Perballe rrezikut

Përballë rrezikut

Një ngjarje e tillë ndodhi më 3 gusht të këtij viti edhe në tempullin e Naina Devi, në Himachal Pradesh, në Indi, i cili ishte populluar nga mijëra pelegrinë. Shembja e një ndërtese krijoji një gropë të madhe, duke ngjallur kështu frikë dhe panik te të gjithë të pranishmit. Turmat përpiqeshin të kalonin barrierat e vëna nga policia. Në këtë incident humbën jetën 160 persona, sepse u shtypën duke u përpjekur t‘ia mbathnin.

Frika? Na shpëton

Të gjitha reagimet janë të mundshme para një katastrofe, apo rreziku. Por çfarë ndodh në situatat emergjente, kur një ndërtesë digjet, apo një anije mbytet? A është e mundur që në ato çaste të ruash gjakftohtësinë dhe të gjesh zgjidhjen e duhur në pak sekonda?

Përballë një rreziku, njerëzit janë krijuar për të reaguar me mekanizmin e mbijetesës: frikën. Kur trembemi, një sërë reagimesh trupore veprojnë (për shembull rrahjet e zemrës fillojnë të bëhen më të shpeshta, rritet presioni i gjakut dhe marrim frymë shpejt) dhe kështu bëhemi gati për të vepruar, për t‘ia mbathur, ose të hidhemi në sulm. Gjithsesi, përgjigjja jonë në raste emergjente është më e komplikuar.


"Fillimisht, përpara largimit ose sulmit, ka një reagim tronditës: është një fazë ku qëndron pa lëvizur dhe përpiqesh të analizosh zgjidhjen. Është thjesht një minutë, e cila na shërben sepse duhet të kuptojmë se si të veprojmë", shpjegon përgjegjësi i këtij studimi psikologjik. "Bëjmë vlerësime të shpejta mbi rrezikun që na kanoset dhe si duhet t‘i bëjmë ballë (për shembull: ç‘ishte kjo që dëgjova? Mos vallë ndonjë shpërthim? Ku është dalja?). Gjithashtu bëjmë edhe një vlerësim social, që lidhet me rolin tonë: për shembull, nëse jam përgjegjësi i një grupi, një profesor, apo një prind me fëmijë".

Pa rrugëdalje

Ndodh shumë rrallë nga ç‘mund të mendojmë, se njerëzit mund t‘i kapë paniku, i kuptuar ndryshe si një reagim i pakontrolluar, irracional, pra tepër i dëmshëm për veten dhe të tjerët. "Skenat e panikut në një film, kur personat arratisen duke marrë me vete miq e të afërm, janë shumë të rralla", thekson një psikolog. Studimet mbi reagimet e ngjarjeve ekstreme tregojnë se njerëzit nuk e humbasin lehtë kontrollin. "Shpesh të mbijetuarit flasin për panikun, sepse atëherë ndiheshin të terrorizuar, por nuk janë bërë viktimë e tij.

Mund të thuhet se shpesh njerëzit janë sjellë në mënyrën e duhur dhe kanë përdorur logjikën në situatat ekstreme", thotë ai. Por kjo nuk do të thotë se arratisje të pakontrolluara nuk kanë ndodhur kurrë. "Nëse paniku shpërthen në një stadium, apo pranë një vendi të shenjtë, situata bëhet shumë e vështirë. Gjithashtu, ai mund të shfaqet në një situatë të tensionuar, shqetësuese, pra dëgjohen të shtëna pistolete, kur shihet tym... Nëse njerëzit nuk gjejnë rrugëdalje dhe ndihen të rënë në kurth, frika dhe tentativa për t‘u arratisur bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Ndër të tjera përgjigjja jonë mund të jetë e kushtëzuar nga fakti se jemi të alarmuar. Nëse e kemi jetuar më parë një katastrofë, do të shqetësohemi nëse gjendemi sërish përballë një rreziku që ripërsëritet, duke rrezikuar kështu që të humbasim edhe kontrollin".

Të qetë... madje në maksimum

Ka nga ata persona që nuk alarmohen, madje arrijnë ta ruajnë gjakftohtësinë. "Shpesh njerëzit nuk reagojnë në kohë ndaj sinjaleve të rrezikut. Për shembull, qëndrojnë në vend duke vështruar të tjerët, ose nuk ua vënë veshin alarmeve, edhe pse restoranti është mbushur me tym. Si duket këta lloj njerëzish përpiqen të analizojnë rrezikun, por ndonjëherë kjo do të thotë të presësh shumë për të vepruar", shpjegon psikologu.

Natyrisht që ka edhe nga ata persona të cilët bllokohen pa arritur të reagojnë. "Këta njerëz hyjnë në një fazë ‘ngrirjeje‘ dhe nuk orientohen se çfarë po ndodh. Ndoshta edhe kjo mund të jetë një përgjigje mbijetese: të presësh pa lëvizur rrezikun. Për t‘u mbrojtur nga frika mund të imagjinosh sikur situata e tmerrshme të mos ishte e vërtetë".

Shpëtojmë, por së bashku

Në katastrofa, njerëzit bëjnë diçka që bie në kundërshtim me rregullat e mbijetesës individuale: ndihmojnë njëri-tjetrin. Janë dashamirës, edhe ndaj atyre që nuk i njohin. Për shembull, ndalojnë dhe ndihmojnë dikë që ka mbetur i bllokuar në një vend. "Njeriu është një kafshë sociale. Përgjigjet e tij ndaj rrezikut nuk janë sulmi dhe arratisja, por edhe ndihma. Njerëzit kërkojnë dhe japin ndihmë të shpejtë. Natyrisht që reagimet janë të ndryshme: ka nga ata që përpiqen t‘ia mbathin, ndërsa të tjerë të ndihmojnë e të drejtojnë".

Jemi qenie shoqërore, edhe kur analizojmë se çfarë duhet të bëjmë. "Shohim se si sillen të tjerët. Zakonisht grupi ndjek një person, për shembull dikë që ka një rol ose kompetencë. Në ato momente është e rëndësishme të paraqitesh si lider, të tregosh se çfarë di të bësh dhe të japësh urdhra të shpejtë e të qartë. Nuk duhet t‘i shmangeni kurrë rrezikut, por duhet të shpjegoni se çfarë po ndodh dhe ç‘duhet bërë. Në këtë mënyrë njerëzit do të ndjekin udhëzimet tuaja".


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama