Perkedheljet e nenes e bejne femijen me te forte kur rritet

Perkedheljet e nenes e bejne femijen me te forte kur rritet
Dashuria e nënës është një armë shumë e rëndësishme për t’u rritur të shëndetshëm dhe për të përballuar tensionet e përditshme, për të pasur më shumë siguri në vetvete, për të qenë më pak të depresionuar dhe armiqësorë. Lidhja e dashurisë fillon që në bark të nënës. Por kujdes, mos adaptoni një stil të gabuar jetese, sepse kjo mund t’ju shkatërrojë gjithçka

Tension, ankth, nevrikosje, ndryshime të humorit. Të gjithë këta elementë përmblidhen me një fjalë të vetme: stres. Sot stresi është një nga problemet parësorë, që prek shtatë në dhjetë persona. Ky të paktën është përfundimi i një studimi të fundit të universitetit “La Sapienza” të Romës kundër stresit. Prej kohësh shkenca po bën qindra studime për të kuptuar se cila është mënyra më e mirë për ta luftuar këtë fenomen. “Finnish forest research institute of Metla” në Finlandë thekson se stresi luftohet me një shëtitje në fshat ose mal. Mos u çudisni. Merita është e ambientit të gjelbër, i vetmi që është në gjendje të ulë tensionin, të rregullojë humorin, të reduktojë inatin dhe agresivitetin, duke i bërë njerëzit më të lumtur. Efektet pozitive ndikojnë edhe në sistemin imunitar: rritet sasia dhe aktiviteti i qelizave të ashtuquajtura “natural killer”, pra qelizat që janë të afta të vrasin qelizat kanceroze, pa llogaritur pastaj të mirat ndaj zemrës dhe muskujve.

Një studim i ri, i publikuar te “Journal of Epidemiology and Community Health”, i është rikthyer edhe një herë temës së stresit, duke përfshirë në këtë mes edhe nënat. Sipas studiuesve, aftësia për t’i rezistuar stresit në moshë të madhe është e lidhur ngushtë me sasinë e dashurisë që një individ merr në muajt e parë të jetës. Me fjalë të tjera, përkëdheljet janë një armë shumë e rëndësishme mbrojtjeje, në mënyrë që kur të rritemi të jemi të aftë t’u rezistojmë tensioneve të përditshme, për të pasur më shumë siguri në vetvete dhe për të qenë më pak të depresionuar dhe armiqësorë.

Për të arritur te këto përfundime, një studiuese nga universiteti “Duke” në Karolinën e Veriut ka përzgjedhur 482 foshnja dhe i ka ndjekur gjatë rritjes deri sa kanë mbushur 34 vjeç. Psikologët kanë përcaktuar shkallën e dashurisë amësore kur fëmija ishte vetëm tetë muajsh. Pas disa vitesh, me po ata pyetësorë matën nivelin e shëndetit psikologjik të këtyre fëmijëve, tashmë të rritur. Nga studimi u vu re se fëmijët që kanë marrë më shumë përkëdhelje nga nënat kur kanë qenë të vegjël, janë bërë adultë të fortë, të aftë për të përballuar stresin e përditshëm. Këta persona shfaqnin nivele të ankthit shtatë herë më pak se bashkëmoshatarët e tyre, nënat e të cilëve nuk u kishin falur aq shumë dashuri. Pra, dashuria e nënës është një burim jetësor për t’u rritur të fortë dhe për ta përballuar jetën.

“Një marrëdhënie e mirë me nënën është shumë e rëndësishme për rritjen e një fëmije të shëndetshëm, mjafton që lidhja të fillojë kur foshnja është ende në bark. Një sjellje e ëmbël dhe miqësore e bën fëmijën më pak të ndjeshëm, e forcon dhe e çliron nga ankthi që shpesh herë shkakton stres”, pohon një psikiatre.

Në këtë rast i jepet të drejtë “epigjenetikës”: jo të gjitha karakteret e trashëguara nga prindërit varen nga ADN-ja. Për këtë arsye është e rëndësishme që periudha e shtatzënisë të kalohet në qetësi dhe lumturi. “Efektet e dobishme te fëmija nuk përfshijnë vetëm shëndetin psikologjik, por edhe atë fizik. Disa studime të kohëve të fundit sugjerojnë se një marrëdhënie e mirë me prindërit gjatë muajve të parë të jetës e mbron fëmijën nga diabeti dhe alergjitë”, thotë psikiatrja.

Duhet theksuar se përkëdheljet e nënës duhet të jenë të vazhdueshme, jo vetëm kur fëmija rritet. “Sot marrim mijëra stimuj, prandaj jemi edhe më të dobët ndaj abuzimeve, duhanit, alkoolit, ushqehemi keq, vuajmë nga pagjumësia. Të gjithë këta faktorë ndikojnë në stresimin e trupit. Kështu, një nënë që i është përkushtuar me mish e me shpirt foshnjës së saj, mund ta fitojë lehtësisht këtë betejë”, shton psikiatrja.

Sinjalet e një fëmije jo të lumtur janë të dukshme: fëmija është i lodhur, i heshtur, nuk ha shumë, nuk përfshihet në mënyrë spontane në lojë me fëmijët e tjerë, nuk luan, nuk pyet, nuk qesh, flet shumë pak. Nëse keni një fëmijë të turpshëm ose të mbyllur që nuk qesh ose ndërvepron shumë, kjo nuk do të thotë që ai nuk është i lumtur. Të qenit i turpshëm është ndryshe nga të qenit i mërzitur, por duhet shumë kujdes për t’i dalluar këto sinjale. Duhet të jeni të vëmendshëm për të dalluar ndryshimet madhore në sjelljen e tij. Kur fëmija izolohet ose është i frikësuar, kjo mund të jetë një shenjë që ai ka probleme dhe ju duhet t’i kushtoni vëmendje.

Studiuesit kanë identifikuar nëntë sinjale të lindura që fëmijët përdorin për të komunikuar ndjesitë e tyre. Prindërit mund t’i kuptojnë lehtë këto sinjale. Sinjalet negative që shfaqen te një fëmijë jo i lumtur janë stresi, zemërimi dhe frika. Shumica e prindërve e kuptojnë se një fëmijë që mërzitet lehtësisht dhe është i frikësuar, nuk është i lumtur, por kërkimet më të fundit shprehen se shumica e prindërve nuk e kuptojnë se një fëmijë i zemëruar është duke shprehur trishtim. Pavarësisht moshës, zemërimi është thjesht një shfaqje e dukshme e stresit.

Çdo fëmijë ka një mënyrë për të treguar se po kalon një periudhë të vështirë. Shumë fëmijë mund të shfaqin kapitje ose shpërthime të çastit, ndërsa të tjerët mund të bëhen “të ngjitshëm”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama