A janë vërtet Shkrimtarët e Shekullit 29 autorët e Xhungës? Midis së vërtetës dhe së pavërtetës në këtë libër. Pse nuk është Kadareja në këtë vëllim? Po Umberto Eco apo Rowlingu, Kundera e të tjerë që i njeh e i do lexuesi ynë? Një emision dhe një libër me preferenca dhe paragjykime! -
Përgëzimi im për këtë libër të botuar e trumbetuar këto javët e fundit nuk është i pasinqertë. Është i vërtetë. Sepse e kuptoj fort mirë ç’do të thotë për një autor të shohë të botuar një vepër të vetën. E kuptoj punën, kohën e shpenzuar mbi dorëshkrimin, punim apo ripunim, heqje e ndreqje etj. Është një pjesë e Autorit që jeton me veprën e tij deri sa e sheh të lindë e të bëjë rrugën e tij, si një fëmijë ndofta. Pra e vlerësoj shumë punën e bërë, sidomos kur libri ka një vlerë për kulturën, për shoqërinë, është i dobishëm apo shumë i dobishëm. Edhe puna e mundi i Rudina Xhungës për këtë përmbledhje kanë të gjithë respektin tim, pa asnjë mëdyshje. Por kjo nuk do të thotë që patjetër duhet të kem të njëjtin mendim me autoren apo me botuesin, apo me të tjerë duartrokitës të vëllimit! Sipas meje është një libër i nxituar. Kur them këtë, mendoj që me pak më shumë durim e punë, me më shumë bashkëpunim e këshillime, me siguri libri do të ishte më i mirë, ndofta shumë më i mirë.
E them këtë duke e konsideruar botimin e një libri si një akt të rëndësishëm, rezultat i një pune serioze e me qëllimin që të jetë i dobishëm për lexuesit. Mendoj se me më shumë seriozitet (më shumë se ç’duhet për një emision të radhës që harrohet sapo fillon rubrika tjetër), libri duhet të ishte siç e meriton lexuesi që pret më shumë nga znj. Xhunga, gazetare mjaft e njohur, jo prej pak vitesh. Duke lënë mënjanë zhurmën e poftën që shoqëroi daljen e paralajmëruar të librit “Shkrimtarët e shekullit”, mendimi i parë që të vjen kur librin e ke në dorë, është: cilat kanë qenë kriteret për të intervistuar këta dhe jo të tjerë shkrimtarë? Të rastësishme? Të diktuara nga përkthimi dhe botimi i tyre në shqip? Të mbështetura në opinione specialistësh? Po atëherë a e ka autorja përgatitjen e duhur dhe të drejtën që të rendisë dhe t’i paraqesë lexuesit një libër Shkrimtarët e Shekullit? Sipas meje, nuk e ka. Jo thjesht dhe vetëm për titullin pretencioz e komercial: “Shkrimtarët e shekullit. Intervista në bibliotekën e botës”(?!). Kjo përmbledhje dëshmon që Autorja nuk e ka përgatitjen teorike dhe informacionin e duhur për të bërë të tilla klasifikime. Zakonisht klasifikimet e mëdha, klasifikimet e rëndësishme i bëjnë institucionet e specializuara, personalitete të spikatura të fushave të caktuara. Institute, gazeta apo revista të njohura letrare apo shkencore, apo sportive, organizojnë juri profesionale, të cilat me shumë kujdes bëjnë anketime dhe marrin edhe opinione të specialistëve seriozë. Dhe sigurisht që kjo është rruga më e mirë. Është një befasi jo fort e këndshme kur shikon që nën një titull kaq bombastik mblidhen bashkë pa asnjë lloj kriteri (duke mos folur për marketingun), fare pak autorë të mëdhenj, disa autorë mesatarë dhe të tjerë fare të parëndësishëm e pothuajse të panjohur.
Dhe ç’është më e rëndësishmja, një pjesë e tyre nuk janë fare shkrimtarë, gjë që e rrëzon titullin, nuk janë as shkrimtarë dhe jo më Shkrimtarë të shekullit! Pa folur për një anë teknike: të cilit shekull, të atij që lamë pas apo të këtij ku kemi hyrë? Këto i them duke menduar të flasim me seriozitet për një libër serioz, por në qoftë se pastaj do të flasim për një libër të radhës, atëherë të kalojmë tutje. Një libër që ka shumë të vërteta dhe shumë të pavërteta. Problemi është që zhurma, sidomos ajo mediatike, krijon ndonjëherë efekte të rrema mbi vlerat. Para disa ditësh, një gazetar i ri, fliste në emisionin mëngjesor për këtë libër, për “peshën” e autorëve të Xhungës në letërsinë botërore! Entuziasti (që nuk la pa përmendur qejfin e festës dhe verën që do pinin në ceremoninë e darkës, dashurinë e madhe që kishte për autoren e botuesen(?!), nuk e dinte që mjaft prej atyre autorëve nuk kanë peshë, jo në letërsinë botërore, por as në letërsinë e vendeve të tyre. Sigurisht janë në këtë libër disa emra të shquar që mund të përfshihen në shumë lloj klasifikimesh e vlerash, si A. Oz, D.
Grossman, Pamuk, Lesing, S. Rushdie apo dhe ndonjë tjetër, por edhe ka shumë që e rrëzojnë krejtësisht titullin “Shkrimtarët e shekullit”. Ka mjaft shkrimtarë mesatarë, ashtu sikurse të tjerë të diskutueshëm për vlerat letrare. Por kur mbërrin tek autorë fare minorë, krejt të parëndësishëm për lexuesin dhe për letërsinë e vendeve të tyre, si A. Signorili, apo qofshin edhe autorë premtues si N. Amaniti apo si P. Xhordano, që para pak kohësh botoi librin e tij të dytë, mendon që autorja dhe ndofta dhe botuesja, duhet ta dinin që janë të tjerë ata që konsiderohen në këto vende “Shkrimtarët e shekullit”. Jam i sigurt që edhe Daria Bignardit, ndofta do t’i përkëdhelet sedra, por si gazetare e mprehtë që është, do të befasohet kur t’i thonë që Xhunga e ka nominuar Shkrimtare e Shekullit!? Për t’u kthyer tek libri me 29 autorët e Xhungës, po i quaj autorë se shumë prej tyre nuk janë shkrimtarë, ka prej tyre gazetarë, historianë, sociologë etj, por jo shkrimtarë, dua të them që besoj vërtet, madje jam i sigurt, që Xhunga di ta bëjë dallimin midis një shkrimtari dhe një gazetari, midis një shkrimtari dhe një historiani apo sociologu! Por nga nxitimi apo entuziazmi apo vrulli i marketingut, ajo i përzien të gjithë në një zë. Gabim që e komprometon librin, por që mund të korrigjohet duke ndërruar kopertinën bashkë me titullin. Gjëra që ndodhin. Autorja do të kishte të gjithë të drejtën e botës të zgjidhte autorët që do, të mos pyeste dhe as këshillohej me njohës të mirë të librit apo të letërsisë që janë të shumtë dhe Xhunga i njeh, nëse nuk do t’i përcillte lexuesit informacione të dyshimta me klasifikimet e veta. Por e keqja e kësaj liste nuk qëndron thjesht tek libri në fjalë.
