Perdorimi i fjalorit te papershtatshem nga femijet

Perdorimi i fjalorit te papershtatshem nga femijet
Ndodh që edhe fëmijët 3-4 vjeçarë të përdorin fjalë të papërshtatshme nga ato që rëndom ne i quajmë fjalë “të ndyra” ose të thotë fjalë pjesërisht tabu apo të frikshme, si “seks”apo “vdekje”, “sida”. Dhe prindërit menjëherë fillojnë të mendojnë  “Ç’po ndodh kështu? Unë s’përdor fjalë të tilla. Ku dreqin i mësoi ky fëmijë?!”…

Gjëja e parë për t’u pasur parasysh është se fëmijët e vegjël nga natyra janë kuriozë dhe priren të imitojnë ose riprodhojnë, sapo dëgjojnë fjalë “të çuditshme” që s’i kanë dëgjuar më parë apo fjalë të cilat shkaktojnë reagime të caktuara (nervozizëm, zemërim apo humor). Përdorimi i këtyre fjalëve sërish do të varet shumë nga reagimi i të rriturve: a do të nervozoheni ju, a do zemëroheni pa masë, a do të habiteni, a do të qeshni apo do të qëndroni indiferentë njëlloj sikur fëmija të kishte thënë një fjalë të zakonshme, si “dorë”, “e mirë”, “ik”.

Shpesh fëmijët e kësaj moshe nuk e dinë kuptimin e fjalës që thonë, por ata mësojnë fuqinë e asaj fjale përmes reagimit tuaj. Nëse ju lini gatimin apo ndaloni së pari televizor kur fëmija thotë një fjalë të papërshtatshme, ai mëson se përdorimi i kësaj fjale është një mënyrë e mirë për t’ju tërhequr vëmendjen. Nëse ju habiteni dhe filloni t’i tregoni moralin, fëmija do të habitet edhe më shumë, sepse ai ende nuk e ka formuar konceptin e turpit në këtë moshë. Nëse ju qeshni dhe e vini në lojë “Pa thuaje dhe një herë” dhe vazhdoni të qeshni, fëmija mëson se përdorimi i kësaj fjale është një mënyrë e mirë për t’ju bërë ju të qeshni; ndaj mos u habisni nëse ai do ta ripërdorë këtë fjalë edhe kur të vijnë miqtë tuaj për darkë. Por nëse ju përmbaheni dhe qëndroni indiferent, ka shumë mundësi që fëmija të mos e përsërisë.

Pra, këshilla më e mirë në të tilla raste për prindërit apo edukatoret e fëmijëve të moshës parashkollore është të tregohen indiferentë karshi këtij fjalori, të mos bëjnë gjeste e mimika habie, acarimi apo qesharake.

 

Duke u rritur, fëmijët  kanë edhe prirjen për të tejkaluar kufijtë. Na takon neve si prindër apo kujdestarë, edukatorë apo mësues të caktojmë kufijtë për fëmijët gjatë zhvillimit të tyre, sidomos gjatë krijimit të vlerësimit për veten.

Por si përballen prindërit me këto situata të vështira kur vënë re se vetëvlerësimi i fëmijës po ndikohet nga përdorimi i fjalëve të papërshtatshme? Si e mëson një prind fëmijën e tij që përdorimi i këtij fjalori nuk do të thotë se është i/e rritur?

1. Një prind duhet t’i shpjegojë fëmijës që pavarësisht se ai/ajo dëgjon fjalë të papërshtatshme dhe do të dëgjojë vazhdimisht gjatë gjithë jetës, kjo nuk do të thotë se përdorimi i tyre është i drejtë ose i përshtatshëm. Atëherë, fëmijët mund të pyesin se përderisa të tjerët i përdorin, përse ata s’munden? Ju mund t’iu rikujtoni fjalorin tuaj dhe normat në familjen tuaj. Ju mund t’iu shpjegoni se jeni të ndryshëm nga të tjerët: “Ti nuk je ai dikushi tjetër që flet fjalë të këtilla dhe ai tjetri nuk është ti. Fakti që për të tjerët përdorimi i këtij fjalori është i mirë, nuk do të thotë se ky fakt është mirë edhe për ty”. Ose në mënyrë figurative mund t’i thoni fëmijës “Nëse të tjerët hidhen nga ura, edhe ti do hidhesh bashkë me ta?!”

2. Shpjegojani fëmijës kuptimin që kanë këto fjalë të papërshtatshme dhe ndaluni t’i tregoni se sa shumë lëndohen të tjerët nga ato fjalë. Sigurojeni fëmijën se të zemërohet apo të ndihet keq është ndjesi mëse normale; por përdorimi i agresivitetit, qoftë me veprime apo me fjalë nuk është i drejtë dhe nuk duhet përdorur. Sikurse nuk duhet ta rrahësh dikë pasi mund ta dëmtosh keqazi, ashtu edhe sharja e mallkimi nuk duhen përdorur sepse i lëndon thellë njerëzit. Nëse rrahja lëndon fizikisht trupin, sharja e mallkimi lëndon diçka akoma më të çmuar, shpirtin.

3. Mos e ndëshkoni fëmijën çdo herë që përdor fjalë të papërshtatshme. Pavarësisht nga bezdisja juaj, përpiquni ta përdorni këtë situatë në mënyrë konstruktive dhe t’i mësoni fëmijës reagime e sjellje pozitive. Merreni mënjanë fëmijën dhe shpjegojini përse përdorimi i këtyre fjalëve është i gabuar. Nëse ju reagoni në mënyrë miqësore, atëherë edhe fëmija do të mësojë të sillet në mënyrë të tillë.  Ai do të kuptojë se komunikimi i qetë dhe i hapur është rruga më e mirë e diskutimit dhe e zgjidhjes së çështjeve.

4. Por ka raste kur prindërit nuk kanë më durim për të dhënë një leksion tjetër. Ç’mund të bëni në këto raste? Sugjerimi im është të merrni kohë për t’u menduar mbi atë ç’ka ndodhur dhe si duhet të reagoni. Kërkojini fëmijës të shkojë në dhomën e vet ose kërkojini të qëndrojë ulur në vendin e tij. Sigurisht, mos harroni t’u shpjegoni pse ata janë “dënuar” të rrinë diku dhe urtë. Pasi të qetësoheni, bisedoni me fëmijën.

5. Ndodh të kemi të afërm apo vizitorë që përdorin fjalor të papërshtatshëm në prani të fëmijëve. Me mirësjellje, por të prerë, kërkojuni atyre t’i kërkojnë falje fëmijëve tuaj për përdorimin e këtyre fjalëve dhe të mos i përdorin sërish në prani të tyre.

Por kujdes!!!

Nëse ju përdorni një fjalor të papërshtatshëm, shani e mallkoni vazhdimisht, mos pretendoni që fëmija juaj të ndalojë lehtësisht përdorimin e këtij fjalori. Fëmijët i vëzhgojnë prindërit dhe duan të jenë si ta. Nëse një fëmijë dëgjon se prindi i tij përdor fjalor të papërshtatshëm, natyrshëm ata mendojnë se përdorimi i këtij fjalori është diçka normale. Pavarësisht nga fakti se ju po përpiqeni të ndaloni përdorimin e fjalorit të papështatshëm dhe lëndues të fëmijëve tuaj, ata do të vazhdojnë t’i përdorin këto fjalë për sa kohë dëgjojnë prindërit e tyre t’i përdorin ato.

 

 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama