Maxhoranca paralajmëron ndryshimin e ligjit të miratuar me konsensus në maj të këtij viti për nëpunësin civil. Ai ishte një nga tre ligjet e kërkuar nga Brukseli për të mundësuar marrjen e statusit. Demokratët kundër. Mbas betejës së fotove, vjen beteja e vërtetë mes palëve, ajo për një vend pune në administratë.
Vjeshtë 2005. Demokratët fituan zgjedhjet në korrikun e atij viti të largët dhe në ditët e para të shtatorit, qeveria Berisha 1 bëri betimin. Ishin zgjedhur antarët e kabinetit, zëvendësministrat dhe kishin ndryshuar një grusht funksionarësh të lartë të shtetit. Shumica dërmuese e të emëruarve në stafet politikë të qeverisë së mëparshme kishin dhënë dorëheqjen dhe ishin zëvendësuar me preferencat e reja të kryeministrit dhe ministrave. Pjesa tjetër e administratës, që e kishte fituar vendin e punës sipas ligjit për nëpunësin civil të nëntorit 1999, priste me gjak të ngrirë se çfarë do të ndodhte me ta. Fshesa në administratë ishte paralajmëruar. Megjithatë, për dy muaj të gjatë, duke përfshirë dhe vetë qeverinë, Berisha kishte firmosur për vetëm 60 emërime të reja. Me gjak të ngrirë priste dhe armata e madhe e militantëve blu, të cilët shpresonin “një vend pune në shtet”, në këmbim të shërbimeve që kishin bërë në parti. Atëherë përdorej shpesh batuta: “Ti ku më sheh mua?” Lista të pafundme me emërime qarkullonin në media, sidomos në poste e larta dhe ato me “lekë”. “Ti ku më sheh mua”?, vazhdoi gjatë. Të majtët e administratës nisën të largoheshin njëri mbas tjetrit nga detyrat dhe trokisnin me ankesa në komisionin e shërbimit civil e më pas edhe në gjykatë. Shumica dërmuese e tyre fituan të drejtën e rikthimit në punë, por një gjë e tillë nuk ndodhi kurrë. U paguan, sipas ligjit, pa qenë në marrëdhënie pune dhe për të njëjtin post, zakonisht paguheshin dy vetë: i pushuari nga puna dhe i emëruari rishtaz. Një faturë prej dhjetra milionë dollarësh, për të cilën nuk është përgjigjur askush deri më sot.
Filmi i dikurshëm po rishihet sërish. Tashmë ka ndryshuar vetëm batuta e djeshme e demokratëve me pyetjen e re të të majtëve: “Ke marrë ndonjë telefon”? Që do të thotë, të kanë afruar ndonjë mundësi punësimi në administratë? Ankthi, pastaj, i të djathtëve dhe të majtëve është identik. Të parët që presin nëse do të detyrohen të lënë zyrat, të dytët, nëse do të kenë mundësi të hyjnë si të punësuar në zyra.
Nga e djeshmja ka ndryshuar dhe një element tjetër: eshtë miratuar si pjesë e paketës prej tre kushtesh të Brukselit dhe ligji i ri për nëpunësin civil. Çka e bën shumë të vështirë largimin e dikujt nga puna, edhe në rastin kur rekrutimi i tij është bërë në ngut e sipër, edhe kur aftësitë e tij profesionale janë të llojit “Ku thërret qameti”!
Sipas vullnetit të përbashkët të maxhorancës dhe pakicës së djeshme, në maj të 2013, ligji parashihej të hynte në fuqi në 1 tetor të këtij viti. Të majtët sot në pushtet kanë ndryshuar mendje. Kanë nevojë për më shumë kohë. Dhe kanë përgatitur një akt normativ për ndryshimin e tij. Zyrtarisht e paralajmëron edhe ministri i marrëdhënieve me Kuvendin Ilirian Celibashi: “Ky ligj në momentin që hyn në fuqi është i pazbatueshëm. Ne duam ta bëjmë objekt te diskutimit patjetër këtë çështje pasi ky është një ligj që ka kaluar me konsensusin e të gjithë spektrit politik. Është një ligj që ka gjetur pëlqimin edhe nga institucione ndërkombëtare, por ka çështje që ne mendojmë që nga pikëpamja juridike duhet të rishikohen, me qëllim që ligji të bëhet i zbatueshëm”.
Dhe menjëherë mbas betejës me foto, shpiket beteja e re e rradhës mes palëve. Reagimet nga PD janë të ashpra. “Në emër të PD, të aleatëve tanë, dua t’i them dy gjëra të thjeshta Edi Ramës, e para hiqe nga mendja, mos e tento, konsensusi është një vlerë e veçantë, të cilën duhet ta ruajmë fort si nyje për ecjen përpara të vendit. Vendi do të ketë nevojë për konsensusin ndërpartiak po aq sa për debatin. Nëse shkelmohet ky konsensus, përgjegjësia dhe pasojat do të bien mbi Ramën dhe qeverinë e tij”, thotë Lulzim Basha të enjten paradite, në mbledhjen e grupit parlamentar e PD-së. Në mesditë, në Kuvend, Berisha është si zakonisht në sulm. Ndryshimet e mundshme në ligjin për nëpunësin civil ai i lidh me integrimin evropian dhe një plan të qeverisë për të shtyrë marrjen e statusit për të mos i dhënë “lavdinë e punës së djeshme qeverisë së tij”. “Statusi është i sigurt. Është gabim fatal nëse ne ndërmarrim veprime për ta shtyrë atë. Ju garantoj që dënojmë vendin në këtë mënyrë.