E keqja e kësaj liste fillon tek emisioni. Nëse emisionin e trajton siç u shpreh Xhunga “si shtëpinë e vet”, bukuri, kur e bën këtë për të treguar dashurinë dhe përkujdesjen, përkushtimin e të tjera! Por kjo shtëpi nuk është jotja, është e një televizioni kombëtar, ku të gjithë kanë të drejtë të dëgjojnë për vlera të vërteta! Dhe unë mendoj: pse nuk është në listën e emisioneve apo të librit në fjalë Ismail Kadareja? (nuk është ftuar apo mos ndofta ai nuk ka pranuar të përfshihet në këtë radhë autorësh?!) A meriton Kadareja të quhet shkrimtar i shekullit, madje i dy shekujve që pasojnë njëri-tjetrin? Pse nuk është i madhi Umberto Eco që ka të paktën 9 libra në gjuhën shqipe; pse nuk është M. Kundera, aq shumë i pëlqyer nga lexuesit shqiptarë; pse nuk është C. R. Zafon, romancieri i mrekullueshëm spanjoll? Përgjigja është fare e thjeshtë: motivi kryesor janë preferencat personale, paragjykimet. Kush i ka botuar dhe kush i ka përkthyer, janë, me sa shihet dhe fatkeqësisht për lexuesit, motive përzgjedhëse të Xhungës. Mungesa e pavarësisë dhe paracaktimi, qëllim i ngushtë për të marketuar produkte të paracaktuara, kjo pa dyshim e dëmton shumë emisionin televiziv, kjo e dëmton edhe librin që i propozohet lexuesit. Dhe Autorja më çudit me mllefin e saj provincial, ruajtur prej gati 2 vitesh, aq sa në intervistën e saj në TV sajon edhe fjalë të paqena dhe opinione të pavërteta. Për një autor mesatar holandez, pjesë të emisionit të vet, ajo më citon sikur unë qenkam shprehur: “Kjo gazetare që interviston autorë homoseksualë”. Nga unë nuk ka dalë as kjo frazë, as ndonjë e ngjashme me të. Jo se jam ndonjë luftëtar i paepur i lirisë së orientimit seksual, por ato shprehje që thotë Xhunga nuk bëjnë pjesë në sintaksën time. Në një shkrim të nëntorit 2012 të titulluar “Padija, Qoka dhe Marketingu” shtrova disa probleme të raporteve të medias me librin, dhe ndër të tjera e citova (për delikatesë, pa e përmendur zonjën R. Xhunga, por edhe për respekt të TV të njohur) si një shembull marketingu të hapur, por jo të vlerave letrare.
Dhe për rekomandimin qesharak që kishte bërë Xhunga në emisionin e saj për autorin Arthur Japin duke e quajtur si shkrimtarin më të madh holandez, unë vetëm shkrova që ky shkrimtar nuk listohet as në 30 autorët më të njohur në letërsinë holandeze. Dhe bëja pyetjen: “Pse gazetarja na e rekomandon me kaq ngulm këtë autor? Nga padija? Po vallë nga padija gazetarja na i rekomandon lexuesit autorë mesatarë apo jo mesatarë? … A dëmtohet lexuesi? Patjetër që po, kur orientohet në rrugën e gabuar që vjen nga Padija, apo kur atë duan ta gënjejnë në emër të Qokës. Madje atë e gënjejnë edhe në emër të një TV të njohur.” Këto kam shkruar dhe siç thashë, pa e përmendur fare emrin e Xhungës, që ajo e ka pasur të lehtë ta gjejë, sepse këto janë disa tipare të punës së saj në propagandimin e librit. Mendoj se media serioze ku punon znj. Xhunga, një TV kombëtar me shumë kontribute pozitive, duhet të jetë i hapur për të gjithë, jo vetëm për miqtë. Në intervistën e para pak ditëve Xhunga u ankua që prej njerëzve të librave nuk ka marrë asnjëherë urime. Mos vallë duhet ta gjejë arsyen tek vetja për këtë fakt?
Mos vallë është e përciptë në punën e saj me librin? Dhe pyetjes së gazetares se si shpjegohet kjo, nuk i jep përgjigje. Sigurisht që unë s’kam qenë në ceremoninë e këtij libri, sepse s’kisha pse të isha, ashtu si shumë kolegë të tjerë të mi, e para sepse nuk kemi qenë të ftuar në sfilatën promovuese. Ndofta një titull tjetër mund ta kishte shpëtuar përgjysmë librin, e ndofta edhe unë nuk do i hidhja këto radhë, për të cilat kam qenë në dyzim. Dhe duke e mbyllur këtë përsiatje mendoj për këtë zeje të vështirë (në Shqipërinë tonë të gjorë) që mund ta quajmë shqip botimtari (?). Çfarë nuk u japim lexuesve tanë, të njoma e të thata. Jemi të gjithë përgjegjës. Por a duhet vazhdimisht të pranojmë që lexuesit të bien viktimë e tallavasë dhe e borive?!