Tek po mbajmë gjallë shpresën dhe besimin se po bëhet më mirë nga ajo që na fali ky fillimvit, me hapat që u hodhën në fushën e teatrit mbarëshqiptar, kam parasysh këtu vendosjen e një drejtori të ri i cili barti me vete në zyrën e tij një platformë mjaft premtuese, në aspektin evoluiv të Teatrit Kombëtar shqiptar, nj’ashtu edhe fillimi i rikonstruksionit të Teatrit Shqiptar të Shkupit dhe fillimi i diskutimeve për bërjen e teatrit të Gjakovës, një teatër të dytë kombëtar në Kosovë. Tre hapa të cilët bënë që ne të fillojmë të shohim me sy tjetër punën e “aktorëve” tanë të ulur në kolltuqet e parlamenteve tona, të cilët kanë në dorë të vendosin për fatin e teatrit tonë, edhe pse mbi gjashtëdhjetë për qind e tyre nuk kanë qenë kurrë në teatër, për të parë ndonjë shfaqje, përveçse atëherë kur kanë shfrytëzuar sallat e teatrove tona mbarëshqiptare për të bërë mitingje politike.
Ky fenomen ndodh mbase edhe për fajin tonë, ngaqë nuk arrijmë dot të bëjmë shfaqjet tona më tërheqëse, sesa tavolinat e mbushura me ushqime dhe pije të ndryshme, ku dhjami “monologon” mbi pjata, dhe vera e shtrenjtë i mban ritmin, e kur bëhen bashkë të dyja në barkun e tyre arrijnë të performojnë, një “show” në qendër të të cilit bashkëdialogojnë jargët dhe djersët në portretin e tyre, si mysafirë të lokaleve apo restoranteve super të shtrenjta të paekspozuara për publikun, në të cilat shuma e një fature darke të dhjamosur në teatrin e tyre të “dhjamit”, jo rrallëherë është më e madhe se buxheti i një shfaqjeje.
Është pikërisht teatri i tyre i “dhjamit” që na e “persekuton” mundësinë e hapësirave infrastrukturore për të hapur aq teatro sa vërtetë ka nevojë publiku ynë mbarëshqiptar. Kjo, mbase edhe nga frika se do u pakësohet buxheti i teatrit të tyre të “dhjamit”! Ne po “dhjamosemi” me njëri-tjetrin duke debatuar rreth propozimit të ministres së Kulturës, znj. Kumbaro, për kthimin e Teatrit Kombëtar të Komedisë në Teatër Kombëtar Eksperimental, e duke i shtuar emrin e të madhit Kujtim Spahivogli, që të lumët ne që e patëm. “Dhjamosja” jonë është aq tragji-komike edhe ‘eksperimentale’ sa edhe vetë njohuritë tona për komedinë dhe teatrin eksperimental. Ashtu të ndarë në grupe, “siç i ka ‘hije’ shqiptarit për shqiptarin”, ne po transformohemi në një “eksperiment komik”, duke shpërfaqur paaftësinë tonë profesionale, me përkufizimet ‘blasfeme’ që po bëjmë rreth asaj që kemi vendosur ta quajmë profesion tonin!
Duke qenë koshient që edhe profesioni ynë lindi si pasojë e një eksperimenti, e duke e ditur që edhe vetë komedia lindi si pasojë e një eksperimenti të Aristofanit, apo një “Aristofani” tjetër, (meqë një pjesë e kritikëve kanë hedhur dyshime dhe e kanë akuzuar për plagjiatë Aristofanin e vërtetë). Unë personalisht, pa qenë kundër komedisë, jam pro një Teatri Eksperimental në mesin tonë! Është e vërtetë që shpeshherë, falë “eksperimenteve” tona kemi arritur që të njollosim këtë zhanër teatri, duke dashur që të kamuflojmë paaftësinë tonë në njohjen e mirëfilltë të rrymave apo nënrrymave të specifikuara të teatrit. Jo rrallëherë, eksperimentet tona të dështuara në botën e teatrit, duke mos arritur që përmes tyre të ofrojmë një rrymë të mirëfilltë teatrale ekzistuese, i kemi quajtur si “shfaqje ndryshe”, dhe ashtu pa vetëdije, duke punuar këto shfaqje, me njohuri të cekëta për rrymat e reja teatrale të lindura nga gjysma e shekullit XX e këndej, ne kemi krijuar një “rrymë” teatri të quajtur “pak kështu e pak ashtu”, nën ombrellën e të cilës “rryme teatri”, futen edhe komeditë tona “eksperimentale”, përmes të cilave kemi shkuar aq larg, sa kemi arritur të kontaminojmë shijen e publikut tonë mbarëshqiptar, duke i ofruar “paçavure butaforike” në emër të kalkulimeve numerike të biletave dhe libidos tonë të pavetëdijshme, apo mbase edhe të vetëdijshme për KIÇIN.
Si pasojë e kësaj, unë mendoj që ne kemi nevojë për një Teatër Eksperimental të mirëfilltë, në të cilin shpresoj dhe besoj se do u hapet rrugë atyre regjisorëve të rinj (pse jo, edhe të vjetër), të cilët duke u kursyer nga “teatri i qofteve” u është ofruar mundësia, apo ia kanë ofruar vetes mundësinë të kalojnë nëpër specializime apo trajnime të ndryshme brenda apo jashtë vendit, ku kanë arritur të njohin rrymat apo nënrrymat e specifikuara teatrale që arritën të krijojnë përmes eksperimenteve të tyre një mori mendjesh të ndritura të fushës së teatrit, (siç kanë qenë: Meyerhold, Tai’rov, Vakhtangov, Copeau, Rainhard, Piscator, Brecht, Artaud, Okhlopkov, Wilson, Grotowski, Barba, Brook e të tjerë), të eksperimentojnë, jo duke bërë teatrin e tipit “pak kështu e pak ashtu”, por të ofrojnë shfaqje korrekte në aspektin profesional, brenda rregullave të rrymës apo nënrrymës që kanë arritur ta njohin më mirë. Duke pasur shpresën dhe besimin “eksperimental” se një Teatër Eksperimental, do të jetë një hap pozitiv në familjen tonë të madhe të teatrit mbarëshqiptar, uroj që ne të hedhim hapat e radhës për t’i shkurtuar jetën “teatrit të dhjamit” dhe “teatrit pak kështu e pak ashtu”!
*Regjisor i ri