Perjetime dhe portrete shqiptaresh ne mergim

Nuk gjejnë pushim vulat në Shqipëri! Bjerë e kërcit, mbi dokumente që paguhen kripur: bamp, mbi çertifikata, bump, mbi raporte mjekësh, bamp, mbi pasaporta, bump, mbi vendime gjyqi, bamp, mbi diploma, bump, mbi vërtetime përndjekjesh! Të vjen keq, bre, për tërë ata, që vite me radhë, kanë shtrydhur trutë mbi provime. Të këputet shpirti, për tërë ata, që kanë vojtur prapa hekurave të burgut. Bile, ca e ca, me oreks më të madh, kanë dhe dipllomë dhe vërtetime që kanë qenë tridhjetë vjet në burg. E nuk e kanë llogaritur hiç se nuk u dalin vjetët. Sikur e kanë bërë shkollën pa shkëputje nga burgu, o në p… të s’ëmës! Të huajtë, që presin shqiptarë, tashi e kanë mendjen top, se vendi ynë i bekuarë, banorët mbi tridhjetë vjeç i ka me universitet, kurse ç’ka mbi dyzet vjet e përpjetë, i ka të tërë të kalbur nëpër burgjet e komunizmit!
Vetëm për Ziken kushedi sa vula janë ngjeshur përmbi shkresa!..
Që kur erdhi këtu, Zikja erdhi i gënjeshtërt! Kish akoma në vesh këngët e dasmës me Milkën, kur i qe bashkuarë grupit të një këngëtari tjetër, që po gatitej të hidhej në Amerikë. Nuk e sjell dot në hatër tashi, se cili këngëtar ish ky, që shqiptarët e mërguarë, mezi po prisnin. Ai do të këndonte, kurse Zikja me dy të tjerë, prapa tij, do bënin la-la-la, vënde-vënde, në mes të këngës. E tërë kënga ish e bërë mbi shirit dhe do buçiste për bukuri, daç të ishin prapa këngëtarit orkestra me ata të la-la-lasë, daç të mos ishin! Të tërë orkestrantët bënin sikur u frynin veglave. Ca prej tyre i shikonin për herë të parë veglat që kishin nëpër duar e bile në fillim mezi e gjetën se nga t’u frynin.
Nuk i dilnin paratë, pa edhe Milkën, do ta kish marrë Zikja në atë grup. Edhe ata dy të tjerët, që bënin la-la-la, si Zikja, për të zënë një vend në këtë grup muzikantësh që nisej për Nju Jork, kishin paguarë goxha para. Ai që bënte la-la-la, më të djathtë të Zikes, vinte të kërkonte gjurmët e gjyshit. Ai tjetri, nga Veriu, kish hyrë në treshen e la-la-lave, meqë e ndiqte policia. Pat bërë një gjakmarrje ai. E kish goditur, por veç sa e pat plagosur hasmin. E kërkonin në Shqipëri, po aha! Do bënte la-la-la, sa të mbaronte shfaqjet e pastaj do të çalltiste të gjente anën për të bërë dokumentet e qëndrimit.
Këtë do bënte edhe Zikja, po ndryshe nga të tjerët, ai e kish mëndjen e fjetur, se kish Nikollaqin, kushuri i parë nga nëna, që mbante hapur një restorant me kuzhinë italane, në Bruklin. Nikollaqi edhe gruanë e kish italane. Silvia ish pesë vjet më e moshuarë pe Nikollaqit. Ish zonjë grua, pak harraqe, po me zemrën flori. Ajo rrinte shtrirë tërë ditën, dyke lexuarë libra dhe bënte pushim vetëm kur kish për të lexuarë ndonjë gazetë. Nuku kishin patur fëmijë për faj të Silvias, por Nikollaqi e kish marrë mbi vete përgjegjësinë dhe kjo ia kish shtuarë italankës dashurinë.
Siç kish Ziken, Nikollaqi numëronte një bataljon me kushurinj. Por ky shoku im kish meritën, që zbarkoi i pari në restorantin “Aroma”. Më vonë erdhë një nga një e dy e nga tre, edhe të tjerët. Dhe iu ngjitnë Nikollaqit, siç mblidhen bletët xhumbë, në cung të qershisë. Nikollaqi qe i mençmë, se me buzë të qeshur, i largoi të tërë e mbajti vetëm të parin, Ziken, që ata të mos thoshin dot, se kushuriri i vjetër nuku pyeste për rrënjët e tij. I dha Zikes një zgëq për të fjetur, aty në restorant, e vuri të lajë pjata dhe kjo qe e pyetura për rrënjët.
Këtu fillon zinxhiri i përpjekjeve për të lidhur me ligj kapistrën e Zikes në hallkat e Amerikës. Po edhe pse më i vjetër edhe më i hershëm, se mos i jepte dot udhë Nikollaqi! Pajtuanë avokatë, vërtit andej, vërtit këtej, aha! Njëri pe avokatëve e këshilloi kushon e vjetër të thosh, se i duhej një kuzhinjer gjellësh etnike, nga viset arbërore, fjala vjen, një usta i piperkave të mbushura, apo i kungulleshkave me kos. Ashtu e bënë kërkesën. Për këtë, vuuu, Zikes nga Shqipëria, i erdhën dhjetëra dekorime, diplloma e çertifikata të fituara në panaire kombëtare. Të tëra me vula pe vërteti! I sollën avokatit edhe një gazetë, me një alamet kritike kundër Ministrisë të Turizmit, që paskësh lejuar largimin jashtë kufijve të një kuzhinjeri, që ish një nga vlerat e rralla të mbetura atij kombi, pas përmbysjeve të mëdha… Nuk ia pranuanë, se restoranti më parë, duhej ta kish afishuarë kërkesën nëpër gazeta. E kundërshtoi vendimin avokati, por autoritetet e emigracionit nuku hanin pykë. Si duket, ata ia kishin vënë kryqin pronarit të “Aromës”, se ky, fakiri, pat harruarë, që Ziken ua pat kërkuar njëherë edhe si pjatalarës!
Edhe Silvia pati një shkrep drite në mendjen e saj të shashërdisur dhe tha, se meqë nuku kishin fëmijë, ta bënin Ziken bir për shpirt. Miqtë i çkëshilluanë menjëherë: ata që birësoheshin, duhet të ishin ose bebe, ose të posangritur më këmbë. E nga këto cilësi, Zikja kish vetëm të dytën, por edhe kjo kish ndodhur dyzet vjet më parë.
Ndërkaqë, kushurinjtë e tjerë, kush me llotari, kush me ndihma të mënçura, ishin pajisur me dokumente dhe kishin sjellë familjet, mirë e bukur. Kjo e bënte të vuajë Ziken. Po ama, ca më tepër e bënte të vuajë Nikollaqin. Kish sedër, bre!
- Ç’thua ti, Nikollaq - e pleqësoi një mëngjes Zikja, që çdo ditë mendonte nga një plan të ri. - Sikur ta provojmë, të martohem me tëtë shoqe, zonjën Silvia?
Ky plan e gjeti kushon e vjetër të ngrohur. Nikollaqi e kish marrë sakaqë për zemër këtë udhë të re dhe thirri Silvian.
Përse duhet ta bëjmë këtë? – kish pyetur Silvia dyke thyerë fletën e librit që
kish në dorë.
Për Ziken, moj e ëmbla ime! Ti do ndahesh me mua e pas ca kohësh do
martohesh me të. Ai kështu fiton dokumentet amerikanë!
Zonja kish rënë në mendime, sa ç’ mund të bjerë në to, një e rrjedhur. I shoqi ia shpjegoi, se kjo ide ish e Zikes, por këto dhelpërira nuku do ndryshonin asgjë. Veprimet do të ishin veç formale e martesa me Ziken do të qe vetëm në letër. Silvia në fillim, kish pyetur kush qe ky, Zikja, pastaj qe habitur, që ai nuku kish akoma dokumente. I kishin ndritur sytë pe dhelpre, plakës e kish rënë dakord menjëherë për martesë.
Po, ia ke bërë të qartë Zikes, që unë nuku bëj fëmijë? – kish pyetur tërë merak
zonja.
Është martesë në letër, shpirt!
As në letër nuku bëj fëmijë, unë! - paskësh thënë ajo.
Nikollaqi kish ngritur sytë nga qielli e ia shpegoi edhe një herë.
Kështu u bë. Tërë përçapjet e gjykatësit për të bindur çiftin e thinjoshëve, të
mos e shqelmonin martesën e vjetër, kishin vajtur kot. U divorcuanë. Në krye të gjashtë muajve, pastaj, gruaja kish njoftuarë, se do martohej me një mik të sajin, njëzetetetë vjet më të ri. Martesa me Ziken u bë ca më me zor, por edhe kjo u arrit. Punë goxha e fisme! Pleqtë vazhdonin e flinin tok në krevatin e tyre me dru qershie, teksa Zikja, mblidhej në zgëqin, në cep të restorantit, duke lumturuarë, se pjesa e parë e planit kish vajtur vaj, tashi fillonte e dyta dhe Milka nuku do vononte të linte Beratin e t’i bashkohej të shoqit, në Bruklin.
Dhe ndodhi tamam kështu. Nikollaqi, beqar në letër, bëri një udhëtim prekës në mëmëdhe.
Përveç shpluhurosjes së kujtimeve, Nikollaqi thosh lart e poshtë, se pat ardhur në atdhe të gjente një nuse. E ndiente veten akoma të ri, gjashtëdhjetë e gjashtë vjet, lule e pjekurisë dhe desh një grua nga vendi i tij i dashur. Nuku qe e domosdoshme, që ajo të ish fare e pamartuarë, se ai vetë, përshembull, e pat provuarë martesën me një italankë, por nuk e pat arritur dot lumturinë. Më pas, ai rrëfeu, se e kish gjetur njeriun, që kërkonte: një femër nga Berati, me një emër pe qumështi, Milkë. Ajo sapo qe divorcuarë nga një maskara, që e paskësh lënë, akoma pa larë çarçafët e parë të dasmës dhe kish ikur nga sytë këmbët! Po edhe kur po nxirrte dokumentet për martesën, Nikollaqit vazhduanë t’ia merrnin firomën kandidatkat. E mbytnë! Hoteli nuku gjente rehat nga femrat. Të reja, të vjetra, të holla, të trasha. Bile, të trasha kish më shumë, se thoshin që kishin tipare më amerikane. Hoteli kundërmonte nga tërë kremrat e tezgave të Evropës.
Jo, jo. Nikollaqi mbeti te ajo, që i kish vënë syrin, te Milka. Erdhi sëra e vulave. Këto zgjatën ca: më pak nga Shqipëria e më shumë nga Amerika, por, vulat e bënë punën dhe atje dhe këtu! Kushoja i vjetër zbriti edhe një herë të dytë në Shqipëri për të marrë me vete Milkën, që t’ia sillte Zikes, që po e priste me drithërimë.
Atë ditë që do zbrisnin në Kennedi, unë e Zikja shkuamë me limuzinë, që të merrnim për në aeroport edhe zonjën Silvia. Ajo na dolli me libër në dorë. Nuk e njohu prapë Ziken dhe ky e shfajësoi, se nuku qenë parë, që kur kishin vënë kurrorë. E muarmë zonjën e nxituamë, se mos na dilnin më parë pasagjerët.
Zikja i shkretë qau disa herë. Dhe në sallë lëvrinte i tëri nga padurimi. Aeroplani nuku po vinte. Kishim frikë mos na rraskapitej Silvia, por ajo nuku i ndante sytë nga libri dhe dukej në formë të mirë. Plaka kërceu e gëzuarë, kur u njoftua se aeropllani kish zënë dhe. Fytyra i ndriste.
Me cilin nga juve jam martuarë, se ju ngatërroj? – na pyeti e gjora.
- Me Ziken, - u hoqa mënjanë unë.
Me mua – ia bëri Zikja.
Hajde, të të uroj, - shfryu me kënaqësi gruaja dhe e përqafoi. Pastaj ngriti
gishtin e madh kas përpjetë, ia shkeli syrin Zikes dhe i tha: - Bingo! Ia hodhmë Presidentit të Shteteve të Bashkuara!
Atëças dolli Nikollaqi me Milkën duke shtyrë karrocën me plaçka. Përqafime, të
puthura, lotë. Pleqtë ishin më të mallosur, oreee! Ashtu, grup, unë u bëra ca fotografi dhe prapa aparatit qeshja me vete, ngaqë nuk e përmblidhja dot, se çfarë binin tashi njëri me tjetrin, ata katër njerëz, që unë u hidhja përsipër me aparat plluska drite dhe pas pak do flinin me njëri tjetrin siç duhej e jo si thoshin vulat.
Kjo histori mbaroi mirë e bukur kështu, kur, pas ca javësh, më vjen Zike gomari, e ma plas, si hiçmosgjë:
Peço, vuajtkat e dymbëdhjetë vjetëve nuku paskan qenë gjë hiç! Ai kushuriri
im, po lëpin buzët për time shoqe. Do t’ia gjej anën e do ta vras!...
Kundërmonte alkol! T’ëmën! Ke parë ti?! E kish nga malli a nga ndarja e
gjatë, një Zot e dinte!
E zura nga supet dhe e shkunda.
- Mblidhe veten, hajvan! – i thashë. – Mos bëj marrëzira, se të vraç një njeri, të venë në karrige, këta!
- Nuku pyes për karrige! – ia bëri ai, dyke fshirë qurret me kurriz të dorës.
- Është elektrike ore, pa për karrige nuku pyet asnjëri pe neve! Edhe këtu, nuku pritet korrenti kurrë, de!
Pastaj m’u kujtua dhe i ulërita:
Po si do ta vraç, mor t’u mbylltë e mëndjes! Edhe sikur të mos ishte dyshim
pe budallai ky i yti, ti nuku ke të drejtë! Milkën, Nikollaqi e ka grua me kurrorë!
Me këtë sikur ia preva vrullin dhe mëndjeshkrepjet pe kukumjaçke. Po ai u hodh i
egërsuarë më shumë e tha:
Ashtu?! E po atëhere mbaroi ajo punë! E vrava! E kam më kollaj ta ze në
krevat me Silvian! Dhe Silvian, me kurrorë e kam unë!
Tërë këto kohë ia kam patur frikën, hajvanit. Mezi e binda, që me marifet të largohej nga restoranti e të vinte me banim këtej, afër meje, gjersa të vijë koha të divorcohen e të marrë prapë secili gruan e tij! Kohëra të ngatërruara!..


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama