Perandoria e duhanit

Perandoria e duhanit
Kina është prodhuesi më i madh i cigareve në botë. Pothuajse të gjitha markat janë të destinuara për një biznes të madh. Ndërsa OBSH-ja paralajmëron: një në tre kinezë të rinj rrezikon të vdesë nga kanceri. Një tokë jeshile, pjellore, romantike. Yunnan është një nga zonat më të bukura dhe më të pëlqyera prej shumë breza artistësh e shkrimtarësh kinezë. Sot ky vend, një nga destinacionet më të famshme turistike në kufi me Vietnamin, është edhe zemra e një prej industrive më të rëndësishme të Kinës. Këtu ngrihet fabrika më e madhe e cigareve kineze, që u destinohet 350 milionë qytetarëve, pothuajse 29 për qind e popullsisë, ose një e treta e duhanpirësve të planetit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), duhani vret pesë milionë persona në vit, prej të cilëve një milion vetëm në Kinë, ku kanceri në mushkëri është rritur 465 për qind që prej vitit 1980 dhe është përgjegjës për numrin e lartë të vdekshmërisë në vend. “Një në tre të rinj rrezikon të vdesë për shkak të cigareve”, shpjegon nga Pekini një e dërguar e OBSH-së. “Nëse vendi nuk do të bëjë diçka për të ndaluar fenomenin, pas dhjetë vjetësh numri i viktimave që do të vdesin nga duhani do të arrijë në dy milionë”.

Të dhënat janë publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë pas një studimi në muajin gusht mbi fenomenin në fjalë. Në një vend ku gjashtë në dhjetë doktorë tymosin rregullisht, duhani nuk lejohet më nëpër spitale që prej 31 majit. Problemi është se ende nuk po zbatohet një politikë kombëtare për ndalimin e duhanit në vendet publike. Sipas disa burimeve zyrtare, zbatimi i kësaj politike do të fillojë në janarin e vitit të ardhshëm, megjithatë kjo është konsideruar një datë joreale. “Problemi është se nuk ekziston një ndarje mes atyre që duhet të miratojnë një politikë për kontrollin e duhanit dhe industrisë së cigareve”, thotë e dërguara e OBSH-së. “Shteti ka shumë interes në zhvillimin e kësaj industrie”.

Shoqëritë e duhanit janë pjesë e monopolit të shtetit dhe kontrollohen direkt nga Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë Informatike. Vitin e kaluar “Cina National Tabacco”, me 520 mijë vartës, 500 marka dhe 183 fabrika, është shoqëria më e madhe e duhanit në botë, me një shumë totale të ardhurash 76 miliardë dollarë. Paratë e përdorshme (14.3 miliardë dollarë) i kalonin ato të kompaninë “Philip Morris”, i cili kishte deklaruar vetëm 6.3 miliardë dollarë.

Industria e duhanit është më e madhja në Kinë, madje është edhe më e madhe se industritë e shtatë vendeve bashkë. India dhe Brazili janë përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë, por në të dyja rastet “gjysmëbiondet” e paketuara në paketa janë vetëm një e dhjeta e atyre kineze. 40 për qind e prodhimit kombëtar vjen nga Yunnan. “Ekonomia e kësaj province varet nga duhani”, shpjegon e dërguara e OBSH-së. “Duke qenë se në të gjithë vendin kultivimi është i vetmi prodhim bujqësor që tatohet, qeveria lokale nuk bën gjë tjetër veçse nxit prodhimin”. Në zemër të vendit ngrihet Yuxi, kryeqyteti botëror i cigareve, degë e shoqërisë “Hongra”. Në këtë zonë gjenden pothuajse gjysma e cigareve që prodhohen çdo vit në Kinë, plot dhjetë miliardë steka. Këtu mijëra fermerë heqin dorë nga mbjellja e tokës në këmbim të 1200 eurove në vit nga dhënia e tokës me qira. Shumë prej tyre punojnë edhe si punëtorë në ato kompani që janë qiradhënës.

Historia e duhanit në Kinë është shumë e lashtë. Daton para 400 vjetësh, kur u fut nga tregtarët portugezë, të cilët frekuentonin brigjet e Filipineve dhe Japonisë. Shumë shpejt bima e duhanit u përhap në të gjithë territorin jugor e me të edhe mënyrat e ndryshme për ta pirë. Për shekuj me radhë më e zakonshmja ka qenë llulla, sepse u jepte artizanëve mundësinë për të krijuar objekte të çmuara që aristokracia feudale i kërkonte si simbol i statusit.

Por në fillim të shekullit të kaluar, Shangai, që gjithmonë ka qenë porta hyrëse për botën në Kinë, e transformoi zakonin e disa njerëzve në një fenomen të masës me prezantimin e “gjysmëbiondeve”. Në harkun kohor të dy viteve, falë një fushate publicitare të fuqishme, shitjet i kaluan limitet e përcaktuara dhe Shangai u bë kryeqyteti i sofistikuar i duhanit kinez. Ai që për shumë kohë kishte qenë luksi i pak njerëzve, u transformua në vesin e preferuar të borgjezisë komerciale, pastaj në një ritual të domosdoshëm social që ende sot, është pjesë e kulturës mashkullore. Hapi i parë i një takimi pune është ofrimi i një cigareje ortakut tjetër. Po ashtu ekzistojnë edhe “gjysmëbiondet” që u shpërndahen të ftuarve gjatë dasmës. Quhen “Double Happiness” (“Lumturi martesore”) dhe janë të paketuara në një kuti me ngjyrë të kuqe dhe të artë, ngjyrat e fatit dhe suksesit. Tradita e do që gjatë drekës së dasmës dhëndri të përshëndesë të ftuarit në çdo tavolinë me një dolli “baijiu” (raki kineze), ndërsa nusja u ndez nga një cigare. Nuk ka rëndësi nëse dreka zhvillohet në orën 11.00 të paradites. Cigarja nuk ka orar, është pak a shumë si kafeja në shumë vende të botës, ose uji në Indi. Është një nga ato gjestet që gjithmonë mirëpritet.

Cigarja kineze i ka kaluar barrierat sociale. Mao Ce Duni dhe Ten Siaopini ishin krenarë për vesin e tyre. Mao çmonte cigaret amerikane 555 të prodhuara nga “British American Tabacco”. Ten, lideri që në vitin 1979 i ftoi kinezët të pasuroheshin, adhuronte cigaret “Panda”, që kushtonin 90 euro steka.

Është pikërisht gjithëpranimi i duhanit që e ka alarmuar OBSH-në. Duhanpirja mes të rinjve vazhdon të rritet. Ndërkohë që përqindja e meshkujve që pinë duhan ka arritur në 53 për qind, femrat që e kanë këtë ves janë vetëm 2.4 për qind. Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, numri i vajzave të reja që i afrohen duhanit vazhdon të rritet. “Të pish duhan është bukur, më ndihmon të studioj dhe gjatë verës mban larg mizat”, është shprehur për “Washington Post” një 14-vjeçare.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama