Per nje gjoks te bukur bebet sakrifikohen per qumesht
- Botuar: 17 vite më parë
- Shkruar nga:
Ndërsa drejtoresha e Maternitetit “Koço Gliozheni”, Rubena Moisiu shpjegoi disa nga arsyet e këtij fenomeni dhe theksoi se prioritet i maternitetit që drejton është nxitja e nënave që të ushqejnë fëmijët me qumështin e gjirit. Ndërkohë, mjeket pediatre shpjegojnë se deri në çfarë moshe është e këshillueshme që foshnjet të ushqehen me gjirin e nënës së tyre dhe sa e rëndësishme është kjo.
Ushqyerja
Duhet të ushqehen me qumështin e gjirit të nënës të paktën deri kur të mbushin 1 vit, por jo të gjitha bebet e kanë këtë shans, sepse në vend të këtij produkti të pazëvendësueshëm, ushqehen me qumështin e pakontrolluar të lopës duke favorizuar kequshqyerjen dhe aneminë. Alarmin e jep dikasteri i Shëndetësisë, sipas të cilit, treguesi i ushqyerjes ekskluzive me gji (ushqim vetëm me qumësht gjiri, jo ujë, jo lëngje të tjera) në muajin e katërt është 40%. Por foshnjet nuk arrijnë të marrin as formulat. Përdorimi i formulës foshnjore e cila mbetet e ulët dhe është (15%) e fëmijëve 0-1 vjeç. “Kryesisht, kjo vjen për shkak të kostos së lartë të tyre për buxhetin e familjeve shqiptare dhe traditës së ushqyerjes me qumësht lope”,- pohojnë specialistët e Shëndetësisë.
Shkaqet
Mendojnë se gjoksi i tyre nuk do të jetë i bukur dhe do të pësojë dëmtime nëse foshnja e tyre ushqehet gjatë me qumësht, por në fakt nuk është aspak kështu. Kështu mendon drejtoresha e Maternitetit “Koço Gliozheni”, Rubena Moisiu, e cila thekson se faktori estetik i shtyn disa nga nënat të mos ushqejnë fëmijët me qumështin e gjirit. “Politika kryesore që ndjekim me nënat që paraqiten në maternitet, është që ato të ushqejnë foshnjet e tyre me qumështin e gjirit. Ka disa faktorë që shumë prej foshnjeve nuk ushqehen me këtë produkt, por mendoj se edhe faktori estetik për të cilin nënat, sidomos ato në moshë të re, luftojnë ta mbajnë gjoksin e tyre në formë, ndikon shumë”,- shpjegon Rubena Moisiu. Megjithatë, ajo siguroi se kjo mani e nënave është e kotë pasi gjoksi i tyre nuk pëson asgjë nëse foshnja ushqehet me qumësht. Sipas saj, gjoksi është i ndërtuar në mënyrë të atillë që merr forma të zmadhuara dhe të zvogëluara, në varësi të situatës dhe ushqyerja e foshnjes nuk do të dëmtojë aspak estetikën e gjoksit. Ndërkohë ajo shpjegon se faktorë të tjerë janë edhe problemet që mund t’u lindin nënave, duke mos patur qumësht për fëmijët. Por kjo pasohet edhe me faktorin “kohë” që kanë nënat, pasi shumë prej tyre punojnë dhe nuk kanë mundësi të ushqejnë foshnjet. Megjithatë Moisiu nuk përjashton edhe publicitetin e tepërt që i bëhet ndonjëherë ushqimeve për foshnja, duke joshur nënat pas tyre.
Moisiu: Nuk kanë pasoja vetëm foshnjet, por edhe nënat
Qumështi i gjirit është ushqimi ideal për foshnjat për gjashtë muajt e parë të jetës, ndaj nuk duhet t’u mohohet, pasi kjo mund të shkaktojë pasoja tek ata. Kështu u shpreh Rubena Moisiu, duke theksuar se ai kombinon tre themelet bazë të një ushqyerje të shëndetshme që janë ushqimi, shëndeti dhe kujdesje. Sipas saj, qumështi i gjirit i mbron fëmijët nga shumë infeksione dhe i bën ata rezistentë ndaj sëmundjeve. “Shumë nëna, përdorin qumështin e lopës për bebet e tyre dhe kjo mund të favorizojë kequshqyerjen dhe aneminë”,- pohon Moisiu. Ndërkohë ajo thekson se edhe nënat që u ndërpresin qumështin e gjirit foshnjave, kanë pasoja. “Është vërtetuar se nënat të cilat nuk ushqejnë bebet me qumësht, janë të stimuluara ndaj kancerit të gjirit. Nënat duhet të jenë koshiente për këtë se pasojat nuk janë vetëm mbi bebet, por edhe mbi ato”,- thekson Rubena Moisiu.
Konica: Ja deri kur duhet të ushqehet foshnja me qumësht gjiri
Qumështi i gjirit përmban gjithë lëndët ushqimore, antitrupat, hormonet dhe faktorët e rritjes që i nevojiten një foshnjeje për t’u rritur dhe zhvilluar, ndaj nuk duhet t’i mohohet bebeve ky ushqim i pazëvendësueshëm. Kështu u shpreh mjekja pediatre, Vjollca Konica, duke shpjeguar se qumështi i gjirit nuk duhet t’u ndahet bebeve, të paktën vitin e parë të lindjes. Ndërsa si të domosdoshëm ajo shikon kohëzgjatjen e ushqyerjes me qumështin e nënës deri në 6 muaj. Në fakt, ky është edhe rekomandimi i OBSH-së, që thotë se ushqim ekskluziv me gji në 6 muajt e parë dhe vazhdimin e ushqimit me gji, kombinuar me shtesa përtej vitit të parë. Pediatrja Konica pohon se në favor të fëmijëve do të ishte ushqyerja me qumështin e nënës deri në moshën 2 vjeç por sigurisht, kur kjo të jetë e kombinuar me ushqime shtesë. “Qumështi i gjirit mbron foshnjat nga diarreja dhe infeksionet akute respiratore, otiti i mesëm dhe dermatiti atopik, stimulon sistemin e tyre imunitar dhe përgjigjen ndaj vaksinimit dhe, sipas disa studimeve, ndihmon në aftësitë njohëse dhe zhvillimin e sistemit nervor qendror”,- shpjegojnë specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë, duke theksuar se vetëm me qumësht gjiri mund të kemi fëmijë të shëndetshëm.