Përvoja e tri shfaqjeve të saj, rikthen shqetësimin: Përse institucioneve kombëtare u mungon vëmendja ndaj kohës sonë? Sa kohë do të fshihemi pas suksesit të së kaluarës?
Më 5, 6 dhe 7 mars u shfaq në Teatrin e Operës baleti "Delina", me muzikë të Çesk
Zadejës, koreografi të Agron Aliajt, premierë në vitin 1964.
Po përse u nxor pas 46 vitesh nga Biblioteka e Teatrit të Operës libreti i Zadejës dhe Kanaçit? Përse iu dha sërish jetë, me pretendimin për një frymë tjetër koreografike veprës shqiptare që flet për vasha dhe kreshnikë, shtojzovalle dhe zana mali, luftë me osmanët, dhe dashuri të një kohe të harruar?
Për vlerat e padiskutueshme muzikore të krijimit të Çesk Zadejës dhe frymën koreografike bashkëkohore që premtoi t'i jepte veprës Aliaj.
"Jemi përpjekur të krijojmë një spektakël, ndryshe nga shfaqjet me një kanun të caktuar nga realizmi socialist. Edhe në gjuhë koreografike. Jemi munduar të shkëputemi nga vallet tradicionale.
Elementi folklorik është ruajtur, elementi i kreshnikëve dhe i shtojzovalleve është ruajtur, por kjo e trajtuar me një gjuhë kontemporane, për ta sjellë në kohë", tha para shfaqjes për konceptin "e ri", koreografi Agron Aliaj.
U fol edhe që me koreografinë e re, Arbani (një nga proagonistët i interpretuar dikur nga vetë Agron Aliaj, kurse tani nga i riu Gerd Vaso) do të ishte më njerëzor dhe dashuria e tij për Delinën do të ishte në plan të parë.
Në tri shfaqjet e saj, historia e Delinës u shfaq fragmentare, e copëzuar edhe nga dy tragjedi të tjera, ajo e Norës dhe e Doruntinës, që nuk e lejuan historinë të merrte frymë natyrshëm dhe të kuptohej po ashtu.
Nga ana tjetër, drama e Norës, e përbuzur qysh në lindje nga i ati, e rritur jetime pas dënimit me vrasje që ai bëri ndaj nënës së saj, nuk shpërfaqet qartë. Gjuha koreografike e këtij personazhi (në rol Greta Hushi), nuk kishte vuajtje, forcë, luftë brenda saj.
Ndërsa për tragjedinë e Doruntinës dhe Kostandinit, gjëmën që kaploi nënën e nëntë djemve, mjafton puna e kostumografit për ta kuptuar, aq është e njohur për spektatorin legjenda.
Interpretimi i Isida Mollaymerit (Doruntina) dhe Alisa Gjonit (Nëna), si dhe ai i Sokol Zhugrit (Guvernatori), Ledia Sulajt (Zogu), binte në sy, i kishte shpëtuar skematizmit dhe ngjallte emocion.
Skena e mbretërisë së ujit dhe kërcimi i sirenave, ku interpretuan Ledia Sulaj, Erisa Gina, Elona Nallbani, Eva Seraj, ishte një mundësi e mirë për të mos lejuar që shfaqja të binte në monotoni, si dhe për demonstrimin korrekt dhe profesional të Trupës së Baletit.
Me balerinët e "Delinës" ndodhi e kundërta, lëvizjet e njëkohshme në trupës ndodhte që të mos harmonizoheshin me muzikën e luajtur live nga Orkestra e TOB-it nën drejtimin e Bujar Llapajt.
"Arritja e perfeksionit në plastikën e trupit, në dhënien e ndjenjës, nëpërmjet qënies", ishte kriteri kryesor që Aliaj u kërkonte balerinëve në provat e shfaqjes.
Në qendër të veprës është dashuria e Delinës (Enada Hoxha), e dyzuar mes Arbanit (Gerd Vaso) dhe Shotit (Dion Gjinika).
Ndihej nevoja që tragjedia e saj, jo vetëm të lihej e lirë nga dy të tjerat, por edhe të ishte më e pasur në gjuhë koreografike, në lëvizje që të tregonin qartë pasionin e Delinës për Arbanin, ndjenjat konfuze për të dy vëllezërit, ndjenja e mllefit, inatit dhe hakmarrjes së Shotit.
Fundi tragjik i shfaqjes i vjen si surprizë spektatorit. Mbetet i errët shkaku se përse Delinën e pret një fund i tillë, me vdekje, pas lumturisë që i dha martesa me Arbanin.
Skenografia e realizuar nga Taulant Pustina, ishte "e kursyer" dhe i jepte frymëmarrjen dhe hapësirën e duhur që legjendat kërkojnë në skenë. Pustina e ndihmon spektatorin të drejtohet nga vepra dhe jo në anë të jashtme, pavarësisht se skenografia është një element me peshë që e ngre ose e shkatërron veprën.
Në skena të veçanta, ajo rrinte mirë edhe me kostumet, edhe ato të realizuara nga Pustina. Ai ka gërshetuar elemente folklorike me ato bashkëkohore.
Në fund të shfaqjes u ndje sikur baletit "Delina" i kishte ngelur vetëm jehona e së kaluarës dhe fjalët: vepër e madhe.
Në këto kushte, e gjejmë me vend vërejtjen e bërë pak ditë më parë nga koreografi Gjergj Prevazi lidhur me hapësirën që u lihet në skenat, sidomos të institucioneve kombëtare "veprave të ashtuquajtura të mëdha, mentaliteti i një kohë të shkuar...
Jemi të ngopur me vepra të tilla." Vërejtja e Prevazit nuk ishte për "Delinën" po për gjendjen e baletit dhe teatrit bashkëkohor në Shqipëri. Përballë një repertori të tillë që ofrojnë skenat tona spektatori duket si i larguar me dorë dhe pas asnjë arsye nga shqetësimet e tij dhe të kohës ku ai jeton.
Për kësi situatash Peter Brook do të na vinte në ndihmë kur shkruan tek "Hapësira boshe": "Kemi gjithmonë në duar një sezon të ri dhe jemi shumë të zënë për t'i bërë vetes të vetmen pyetje vitale që është në përmasat e problemit: ç'duhet teatri? për ç'qëllim?
A është teatri një anakronizëm, një thagmë e stërvjetruar, tuhafe, që qëndron më këmbë si një monument i vjetër apo një traditë piktoreske? Përse duartrokasim ne, dhe ç'duartrokasim në fakt? A zë teatri një vend të vërtetë në jetët tona? Çfarë funksioni mund të përmbushë ai? Kujt mund t'i shërbejë? Çfarë mund të eksplorojë? Cilat janë cilësitë e tij të qenësishme?"
Jorida Pasku: Gazeta Shekulli