Per here te pare nje tulipan me atdhe shqiptar!

Per here te pare nje tulipan me atdhe shqiptar!
Për herë të parë një shqiptar zbulon një lloj tulipani endemik. Prof. Dok. Lulëzim Shuka rrëfen gjithçka për këtë zbulim.

Tulipa Albanica

Ndërsa këmba i shkelte rrugëve të fshatit Surroj në Kukës, nuk e kishte menduar që nga kjo tokë do të gjente një “thesar” siç e quan ai. Zbulimi i rrallë është bërë nga biologu Lulëzim Shuka. Është hera e parë që një shqiptar zbulon një lloj bime, e cila rritet vetëm në vendin tonë. Për të nuk ka një atdhe të dytë. Kjo bimë endemike është bërë e famshme në të gjithë botën dhe është regjistruar në data-baze në radhë të simotrave të saj anembanë globit. Por, mbi të gjitha mban një emër që na përfaqëson, “Tulipa Albanica”. Ne kemi folur më profesorin, i cili prej 5 vjetësh është në kërkim dhe studim të vazhdueshëm të bimësisë e kushteve në të cilat rritet ajo. Është pikërisht ky person që mban patentën e zbulimit të kësaj bime.

Ky tulipan më shpejt është bërë i famshëm në botë se sa në Shqipëri. “Eh kush do t’ia dijë për lulet në këtë vend…!?”, na thotë profesor Shuka, duke shtuar se tashmë, me një pasaportë të vetën, kjo bimë gjendet edhe në kopshtin botanik të Kopenhagenit në Danimarkë. Në këtë intervistë për ‘Shekullin” profesor Shuka na tregon se si e zbuloi këtë tulipan të rrallë. Na ka rrëfyer gjithashtu se në ç’gjendje është bimësia shqiptare dhe llojet e saj. Ajo që e ka bërë këtë profesor të gjendet më shumë ditë maleve duke vëzhguar me imtësi për bimët është pasion për gjithçka që rritet mbi tokë. Ai na ka treguar edhe për më tepër se 20 bimët e tjera të rralla në vendin tonë dhe ato më të bukurat që kemi. Ky është një rrëfim për ato gjërat e vogla që na japin kënaqësi të mëdha.

Z. Shuka, në ç’gjendje është bimësia në Shqipëri?

Në fakt ne duhet të kemi shumë, por këtu bëhen llogari se sa janë të regjistruara si bimë. Çdo bimë ka një emër pra ka skedën e saj. Disa literatura japin 3 250 specie. Por mbi 100 bimë të reja janë zbuluar për florën e Shqipërisë këto 3 vitet e fundit. Janë zbuluar nga hungarezë, çekë dhe kolegu nga Shkodra Marash Jaka, një pjesë të tyre e kam zbuluar unë.

Ngrihet një staf i veçantë, enkas për zbulim bimësh?

Jo. Kjo është çështje pasioni. Unë përshembull e kam nga pikëpamja e hobit.

Emri juaj tashmë është në listën e personave që kanë zbuluar një lloj bime, na tregoni pak për këtë?

Tulipa Albanica, është një ndër llojet e mëdha që i futet shkencës botërore të llojeve bimor. Është i veçantë për ne sepse është shumë i bukur. Është specifik në këtë drejtim gjendet në buzë të rrugës… po ashtu është i veçantë nga pikëpamja fito-gjeografike.

Si arritët deri tek ky tulipan i rrallë?

Unë zhvilloj deri në 70-80 ekspedita në vit, shpesh herë vetëm sepse nuk ka financime dhe kur nuk ka financime s’ke se si të paguash të tjerët. Pasi kisha gjetur dy lloj në këtë vend (Kukës), njëra ishte endemike e Kosovës, i them një studenti që e kisha nxënës part-time dhe që ishte mësues në një fshat atje. Kur kalonte rrugës e bënte në këmbë një copë rrugë gati një orë e ca. I thashë: “Shih çfarë del dhe më njofto”. Atje është një vend specifik sepse rriten disa lloj bimësh endemike, e kam ndjekur atë zonë. Ky tulipan është specifik sepse bën pjesë te fondi i endemizma. Pas kësaj me ndihmoi një banor tjetër i asaj zonë, Besnik Hllaçi quhet. Ai kishte një fotografi që ishte e dyshimtë dhe kështu fillova të ndjek biologjinë e kësaj bime. Arrita në konkluzionin që ishte e re për shkencën. Që të publikosh këtë në revista të ndryshme etapa e dytë është që të njihet bima sepse ka abuzime me shkencën, ka hibride që rriten në laborator. Në 2009 i kërkova ndihmë një specialisteje në Universitetin e Kopenhaganit, e cila është ndër më të mirat në Europë. Është njohëse shumë e mirë e florës së Greqisë dhe merret me të. Fiksuam një takim në Beograd për këtë rast, sepse në nëntor të 2009, mbahej kongresi i 5-të i botanistëve. Unë kisha çuar një punim timin, kisha disa lloje bimësh që mendoja se ishin të reja, tulipanin dhe disa lloje të tjera. Për tulipanin ishte pak sa e dyshimitë. U bë pesha e ADN-ës kromozomike nga biologia. Në tetor të vitit të kaluar doli artikulli dhe për fat të mirë, tulipani shqiptarë zuri kopertinën.

