Per nje Tirane qe fle apo qe argetohet?

Per nje Tirane qe fle apo qe argetohet?
“Qytet me dëshirë për të jetuar”. “Plot jetë”. “Si ditën dhe natën me gjallëri nëpër rrugë”. “Në Tiranë bëhet qejf çdo ditë, jo vetëm në fundjavë”. “Kampione për bare dhe restorante plot non stop”.

Të gjitha këto thuhen për Tiranën nga shqiptarë brenda dhe jashtë atdheut apo dhe të huaj, kur e vizitojnë. Herë me kritika për kohën e humbur për qejfe dhe kotësi e herë me dëshirim për një kafe në Tiranë, sidomos prej emigrantëve të lodhur nga ‘punë e gjumë’ gjetkë. “Policia bashkiake na vinte dhe më parë, por ishte më tolerante. Ndërsa tani vjen ora dymbëdhjetë e natës dhe e kemi këtu. Dhe jo vetëm ata bashkiakë, por edhe nga policia e shtetit nuk na lejojnë ta mbajmë pub-in hapur pas mesnate”, thotë pronari i bar ‘Lizart’ në ish-Bllok, Iljan Ismaili.

Tirana po shfaq shenjat e para të ndryshimit, duke u rrekur t’i përafrohet metropoleve më të qeta perëndimore. Së pari nga karriget dhe tavolinat e bareve, që po hiqen e pakësohen nëpër trotuare nga ndërhyrjet e bashkisë, e kësisoj duke pakësuar gjallërinë apo zhurmën e rrugëve. Por edhe anash tyre në mesnatë zhurma nuk është më e njëjta.

Baret, një pjesë e mirë, në zona të ndryshme, po kontrollohen e po mbyllen më herët. I gjen edhe varg të mbyllur, duke dhënë atmosferë të heshtur, sidomos rrugëve dhe lagjeve rrotull qendrës e më pak në qendër. Por edhe qendra ka nisur të ndiejë ndryshimet e të vënit rregull. ‘Ka qenë rregull i vjetër, por i zbatuar me fushata hera-herës kundër zhurmave nga ankesat e qytetarëve.Poribëhet i ri, thjesht duke u rikthyer në funksionim’, thonë nga Zyra e Shtypit në Bashkinë e Tiranës. Baret dhe pubet ‘po sulmohen’ keqazi, që të mos qëndrojnë hapur pas orës 00:00 të natës në fundjavë dhe 23:00 të natës gjatë ditëve të javës. Qytetarët ankohen për muzikë ulëritëse edhe në orare gjumi. Shpesh pubet janë në katet e para të pallateve apo rrëzë tyre dhe veç buçitjes së zhurmës, ndiejnë edhe tronditje si tërmet nëpër shtëpi. “Dhe vijnë që na kontrollojnë për oraret. Por ky sezon për ne është festiv. Të premte dhe të shtunë kemi muzikë latine me dj panamez. E shumta festa zgjat deri në dy të natës. Nuk rrinë më shumë se kaq. Por tani dritaret mbahen mbyllur, kështu që zhurma nuk dëgjohet”, thonë tek stafi i bar ‘Caramel’ tek Kullat Binjake.

Por megjithatë vende-vende i gjen të hapur edhe pas kësaj ore. Pronarët thonë që iu janë vënë edhe jo pak gjoba, por prapë një pjesë nuk i mbyll në orar. Dhe nuk gjen asnjë ankesë, qoftë anonime, se presionet apo gjobat iu vihen për të paguar para nën dorë, siç hamendësonin fillimisht. Ka gjoba vetëm me faturë.

Në morinë e bareve ka edhe shumë që nuk kanë pasur as lajmërimin më të vogël. ‘Nuk na ka ardhur kush këto kohë për oraret. Po ne nuk kemi pasur ndonjëherë punë pas orës 22:30”, thotë Alfred Picialli, administrator i ‘Bar Italia’ tek rruga ‘Mine Peza’. Në të njëjtën rrugë, njoftimin e ka marrë stafi i barit të madh ‘Freskia’. Ferdinand Jata, i cili punon aty prej një viti si kamarier, tregon se janë lajmëruar nga policia bashkiake dhe tani e mbyllin barin që në 22:45. Ndër të panjoftuarit futet edhe bar ‘London’, një nga më të vjetrit në kryeqytet, që prej vitit 1994, i gjendur në Bulevardin ‘Zogu I’. ‘Por gjithsesi jam dakord me oraret e reja. Mesnata është mëse e pranueshme për një bar, e sidomos në rrugë pa lëvizje të vona si jona”, thotë pronari i ‘London’, Fatmir Zeraliu.

‘Po unë që kam bërë investim katër milion lekë të reja për izolim akustik, pse duhet të më mbylletbariqë në mesnatë njësoj si të tjerët që nuk kanë bërë asnjë investim? Pse mos ndihmohet biznesi, kur plotëson kushtet?!”, thotë pronari i bar ‘Lizart’, Iljan Ismaili. E si ai numërohen me gishta dore disa në Tiranë. Dhe nëse më parë decibelët përpara barit të tij ishin mbi 70, tani pas izolimit akustik janë nën 40, nga 50 decibel që është kufiri i të lejueshmes. Duke të kujtuar shembullin e diskos legjendare ‘Albania, të çelur në vitin 1994, model se si një disko shpërthyese në nëntokë nuk përbënte shqetësim zhurme për asnjë mbi tokë. Apo mbi 300 diskot e Athinës e metropoleve të zhvilluara, që pëlcasin nga brenda, pa përbërë kurrëfarë shqetësimi zhurme nga jashtë.

Sipas Zyrës së Shtypit në Bashkinë e Tiranës vendosja e orareve standarde do të jetë një proces gradual, ku pak nga pak do të merren parasysh kushtet specifike. Do të kërkohet mbyllja në bazë të orareve tek të gjithë baret ose izolimi akustik në baret e atyre zonave që përbëjnë shqetësim për qytetarët, duke marrë parasysh ankesat e tyre. Derisa të vendoset rregulli për të gjithë. Duhet edhe ndërgjegjësim i vetë qytetarëve dhe administruesve të bareve dhe pubeve për mosprishjen e qetësisë.

Gjithçka për rritjen e qetësisë, që në fakt si çdo e mirë e ka një të keqe; e bën qytetin më pak të sigurt. Nëse jeta e natës i gjallëron rrugët dhe e bën më të lehtë ecjen në to deri në orë të vona, heshtja mbjell më shumë frikë dhe pasiguri. “As qetësi absolute dhe as një qytet pa jetë. Por jo teprim dhe zhurma të papërballueshme për një jetë normale në limitet njerëzore. Mbyllja më herët nëpër shtëpi sjell më shumë çlodhje për ditën e nesërme, përqendrimin tek puna dhe studimet e jo sidomos argëtim pa kufi siç po ndodh në qytetin tonë’, thotë sociologu Lekë Sokoli.

Pro dhe kundër argëtimit pa kufi

 Të rinjtë ndahen në dy kategori. Çuditërisht gjen jo pak që e duan rregullin e ri. ‘Për mua më mirë që është vënë rregull. Jam i ri dhe më pëlqen të argëtohem. Por nuk është e drejtë për banorët që të rrinë pa gjumë”, thotë studenti Krist Dusha, 19 vjeç, bashkë me dy shokë të tij që e miratojnë me kokë. Ndërkohë që janë duke shkuar tek pubi i motoristave dhe metalarëve, Steelëings, i cili mbushet plot, edhe jashtë në trotuar me grupe të rinjsh edhe në këmbë, por jo me shumë zhurmë. Më të shumtët janë ata që duan rregull, por me zgjatje orari. ‘Të paktën pubet të rrinin hapur deri në dy ose tre të natës. Pak na i kanë lënë deri në dymbëdhjetë”, thonë katër të rinj studentë, Matilda Likja, Valmira Veselaj, Ansi Anastasia, Ervis Zeneli, duke dëfryer në koncertin live të grupit ‘Burn’ tek ‘Charles’ fundjavën e shkuar, ndërsa ora e kishte kapërcyer mesnatën. “Kam të drejtë edhe unë të dëfrehem dhe rinia do qejf, sidomos në fundjavë. Por edhe banorët që duan të flenë kanë të drejtën e tyre. Le të gjejnë një zgjidhje, për të mos i bërë keq asnjë pale”, thotë i riu 24-vjeçar, Krenar Lisha.

“Meqë qendra e Tiranës është shndërruar në një qendër rinore, në fundjavë mund të lejohej argëtim pas mesnate. Ndërsa gjatë javës orari më duket në rregull.”, thotë Ansi Anastasia, adoleshentja që jeton jashtë Shqipërisë, teksa dëfren me miqtë në Tiranë.

Prindërit? Pensionistët? “Kaq mirë që vihet rregull, se rinia e sotme u tërbua fare. Nuk mund të rrihet gjithë natën rrugëve. Iu është bërë mendja më shumë bar-kafe, pub dhe qejf. Duhet më shumë studime dhe punë e më pak qejfe!”, kanë si refren të përbashkët shumica e tyre, ndryshe nga bashkëmoshatarët e tyre nëpër botë, që i shijojnë pubet në çdo moshë.

 

 

 

Në bar-kafe, dy orë në ditë

Minimalisht një orë në ditë në bar-kafe. Mesatarisht dy deri në tre orë. Dhe maksimalisht edhe pesë deri në gjashtë orë në ditë në bar-kafe. Këtë të tregojnë të rinjtë që pyet andej këndej nëpër bare dhe pube, se sa kohë kalojnë në to.

“Jam pa punë dhe kam mbaruar shkollën e lartë. Na e ka nxirë jetën politizimi i institucioneve, – thotë njëri prej tyre, Krenar Lisha, 24 vjeç, duke pirë një birrë me shokët në fundjavë – Po ç’të bësh mos vish dhe në kafe. Ja. Vijmë me cingërrimat që na jep familja”. Pesë deri në gjashtë orë në ditë në bar-kafe kalon studenti Ervis Zeneli.

Rivelin Ismaili, asistent/avokat, 25 vjeç, shprehet se ‘shëtitja nuk krahasohet me kafen’. Edhe pse përveç shëtitjes, lexon shumë libra apo shkon në palestër, edhe ai kalon dy orë të mira në ditë në bar-kafe.

Sociologu Lekë Sokoli: As heshtje, as kaos ekstrem

Ne si vend kalojmë nga një ekstrem në tjetrin. Nga qetësia absolute që kishim përpara viteve ’90-të këto vite kemi kaluar në rrëmujë dhe kaos. Unë bëj pjesë në ata që nuk duan një qetësi absolute dhe një qytet pa jetë. Por jo teprim dhe zhurma të papërballueshme për një jetë normale në limitet njerëzore. Tirana ka pasur përherë dy pamje; një pamje ka qenë Blloku me 24 orë jetë dhe nga ana tjetër qetësia përtej tij, jo vetëm në periferi të Tiranës, por edhe përqark Bllokut. Unë jetoj në ish-Bllok dhe ende deri në tre të mëngjesit ne nuk flemë dot. Por edhe zhurma gjatë ditës është jo normale. Uroj që Bashkia e Tiranës ta çojë deri në fund nismën për lirimin e trotuareve dhe oraret e mbylljes së bareve dhe pubeve. Unë do të jem një nga përkrahësit e kësaj nisme.

 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama