Vetëm 24 orë larg de butimit dhe më në fund fusha do të nxjerrë në pah të gjitha karakteristikat e kësaj Italie. Nesër, më datë 13 qershor, kombëtarja e Antonio Kontes do të vërë në vitrinë të gjitha cilësitë dhe dobësitë e saj.
Përballë Belgjikës do të jetë një betejë e fortë, por edhe e frikshme, sepse hierarkitë kanë ndryshuar dhe nënkampionët e Europës në fuqi do të luajnë kundër numrit 2 të renditjes botërore.
Për këtë arsye, trajneri i të kaltërve po mendon të përgatisë një kurth, një surprizë, me të cilën mund të kapë në befasi "Djajtë". Siç është përfolur në ditët e fundit, Konte po përgatit një Itali ndryshe, një skuadër-kameleon, e cila do të ndryshojë format për të tria përballjet që ka në grup.
Gjithsesi, ndeshja kryesore dhe ndoshta më decizivja është ajo e hapjes, sepse një rezultat pozitiv mund të vuloste kualifikimin, ndërsa një humbje mund të shtonte edhe më shumë shqetësimet.
Surprizat - Ndonëse selia e grumbullimit të Italisë i ngjan një bunkeri të padepërtueshëm, media gjithsesi ka arritur të depërtojë me burime të saja duke nënvizuar se Antonio Konte po ideon një skuadër super-sulmuese, për t'u treguar menjëherë agresiv kundër belgut.
Duke parë problemet në mbrojtje që ka "armata" e talentuar e Vilmotsit, pa dyshim që reparti difensiv i Belgjikës është hallka e dobët e saj, e cila mund të rezultojë edhe në çelësin e suksesit të Italisë. Indiciet e para flasin për një skuadër me formatin 3-3-4, ku këtë herë dy anësoret e mesfushës me 5 lojtarë do të kenë detyra sulmuese, më sakte duhet të vënë në presion që në fillim dhe gjatë të gjithë lojës, katër mbrojtësit e "portokallinjve".
Natyrisht që për të bërë një presing mbytës nevojiten muskuj, një rezistencë e fortë fizike dhe pikërisht këtu nisin dyshimet e trajnerit.
Dyshimet në formacion - Konte nuk është nga ata që sheh lojtarët në fytyrë, madje nuk sheh as rolet e tyre, pasi ai kërkon vetëm impenjim dhe shpirt sakrifice: "Modulet janë diçka që shkruhen në letër, ide që kur zbritet në fushë nuk vlejnë më, pasi e rëndësishme është që të luash këmbët dhe të mendosh sa më shpejt dhe në drejtimin e duhur", nënvizon gjithmonë "gjenerali".
Dhe pikërisht përballë Belgjikës këto janë gjërat që ai kërkon: sakrificë dhe vullnet për të luajtur deri në fund. Nëse surpriza paralajmërohet se do të ketë në modulin e ekipit, pra një 3- 5-2 që do të shndërrohet në një 3-3-4 me dy krahët shumë të avancuar, edhe në formacionin titullar mendohen disa risi.
Nëse porta dhe mbrojtja do të përbëhen nga blloku juventin (Bufon, Bonuçi, Barzalji e Kielini), ndërsa mesfusha duket e palëvizshme me De Rosin, Motën e Parolon, pikërisht krahët ofensive dhe dy sulmuesit mund të jenë ata që do të surprizojnë.
Nëse Kandreva është i paprekshëm në korsinë e djathtë, në të majtë, ku shpesh ka luajtur Darmian ose De Shiljo, trajneri Konte po mendon të konfirmojë El Sharauin, ndonëse edhe Darmian është përgjigjur fort në stërvitjet e fundit, duke garantuar agresivitet dhe forcë fizike.
Por risia më e madhe mund të jetë një aktivizim nga minuta e parë e Ederit, përkrah Zazas, dy lojtarë që nuk kanë luajtur kurrë së bashku, por Konte mendon se ata të dy janë shumë më agresivë kundrejt mbrojtjes rivale sesa Imobile dhe Pele.
Gjithsesi, ndërsa këto janë thjesht thashetheme që vijnë nga Montpelie, duhet pritur konferenca e sotme për shtyp dhe sfida me Belgjikën për të parë nëse Italia do të surprizojë apo jo.
Përgatiti: JETON STAMOLLA