Korabi, tashmë një skuadër elite, sot pasdite, në orën 16:00 do të zbresë në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" për të zhvilluar ndeshjen finale për titullin kampion të Kategorisë së Parë ku përballë do të jetë elitarja tjetër, fituese e Grupit B, Luftëtari. Dibranët kanë dy ditë që po stërviten në stadiumin e Kamzës duke shpresuar në një fitore tjetër duke marrë edhe një kupë morali. Kamza ka hapur dyert e stadiumit për ekipin e Korabit. Kjo skuadër, për dy ditë me radhë, ka zhvilluar dy seanca nga 90 minuta në ambientet e këtij stadiumi. 20 lojtarë kanë qenë të pranishëm gjatë këtyre dy seancave stërvitore.
Këto dy seanca kanë pasur si synim ambientimin e lojtarëve për sa u përket kushteve të afërta të fushës me bar natyral që stadiumi i Kamzës ka me stadiumin kombëtar "Qemal Stafa", ku edhe do të zhvillohet ndeshja finale. Programi i saj në këto dy ditë ishte mbështetur në skemat që do mund të zbatohen gjatë lojës si dhe në gjuajtjet si nga distanca, po ashtu edhe pranë zonës. Por, për pak çaste, janë improvizuar edhe gjuajtjet nga pika e bardhë, pasi edhe ato janë një opsion.
Trajneri i skuadrës, Mehmeti, lidhur me ndeshjen ndaj Luftëtarit, shprehet: "Sigurisht që kemi përballë një ekip tradite që nuk e ka për herë të parë një finale të tillë, plus edhe kualitetet që ky ekip zotëron duke i shprehur më së miri edhe gjatë këtij sezoni në grupin e tij. Megjithatë, ne do të mundohemi të japim maksimumin ku shpresoj që t'i gëzojmë përsëri tifozët dibranë edhe me një kupë morali. Kjo do të ishte dhe 'qeleshja mbi kokë', siç e kanë zakon dibranët", thotë Mehmeti.
Përgatiti: Abdulla Dushku