Ky rritet tjetër ky lloj tulipani?

Vetëm në Shqipëri. Në asnjë vend tjetër. Ky është një evolucion i largët. Mendohet që origjina e këtyre tulipanëve është mes Siberisë-Kazakistan-Taxhikistan-Mongolisë.

Si ka ardhur deri në Kukës?

Këtu futet evolucioni, lëvizjet akullnajore ndoshta, këto janë hamendësime. Ky tulipan është në dy forma, i kuq dhe i verdhë. Dominant është i verdhi.

Mund të mbillet në kushtet e shtëpisë?

Mbyllet, por po t’i përshtatet klimës. Në shtëpinë time që e mbolla, jetojë vetëm një vit. Kurse në kopshtin botanik të Kopënhagenit në Danimarkë vazhdon të jetojë.

Ky është i vetmi lloje që keni zbuluar?

Janë disa lloje që i përkasin një niveli më të ulët, endemike të Greqisë, të Kosovës, Maqedonisë apo Malit të Zi.

Jeni i kënaqur për këtë zbulim të rrallë?

Fillimisht i kënaqur por tani na doli qejfi. Jam gati në përfundim të një studimi edhe më të rëndësishëm në rang gjinie, por atë do e publikoj së afërmi.

Është e pasur Shqipëria me bimë të tilla?

Shqipëria është e pasur dhe duhet të jetë ndër më të pasurat e rajonit e krahasuar me sipërfaqen e shtetit. Megjithatë sipas statistikave del se më i pasur është Mali i Zi që ka rreth 2920 lloje por ka sipërfaqe me të vogël se ne. Ndërsa për sa i përket bimëve endemike në kemi shumë pak. Duhet të kemi shumë por nuk ka pasur studime. Këtu hyn edhe izolimi 50 vjeçar, si dhe fakti që studimet kanë dhe kosto reale që kanë të bëjnë me lëvizjet, ushqimin, pajisjet dhe akomodimin e ekipit.

Si arrihet zbulimi?

Duke bërë lëvizje dhe shikon. Zbulimi i këtij tulipani ishte rastësi. Çdo gjë është rastësi.

Ka një emër ky tulipan ?

Ne i kemi vendosur emrin “Tulipa Albanica”.

Ju vetë e keni marrë patentën për zbulimin e këtij?

Ja kjo është patenta, ka bërë bujë në të gjithë Botën. Një bimë e re duhet të kalojë disa filtra që të regjistrohet në data-bazen ndërkombëtar të regjistrimit të bimëve. Ky hyri që javën e parë. Kishte shumë gjera që e veçonin dhe nuk linin vend për dyshim nëse ishte apo jo një gjë false.

Cilat janë bimët që rriten vetëm në Shqipëri?

Kemi 21 lloje dhe dy nën lloje.

Cila zonë është më e pasur?

Deri tani janë konsideruar Alpet e Shqipërisë. Kurse për mendimin tim, i gjithë rrethi i Kukësit është i pa arritshëm. Ndërkohë edhe Jugu nuk është keq. Mund të përmendim këtu, gjithë bregdetin, Llogoranë etj. Korcca gjithashtu ka diversitet të lartë bimor, por nuk ka studime.

Cilën zonë jeni duke eksploruar tani ?

Gjithë Shqipërinë. Këto ditë do shkoj edhe në Kosovë.

Çfarë ju bën të harxhoni kaq shumë energji me këtë punë?

Unë e kam hobi dhe nuk mund të rri. Punojnë disa ekipe, hungarezët, çekët, maqedonasit dhe kur ke diçka të re mendon kush ta nxjerr i pari, se mund edhe t’ia djegim njeri-tjetrit. Është çështje konkurrence.

Themi shpesh që ne po e shkatërrojmë florën, është e vërtetë kjo gjë?

Po në fakt ka dëmtime, sidomos gjatë ndërtimit të hidrocentraleve kush e di sa bimë që mund të ketë patur e tashmë nuk mund te ekzistojnë më. Por Shqipëria ka një natyrë të pasur po natyra rikrijon, rigjeneron veten.

Sipas jush cila është lulja më e bukur që rritet në Shqipëri?

Them se është ky tulipan. Për mua është shumë i bukur dhe forma e lules.

Deri tani unë konsideroja “Lilum albanicum”. Ai është i verdh komplet, ngjyrë ari.

Ju vetë keni lule në shtëpi?

Ballkoni im është plot, kujdesem vetë. Madje më ndodh të grindem shpesh me gruan sepse shtëpia ime është e tej mbushur.

A rriten bimë kuruese në Shqipëri?

Po janë shumë. Kampionin e mban sherebeli. Vajrat esenciale të sherebelit janë të pazëvendësueshëm.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama