Kancelarja gjermane Angela Merkel, gjatë një interviste për televizionin vendas “ARD” është pyetur edhe për lajmet se shërbimi inteligjent i Gjermanisë “BND”, ka përgjuar Shqipërinë dhe Turqinë. Merkel ka refuzuar të përgjigjet duke u shprehur se i duhen detaje për këtë çështje dhe natyrën e aktivitetit të BND-së
“Së pari duket të kuptoni hezitimin tonë. Na duhen detaje për natyrën e aktivitetit të BND-së. Nuk mund të flas”, ka thënë Merkel.
Gazetari i ka kujtuar gjithashtu deklaratën e saj gjatë kohës kur kishte shpërthyer skandali i përgjimit të Gjermanisë nga ana e SHBA-së, se “përgjimi mes miqve nuk është i pranueshëm”, duke shtuar se tashmë Berlini po përgjon dy aleatë të NATO-s, Turqinë dhe Shqipërinë.
Merkel është përgjigjur se ajo deklaratë ishte në kontekstin e një premtimi. “Përgjimi mes miqsh është i papranueshëm lidhur me SHBA-të ishte në kontekstin e një premtimi. Ky kontekst është i rëndësishëm”, tha Merkel.
Nga qeveria shqiptare nuk ka ende asnjë reagim zyrtarë për sa i përket çështjes së përgjimit nga shërbimet gjermane, ndërsa ministria e Jashtme e Turqisë thërriti në një takim ambasadorin gjerman në Ankara duke deklaruar se sjellje të tilla nuk do të tolerohen.