Ndryshimi është pjesërisht strukturor, pjesërisht politik dhe pjesërisht kulturor. Pesë bankat e mëdha të investimeve që dominonin Wall Street-in, ashtu si edhe gjithë tregun financiar në nivel global, nuk janë më: dy kanë falimentuar, një tjetër po i shitet Bankës Amerikane, ndërsa dy të tjerat janë kthyer në banka komerciale. Epoka e bankierit investues të pavarur, kolosit financiar që ishte shfaqur vitet e fundit, i cili i jepte llogari veç vetvetes, ka mbaruar një herë e mirë. "Bota ka ndryshuar", deklaroi një zëdhënës i "Morgan Stanley" javës që shkoi. Diçka të përafërt deklaroi edhe Uilliam Isak, ish-numri një i Korporatës Federale të Sigurimit të Depozitave, detyra e së cilës është garantimi i depozitave bankare: "Ai Wall Street që njohim ne, ka marrë fund".
Qendra e gravitetit financiar sa hap e mbyll sytë është zhvendosur në Uashington. Janë ligjvënësit ata që mbajnë tashmë në duar fatin e së ardhmes së financave amerikane. Ata, "Zotër të Universit", për të cilët shkroi Tom Ulf në librin "Zjarri i mendjemadhësisë", tani nuk zotërojnë më as Wall Street-in. Janë vendosur rregullatorë për t‘u vënë fre djemve të pabindur të financës, madje jo vetëm kaq: publiku amerikan është i bindur se dikush duhet të paguajë për këtë katastrofë.
Por ndryshimi më rrënjësor mund të jetë ai kulturori, njëherësh edhe më i pakapshmi për syrin. "Wall Street: i marrë fund" shkruante fundjavën e shkuar e përditshmja amerikane, "The New York Times". "Bota e egove të mëdha. Bota ku njerëzve u pëlqente të hidhnin zaret me para të marra hua, e mbajtur gjallë nga kompjuterët... Asaj bote po i mbërrin fundi".
Ndryshimin mund ta vëresh te fytyrat e ngurta të punonjësve që mbushin sallën gjigande të këmbimit të aksioneve çdo mëngjes: duket sikur janë vënë në radhë për t‘iu nënshtruar një testi të pamëshirshëm e ngjethës. Shumica e tyre nuk pranojnë të intervistohen.
Ndryshimet shfaqen më së shumti te detajet në dukje të parëndësishme: te një lokal jo shumë i madh, një grua ankohej se kroasani i përditshëm kushtonte 20 cent më shtrenjtë se një ditë më parë. "U ngrit çmimi sot? Për një ditë?", thotë me habi. "Mund të kuptoj çfarë ndodhi me kompanitë ‘Bear Stearns‘, ‘AIG‘, por edhe kroasani im"? Kush e dëgjon, duket se e miraton.
Jashtë dyqanit lyp Rozario Katania: "Sot më shkoi më mirë nga ç‘prisja, thotë. Dje shifrat u ulën me 700, por u ngritën përsëri sot në mëngjes". Në Wall Street edhe lypësit janë spekulatorë.
Endrju Shilman del nga ndërtesa e bursës me një qen shumë të vogël, të quajtur Kingston. "Dola nga loja para dy vjetësh, thotë. Ajo që po ndodh është e kundërta e bollëkut të dikurshëm irracional. Është tatëpjeta e kapitalizmit, oportunizmit dhe babëzisë. Është mënyra amerikane e të vepruarit. Gordon Geko e tha më qartë se kushdo tjetër: ‘Babëzia është diçka e mirë", vëren, duke iu referuar karakterit të luajtur nga Majkëll Daglas në një film me qendër Wall Street-in, ku ekseset e kësaj rruge shfaqen tërësisht, nga format më të ulëta tek ato më joshëset.
Gjatë dy dekadave të fundit, personazhet e mishëruara më së miri nga Gordon Geko janë lakmuar e janë kritikuar, por më së shumti janë admiruar në fshehtësi nga pjesa më e madhe e amerikanëve. Sot përgojohen e përçmohen me gjithë shpirt, me doza që nuk vëreheshin prej 80 vjetësh. Ajo mëri u pa më së miri në kongresin amerikan, me refuzimin e paketës së ndihmës për daljen nga kriza. Edhe pse diçka e tillë u bën dëm edhe atyre vetë, amerikanët duan t‘i shohin të kryqëzuar ata individë që u pasuruan dhe e sëmurën Amerikën përmes kredive toksike.
"Ky është biznesi më fitimprurës në planet, por mund të bëhet në dy mënyra: në atë të duhurën dhe në atë të gabuarën", thotë Xhom Foster, agjent burse në kompaninë "Gotham Realty Holdings". "Tregu do rimëkëmbet brenda tre-katër vjetësh...". Një opinion i tillë shprehet gjerësisht nga punonjësit e Wall Street-it këto dy-tre ditët e fundit, por pa atë optimizëm dhe bindje që është aq karakteristike për këtë rrugë dhe aq jetike për suksesin e saj.
Dhe në thelb kjo është edhe ajo çka ka ndryshuar. Ekonomisti dhe shkrimtari Xhon Kenet Galbrait i identifikonte kështu përbërësit kryesorë të entuziazmit financiar: "Spekulimi ka nevojë për doza të mëdha vetëbesimi bindës, optimizmi dhe bindjeje se njerëz të zakonshëm mund të pasurohen... Kjo lloj ndjesie ndaj besimit është thelbësore kur ke ndër mend të bësh bum. Kur njerëzit janë të kujdesshëm, mosbesues, mizantropë, skeptikë apo të vegjël në shpirt, janë imunë ndaj entuziazmit spekulativ".
Por për entuziazëm as mund të flitet këto dy-tre ditë në Wall Street. Është zëvendësuar nga pasiguria dhe nga parandjenja se 2008-a mund të kthehet në vitin 1929. Pjesa më e madhe e ekonomistëve nuk besojnë se jemi përpara një krize të ngjashme me atë të Depresionit të Madh të viteve tridhjetë. Bastexhinjtë e papërmbajtshëm amerikanë do gjejnë një rrugë tjetër për të fituar para me thasë e për të blerë një jaht edhe më të madh. Toka do ndalë së vibruar nën Wall Street dhe buldozeri do largohet. Por teksa turistët, agjentët e bursës e të tjerët ngrenë kokën drejt kateve të larta të ndërtesës së bursës, në mendje kanë të njëjtën gjë: vetëvrasjen e atyre që nuk kanë rrugë tjetër shpëtimi.
Por duhet të dinë se në vitin 1929, me shpërthimin e krizës së famshme, vetëm dy spekulatorë vendosën t‘i jepnin fund jetës, duke u hedhur nga katet e larta të ndërtesës. Fjalët për vetëvrasje masive u morën për të vërteta, për shkak të thashethemeve, frikës e pasigurisë. Dhe kjo është edhe mënyra e parapëlqyer e operimit të Wall Street-it.