Ishte rrëfyer në disa versione masakra e 4 nëntorit në lokalin e natës “Ante Grand”, në rrugën e Elbasanit, në Tiranë. Por një pjesë të ngjarjes që ka për autor Kostandin Xhuvanin, djalin e deputetes së dorëhequr të PS -së, Luiza Xhuvani, prokuroria e ka të filmuar, si një prej provave më të rëndësishme në dosjen e dorëzuar tashmë në Gjykatë.
Lapsi.al publikon filmimet ekskluzive të një prej kamerave të vendosura pranë semaforit të këmbësorëve përballë Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja.
Është ora 04:19 kur përballë lokalit “Ante Grand” mbërrin makina tip Mercedes ML me targa TR 0250 N, e Arbër Demirajt, me të cilën gjatë asaj nate kishin lëvizur Kostandin Xhuvani, Erald Sida e Alban Ballcaj. Prej saj zbret Erald Sida, i cili, sipas deklaratave të Alban Ballcajt kishte dalë nga lokali rreth orës 4 me një vajzë.
Takohet me një person ende të paidentifikuar, i cili del nga lokali dhe me gjasë e njofton për sherrin që po ndodhte brenda. Sida i drejtohet menjehërë lokalit të natës ku gjendej Kostandin Xhuvani e Arbër Demiraj.
Është momenti kur Xhuvani zbraz 6 plumbat e karikatorit të pistoletës së tij duke vrarë Edison Jahon, Enea Xhajn, shokun e tij Arbër Demiraj dhe italianin Paolo Azzola, i cili nuk kishte lidhje me ngjarjen, por qëllohet aksidentalisht, ashtu si edhe Demiraj.
Në orën 4:21, në rrugë, nga lokali dalin Kostandin Xhuvani dhe Erald Sida. Tërheqin për krahësh shokun e tyre të vrarë, 19 -vjeçarin Demiraj. Në mes të rrugës aksidentohen me një motoçikletë të drejtuar nga shtetasi E.B, i cili edhe pas goditjes e ruan ekuilibrin dhe ndalon pak më tutje. Më vonë do të ndihmonte policinë në arrestimin e Xhuvanit.
E fusin Demirajn në sediljen e pasme të makinës. Roja e sigurisë së lokalit ka njoftuar ndërkohë policinë. Një patrullë gjendet në afërsi dhe mbërrin nga drejtimi i Saukut. Është ora 4:22. Ndalon në krah të makinës ku janë futur Xhuvani, Sida bashkë me Demirajn e pajetë, pikërisht në momentin kur Xhuvani e Sida po bëheshin gati të largoheshin.
Një punonjës i policisë, me inicialet K.SH drejton armën nga makina dhe mban të bllokuar Erald Sidan. Kostandin Xhuvani arrin të dalë dhe vrapon në drejtim të Fakultetit Ekonomik, në afërsi të disko Calvin. E ndjek punonjësi tjetër i policisë, me inicialet L.A.
Do ta ndalojë rreth 70 metra më tutje, me ndihmën e personit E.B që u gjend rastësisht me motor në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, kanë mbërritur disa makina të tjera të policisë.
Ora 4:26. Policia shoqëron nga makina Mercedes ML për në një prej mjeteve të saj Erald Sidan, të prangosur.
10 minuta më vonë, në 4:36, futet në furgon me pranga në duar edhe Kostandin Xhuvani. Ndërkohë autoambulanca nis të transportojë trupat e viktimave.
Këto pamje filmike, që transmetohen për herë të parë nga Lapsi.al, të sekuestruara tashmë nga prokuroria, kanë ndihmuar grupin hetimor në zbardhjen e disa rrethanave të ngjarjes. Por krimi i Kostandin Xhuvanit është faktuar me prova të tjera të pakontestueshme; prova shkencore, si gjurmët e barutit të gjetura në duart e tij, të lëna nga të shtënat; me pistoletën e kapur në afërsi të vendit ku ai u arrestua dhe dëshmitë e të paktën 9 personave, të cilët kanë e parë duke qëlluar gjakftohtë mbi Edison Jahon dhe Enea Xhajn në shkallët zbritëse të lokalit të natës. Plumbat e dala nga pistoleta e tij vranë edhe Arbër Demirajn dhe italianin Paolo Azzola.