Pjesa më e madhe e buxhetit të familjeve shqiptare vazhdon të shkojë për ushqime. Mirëpo, krahasuar me pesë vite më parë, pesha e buxhetit që shpenzohet për artikuj ushqimorë është ulur, ndërkohë që shqiptarët po dedikojnë gjithmonë e më shumë për t’u arsimuar. ose për të marrë shërbime shëndetësore. Të dhënat vijnë nga Instituti i Statistikave, i cili ka publikuar strukturën e rishikuar të shpenzimeve të njësive familjare për periudhën 2009-2014.
Shifrat tregojnë se, shpenzimet mesatare mujore për konsum për çdo njësi familjare, mesatarisht me 3.8 persona ishin 69 mijë lekë. Nga këto, 38 mijë lekë shkonin për konsum jo-ushqimor. Ndërsa shpenzimet mesatare mujore për konsum për individ ishin 18 mijë lekë, nga të cilat 8 mijë lekë për konsum ushqimor dhe 10 mijë lekë për konsum jo-ushqimor. Një tjetër përfundim i rëndësishëm i anketës është se Shqipëria po bëhet më e pabarabartë, pasi 10 për qindëshi më i pasur i popullsisë zë një vend me rëndësi në totalin e konsumit.
Shpenzimet sipas shërbimeve
INSTAT anketoi 7836 njësi familjare, por prej tyre, u përgjigjën vetëm 83. Nga anketa rezultoi se shpenzimet e familjeve shqiptare për ushqime, pije alkoolike dhe joalkoolike duhan, restorante dhe hotele kanë rënë, ndërsa janë rritur shpenzimet për arsimin, shëndetin, argëtimin, transportin, energjinë dhe qiranë. Kreu i INSTAT, Gjergj Filipi deklaroi gjatë konferencës së organizuar në kuadër të publikimit të Anketës së Buxhetit, përmblodhi gjetjet kryesore. AI tha se, shpenzimet mesatare mujore për konsum të NjEF-ve në vitin 2014 llogariten të jenë 69.442 lekë.
Në vitin 2014, një person shpenzonte mesatarisht rreth 18 mijë lekë në muaj nga të cilat: 8 mijë Lekë për konsum ushqimor dhe 10 mijë lekë për konsum jo-ushqimor. Ndërsa shpenzimi mesatar për frymë për konsum ushqimor (ushqime dhe pije jo-alkoolike) ndaj shpenzimeve gjithsej në vitin 2014, u ul nga 50 përqind në vitin 2009, në rreth 44 përqind në vitin 2014. Përsa u përket pagesave të ujit, energjisë elektrike, lëndëve djegëse dhe riparimeve të vogla të banesave, në Shqipëri shpenzohen 10.2 përqind të buxhetit total nga familjet. Ndër shpenzimet për arsim të cilat zënë 4.2 përqind të buxhetit gjithsej, peshën më të madhe e zënë pagesat në lidhje me kategorinë “Master (niveli i parë dhe i dytë)”, me 58.8 përqind.
Shpenzimet sipas qarqeve
Anketa e Buxhetit të Familjes e INSTAT mundëson analizën e të dhënave statistikore në 12 qarqe. Qarku i Tiranës ka shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum krahasuar me të gjitha qarqet e tjera: Një familje në qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 81.656 lekë në muaj. Qarqet me shpenzimet mesatare më të larta për konsum janë Lezha dhe Shkodra me shpenzime mesatare mujore respektivisht 78.811 dhe 76.509 lekë në muaj për NjEF. Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku i Vlorës dhe i Elbasanit përkatësisht me 54.931 dhe 53.013 lekë në muaj për familje.
Krahasimi i strukturës së shpenzimeve për konsum
Nga krahasimi i shpenzimeve për periudhën 2009 dhe 2014, rezulton se janë shënuar ulje në shpenzimet për ushqimet dhe pijet jo-alkoolike (5.3 %), pijet alkoolike dhe duhanin (9.9 %) dhe restorantet e hotelet (33.4 %). Përsa u përket shërbimeve për të cilat janë shënuar rritje, ato janë: arsimi (118.6 %), shëndeti (85.2 %), argëtim dhe kulturë (43.2 %), transport (25.5 %), banesa me energji elektrike, ujë, lëndë djegëse dhe qira (19.3%), mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e banesës (17.3 %) dhe mallra e shërbime të tjera (10.2 %).