Qeveria britanike ka urdhëruar një skemë të re sigurie, e cila autorizon përgjimin total të të gjithë qytetarëve në celularë, telefona fiks, mesazhe të shkëmbyer, e-mail, rrjetet sociale Facebook e Twitter dhe faqet e internetit që mund të vizitohen. Këto informacione do të ruhen në një data-bazë të veçantë për një vit, së bashku me orientimin gjeografik të tyre. Projekti është pjesë e luftës antiterror. Të dhënat që do të ruhen, nuk përfshijnë përmbajtjen e bisedave telefonike, SMS-ve apo e-maileve, por numrin e tyre dhe adresat e personave të cilëve u janë drejtuar apo pranuar. Lajmi i publikuar nga “Daily Mail” ka ngritur shqetësime në të gjithë Britaninë, madje shumë kanë nisur të bëjnë krahasime me kufizimet që janë vendosur nga qeveritë në Iran apo Siri. Shqetësimet janë shtuar edhe për ndërhyrjen e hakerëve në këto materiale.