Perballe pasqyres se Geraldines

Perballe pasqyres se Geraldines

Akademia e Shkencave rrëfen në një ditë historinë e saj. Dikur rezidencë mbretërore, ajo do të shërbente pas luftës si qendër për kryesinë e Këshillit Nacionalçlirimtar dhe në vitet 1946-1962 do të ishte selia e Presidiumit të Kuvendit Popullor...



Në kopshtin në hapësirën përpara ndërtesës dykatëshe me shkallët që shohin nga perëndimi, dikur Ahmet Zogu endej në mbrëmje, për t’u dhënë ajër mendimeve. Në një nga dhomat e katit të dytë, përballë një pasqyre, mbretëresha Geraldinë vendoste butë-butë krehrin mbi flokët e saj. Në Shqipërinë e viteve 1939, kjo ndërtesë ishte një nga objektet më të rëndësishme të kohës. Në hapësirën e saj nuk jetonte vetëm mbreti, por merrnin jetë vendime të rëndësishme. Kur koha ikën, e tashmja duket sikur mbulon me pluhurin e së përditshmes historinë. Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, kjo ndërtesë, që sot njihet si Akademia e Shkencave, ka zhveshur lëkurën e saj, duke nxjerrë prej andej sëndukun e kujtimeve. Nëse një i huaj futet në godinën ku sot merren vendime për sa i përket shkencës dhe gjuhës, nuk mund ta mendojë se në korridorin e gjatë dikur ecnin ushtarët e mbretit apo ai vetë. Një ditë e mbushur me histori ka qenë ajo e djeshmja për ndërtesën dykatëshe, shumë pranë Parlamentit të Shqipërisë.

 

Një ditë për ta parë trashëgiminë kulturore jo vetëm përmes objekteve të tilla, por dhe përmes historisë. Një ditë për të kujtuar se historia është aty, mjafton ta grishësh pak atë. Në hyrje të saj u vendos dje pllakata “Monument kulture”, dhe në korridorin e gjatë u hap një ekspozitë me foto, të cilat tregonin imazhe të dikurshme të ndërtesës. Në vitet 1925-1926, ndërtesa ka shërbyer si seli e qeverisë së presidentit Ahmet Zogu. Deri në vitin 1929 nuk ka informacione për përdorimin e saj. Në vitet 1929-1939 ka shërbyer si pallat mbretëror i mbretit Ahmet Zogu I. Në vitin 1939, godina u dogj pjesërisht nga zjarri. Në vitet 1944-1946 ka qenë vendosur Kryesia e Këshillit Nacionalçlirimtar. Në vitet 1946-1962 ka qenë selia e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në vitet 1961-1972, ndërtesa u përdor për funksione të ndryshme shtetërore.



Më 10 tetor 1972, me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor, u vendos krijimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Mbledhja e parë e Asamblesë së Akademisë së Shkencave u mbajt më 25 janar 1973. Profesor Aleks Buda u zgjodh kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Midis themeluesve të saj spikatnin shkencëtarë të njohur si Eqrem Çabej, Mahir Domi, Petrit Radovicka, Kolë Popa etj. Në fillimet e saj, Akademia kishte 17 anëtarë të rregullt dhe pesë anëtarë korrespondentë; ajo funksiononte me një varg institutesh të shkencave shoqërore dhe albanologjike, si dhe të shkencave natyrore e teknike.

 

Deri në fund të viteve ’80, mbi veprimtarinë shkencore ndikuan një varg kufizimesh të karakterit jashtë shkencor, kryesisht të natyrës politike e ideologjike. Ato cenonin, sidomos fushën e shkencave shoqërore; kërkimet akademike impononin gjykime apriori, bëheshin pengesë për vlerësime objektive të disa arritjeve shkencore bashkëkohore e për zbatimin e tyre. Lidhjet ndërkombëtare të shkencëtarëve shqiptarë, pjesëmarrja në veprimtari ndërkombëtare, shkëmbimet shkencore dhe akademike, ndonëse nuk mungonin, ishin mjaft të kufizuara si pasojë e izolimit të vendit dhe të klimës politike. Ndërtesa është pronë e Zija Toptanit, deputet i Parlamentit shqiptar. Ndërtesa, bashkë me vilën e banimit ka qenë pjesë e sarajeve të Toptanëve. Godina u ndërtua në kohën kur familja Toptani u shpërngul nga Kruja për në Tiranë dhe vetë ndërtesa përdorej kryesisht për pritje familjare dhe zyrtare. Ka një sipërfaqe ndërtimi rreth 600 m² dhe lartësi kati rreth 4.5 m. Ajo bashkë me katër ndërtesa të tjera rreth e rrotull, përbëjnë kompleksin e ndërtesave të shpallura “Monument kulture” të kategorisë së dytë, të Qendrës Historike të Tiranës, të shpallura me urdhër të ministrit të Kulturës. Objekti i përket tipologjisë së banesës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XIX në funksion të shtresave më të pasura të shoqërisë së asaj kohe. Si tipologji ngjan me banesat me çardak të mbyllur qendror, të cilat ishin të përhapura edhe në vende të tjera të Ballkanit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama