Per here te pare proteste para ambasades se SHBA Jo armeve kimike

Per here te pare proteste para ambasades se SHBA: Jo armeve kimike

Importi i armëve kimike siriane në Shqipëri ka detyruar qindra qytetarë shqiptarë të zhvendosin protestën e radhës pranë ambasadës amerikane në Tiranë, duke shënuar kështu protestën e parë para selisë diplomatike. Kjo ishte dhe pika kulmore e protestave të nisura rreth një javë më parë në Tiranë, ku qytetarët dhe aleancat e ambientalistëve kërkojnë nga qeveria të ndalojë armët kimike të regjimit sirian. Me parulla kundër armëve kimike e pankarta në duar, qindra qytetarë të të gjitha moshave kanë qëndruar për rreth 30 minuta në rrugicën përballë ambasadës amerikane.

 

Me thirrjet: “Jo armëve kimike”, “Nuk jemi koloni”, “E duam Shqipërinë”, protestuesit apeluan ndaj SHBA-së të ndalojë nismën e artikuluar tashmë edhe nga zyrtarë shqiptarë për sjelljen dhe demontimin e armëve kimike siriane në Shqipëri. Të ndaluar nga një kordon policie, qytetarët nuk janë lejuar të kalojnë në Rrugën e Elbasanit, edhe pse thirrjet ishin paqësore dhe gjatë tubimeve të mëparshme nuk ishte shënuar asnjë incident. Organizatorët e protestës, por edhe qytetarë të thjeshtë apeluan për ndalimin e armëve kimike duke kërkuar transparencë nga qeveria për këtë çështje që po merr përmasa edhe më të mëdha ditë pas dite.

 

Sikundër ishte lajmëruar, protesta paqësore nisi rreth orës 13:00 pranë Piramidës, në krah të Kryeministrisë, ku të pranishëm ishin qindra persona, duke shënuar kështu protestën më të madhe të organizuar ndonjëherë nga shoqëria civile. “Shqipëria është e shqiptarëve, jo e politikanëve, Shqipëria është e shqiptarëve, jo e ndërkombëtarëve. Një çështje e tillë mund ta vendosë vetëm sovrani. Ne sot këtu jemi për të shprehur qëndrimin tonë kundër”, – thanë disa nga folësit në protestën paqësore. Edhe pse tubimet janë mbështetur nga qindra qytetarë, sërish nuk ka munguar përçarja mes organizatave që pretendojnë se kanë marrë në dorë flamurin e kauzës së ndalimit të lëndëve kimike.

 

Një gjë e tillë u vu re edhe në protestën e djeshme, e cila fillimisht nisi e ndarë në dy grupe të ndryshme. Por vetëm pas pak kohësh, protestuesit që përfaqësonin Aleancën kundër Importit të Lëndëve Kimike iu bashkuan protestës së organizuar nga Aleanca kundër Importit të Plehrave, e cila paralajmëroi se protestat paqësore do të vazhdojnë. Protesta e ardhshme është parashikuar të nisë rreth orës 14:00 të ditës së sotme në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas të pranishmit do të marshojnë drejt Kryeministrisë e Presidencës, për t’u ndalur më pas në sheshin “Nënë Tereza”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama