerni interesohet për Humelsin. Keni dijeni?
Nuk është pyetje për mua. Ai ka një kontratë deri në vitin 2017 me Dortmundin dhe s'ka vend për keqinterpretim. Në finalen e Kupës përballeni me Dortmundin. Urime Dortmundit për këtë arritje! Mendoj se këtë vit do të takohen në finale dy ekipet më të mira gjermane.
Përgatiti: ENIAR IBRO