Ministri i Jashtëm, bashkë me Kryeministrin, kanë mashtruar 100 përqind në Bruksel. Korpusi i nëpunësve civilë është një pasuri e madhe e vendit”, tha ai në Kuvend. “...fryma revanshiste po ngjit shkallë të reja, po shënjestron arritje të tjera të shtetit ligjor. Paralajmërohet shtyrja e ligjit të nëpunësit civil, nëse ndërmerret, ky hap do të ekzekutonte konsensusin ndërpartiak,” kishte artikuluar Basha më herët. PD ka hapur dhe një portal për denoncimin e gjithë largimeve nga puna. Megjithatë, ky film i parë disa herë, shërben dhe si një kujtesë e paralajmërimit gjysëm ironik dhe gjysëm serioz që bëhej dikur në plazh: “Mos e bëj në det, se ta sjell kripa në gjellë”! Vetë Basha, kur zëvendësoi Ramën në krye të bashkisë së Tiranës, përpara se të mendonte për pastrimin e kryeqytetit, e përdori fshesën e tij ndaj gjithë administratës që gjeti në bashki. Pa kursyer as puntoret e gjelbërimit apo sanitaret e godinës. Kulmi arriti në ditët e para të prillit të këtij viti me largimin e LSI-së nga koalicioni qeveritar. Brenda javës u larguan nga puna me qindra e qindra nëpunës të administratës që e kishin fituar postin për shkak të ndarjes së pushtetit PD & LSI. Fshesa e spastrimit pothuaj nuk kurseu askënd.
Kurse në ditët e para të ardhjes së qeverisë së re në detyrë, disa institucione të drejtuara nga PD, bëhen strehë e besnikëve të fundit blu: presidenca, ILDKP-ja, Kontrolli i Shtetit, SHISH-i, bëjnë emërime syrprizë.
Administrata
Nëse do të numëroheshin ndonjëherë dështimet më të mëdha të pluralizmit, mungesa e një administrate të aftë, profesioniste, të depolitizuar, do të ishte pa dyshim në krye të listës. Ndryshimet e ngjyrave në qeverisje, por edhe ndryshimet e titullarëve të institucioneve brenda të njëjtës qeveri, janë shoqëruar me lëvizje të administratës. Ikjet dhe ardhjet e nëpunësve, të bëra si rregull dhe jo si përjashtim, kalonin direkt nëpërmjet humorit të drejtuesve të digastereve dhe sidomos, nëpërmjet filtrave partiakë. Ishte shumë e njohur zyra “gjysëm ilegale” e punësimit në PD, e drejtuar nga F. Noka, e cila bënte listat e rekrutimit të nëpunësve që më pas shpërndaheshin në administratë. PS, menjëherë mbas fitores në zgjedhje, aplikoi CV-të on line, për të thithur burimet njerëzore që mund të shërbenin në administratë. Gjatë fushatës elektorale u bë i famshëm slogani goditës i LSI: Po ju heqin nga puna për tre muaj, do të jeni në punë për 12 vjet.
Në të dy rastet, legjislacioni i shërbimit civil ishte inferior në krahasim me vullnetin politik.
Si rekrutohen, si shkarkohen
Kjo është një histori e gjatë. Shumë e gjatë. Ajo ka nisur që nga nëntori i largët i vitit 1999. Më pas janë nxjerrë mbi një dyzinë me vendime për zbatimin dhe aplikimin e këtij ligji. Në maj 2013, u bë tentativa e fundit ligjore për ta sanksionuar përfundimisht statusin e nëpunësit civil. Por vetëm katër muaj më pas, ministri – jurist, Celibashi e konsideron të pazbatueshëm ligjin dhe konfirmon planin e maxhorancës së re për të ndërhyrë në të. “Sekretari Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, brenda shtatë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, i njofton Kuvendit listën e akteve ligjore që duhet të ndryshohen, me qëllim përputhjen e tyre me përcaktimet e bëra në këtë ligj”, thuhet në dispozitat kalimtare të ligjit të parashikuar të hyjë në fuqi në një tetor. “Edhe sikur ditë natë të kishim punuar, nuk mund ta bënim dot një gjë të tillë”, thotë Celibashi me të drejtë, në një argument më shumë për moszbatueshmërinë e ligjit.
Vetë ligji ka krijuar një mbrojtje të fortë të nëpunësit civil. Nëpunësit civilë ekzistues, punonjësit ekzistues, që janë të punësuar në pozicione të shërbimit civil, sipas këtij ligji dhe që janë rekrutuar sipas një procedure pranimi konkurruese, të ngjashme me atë të përcaktuar nga ligji nr. 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”, apo që janë të punësuar në të njëjtin vend pune për një periudhë jo më të vogël se 1 vit, janë, për shkak të ligjit, nëpunës civilë”, thuhet në nenin 67 të ligjit, në statusin e punonjësve dhe nëpunësve aktualë. Që do të thotë, se gjithë emërimet e kryera që ka tetori i vitit të kaluar, atëherë kur PD e kishte kthyer në shtojcë të saj administratën, janë fakt i kryer dhe gëzojnë statusin e nëpunësit civil. Largimi nga detyra e tyre, po sipas mbrojtjes që jep ligji, është një sipërmarrje e vësthirë. Dy nene të ligjit, 65 dhe 66 tregojnë rastet kur një gjë e tillë mund të ndodhë. Si në Evropë, fjala vjen. Por pyetja shteruese në këtë rast është: a janë rekrutuar si në Evropë ata që sot ndodhen në zyrat e shtetit shqiptar?