Per “Zambakun e Prizrenit” kendojne dhe serbet

Për “Zambakun e Prizrenit” këndojnë dhe serbët
Nga 23 këngë që kanë konkurruar për festivalin tradicional “Zambaku i Prizrenit”, juria e përbërë nga Venera Mehmetagaj-Kajtazi, Mehdi Mengjiqi, Daut Demaku dhe Astrit Stafaj, kanë përzgjedhur 12 këngë në gjuhën shqipe, ndërkaq dy të tjera pohohet të jenë nga minoritete të ndryshme. Sipas producentit të festivalit, Resul Sinani, e veçanta e këtij festivali është se do të këndohet drejtpërdrejt, si dhe do të votohet përmes telefonatave. “Ne sivjet do të kemi gjithçka live, gjithçka drejtpërdrejt, gjallë, ekzekutimi do të bëhet i drejtpërdrejtë i muzikës, gjithashtu edhe këngëtarët do të këndojnë drejtpërdrejt. Rreth një orë e gjysmë do të ketë program show, ku gjatë kësaj kohe do të votohet përmes telefonatave, ku në mënyrë automatikë del rezultati për fituesin e Zambakut”, - sqaron Sinani për “Kosova Press”. Ndërkaq, anëtarja e jurisë, Venera Mehmetagaj-Kajtazi, tregoi për mënyrën se si janë përzgjedhur këngët. “Kompozitorët kanë qenë të deshifruar, kështu që askush nuk ka dijeni se kush do të jetë këngëtari. Ne jemi përpjekur vetëm ta ruajmë stilin e këtij festivali. Është një festival i veçantë që nuk bën të përzihen stile tjera, ku dihet se është vetëm zhanri i muzikës së vjetër qytetare”, - tha Mehmetagaj-Kajtazi.

Një buxhet të caktuar për festivalin ka dhënë KK i Prizrenit, rreth 5 mijë euro, ndërkaq Ministria e Kulturës e ka mbështetur festivalin me 2 mijë e 500 euro. Sponsori kryesor i këtij festivali është TEB Banka e Kosovës, ndërsa buxheti total për këtë festival është rreth 25 mijë euro. Të gjitha orkestrimet do të bëhen nga “Makiato Bend” dhe dirigjent do të jetë Kushtrim Gashi. Çmimet që do të jepen janë “Zambaku i argjendtë”, çmim për kompozitorin, ndërsa për interpretuesin “Mikrofoni i Artë”.

Sivjet vendi i parë do të shpërblehet me 1 mijë e 500 euro, vendi i dytë me 1 mijë euro dhe vendi i tretë me 500 euro.

V.M : Gazeta Standard

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama