Perkthimi si krijim

Perkthimi si krijim
Meqë në dallimin midis gjuhës dhe autorësisë fiton e para, një problem tjetër për objektin e historisë letrare paraqesin përkthimet. Ndikimi i tyre në formimin artistik të krijuesve nuk është aspak më i vogël se ndikimi i veprave të autorëve vendas. Një poezi e përkthyer në shqip, sidomos kur ka ardhur me një organizim të theksuar gjuhësor, bën jetën e vet brenda kulturës kombëtare: e pasuron atë me mjete shprehëse e të efektshme.

Edhe në kulturat e mëdha thuhet shpesh se çdo valë e re poetike stimulohet nga përkthimet. Në raport me poezinë e kulturave dhe gjuhëve të mëdha, poezia shqipe është marrëse, sepse ajo nuk ka arritur t’i japë botës ndonjë emër të madh të poezisë, me gjithë vlerat e krijuara në qarkun e vet gjuhësor. Poezia shqipe, përveç kontaktit me artin oral, është zhvilluar nga kontaktet që ka pasur me poezinë e gjuhëve të mëdha, të Lindjes e të Perëndimit. Që herët, nga poetët e teoricienët u pa e nevojshme që disiplinat retorike e stilistike të përpunuara në kulturat e mëdha të natyralizoheshin edhe në kulturën tonë letrare. Që në veprën e njohur Vargenimi n’gjuhë shqype (1906) Luigj Gurakuqi shkruan: “Deri n’këto kohët e mrame vjershat t’ona kan kjenë, po thue, vetëm popullore, por sot kan nisë m’u hollue e m’u bujarësie”.

Këtë shqetësim, pra raportin e përvojave të huaja me poezinë shqipe, e ka edhe Hilë Mosi kur shkruan: “Me qitë vjersha ashtu si i qet populli – e si mjerisht për disa vjet edhe un’ – nuk asht nji send i vshtirshëm e kët mundet me e ba secili njeri qi e ka prej natyrës çmimin për me vjershëtue…”. Vetëdija se këto përvoja duhet t’u nënshtrohen cilësive të gjuhës shqipe, del te Asdreni, kur shkruan: “Dihet se sot poezia ka marrë tjetër udhë, se fatalisht nuk mundet me qëndrue në formë rigide të klasicizmit, i cili kishte për poezinë një kallëp…”.

Për të diskutuar për mënyrën se si ushqehet një kulturë nga përkthimi, mund të na shërbejnë disa përcaktime të njohura të formave të përkthimit.

1.    Përcaktim:

Përkthimi fonetik – përpiqet të rikrijojë tingujt e gjuhës së burimit në gjuhën që përkthehet. Në të njëjtën kohë, përkthyesi përpiqet të transferojë edhe kuptimin. Në përgjithësi, rezultati tingëllon jo optimal dhe nganjëherë mund të humbasë disa pjesë të kuptimit të origjinalit.

Diskutim:

Ky përkthim zgjon vëmendjen për probleme reale të krijimit të poezisë, duke i mëshuar idesë së rëndësisë së organizimit tingëllor në poezi, për të arritur vlera të qëndrueshme nga pikëpamja fonike. Një poezi të tillë e kanë krijuar me sukses Jul Variboba, Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Ali Asllani, Noli, Poradeci etj. Krijimet e tyre e tejkalojnë ndikimin e pikëpamjes fonike nga folklori, duke na ngjallur diskutime për raportin me poezitë e lexuara apo përkthyera nga gjuhët që njihnin.

2.    Përcaktim:

Përkthimi literal (i fjalëpërfjalshëm) – nuk ka aftësinë të transferojë kuptimin e origjinalit. Fraza dhe struktura e fjalisë priren të humbasin në gjuhën që përkthehet.

Diskutim:

Në këtë mënyrë përkthimi do ta pranonim vetëm ndonjë ndikim të cekët, për sa i përket njohjes së poezisë së një vendi tjetër, më tepër nga pikëpamja e përmbajtjes dhe tematikës. Prej kësaj forme përkthimi mund të mësojnë vetëm ata që mund të shikojnë përtej asaj që duket: poetët me njohje të thellë të retorikës e stilistikës së përgjithshme.

3.    Përcaktim:

Përkthimi metrik – i mëshon riprodhimit të metrit të origjinalit në gjuhën që përkthehet. Ngaqë çdo gjuhë ka theksa dhe shqiptim të veçantë, kjo metodë do të rezultojë në një përkthim të përafërt në pikëpamje të kuptimit dhe strukturës.

Diskutim:

Do ta pranonim si një kontribut nga pikëpamja ushtrimore, e pasurimit ose e stabilizimit të formave të caktuara poetike. Sidomos kur kjo punë bie në dorë të mjeshtërve. Bien në sy shqipërimet e Fan Nolit, por edhe të të tjerëve – si Ndre Mjeda e Lasgush Poradeci. Nga kjo formë përkthimi, poezia shqipe ka konsoliduar larminë e madhe të vargjeve apo modeleve të pashlyeshme të tyre, si atë rubaian të Nolit, njëmbëdhjetërrokëshin e zgjidhur të futur nga Xanoni dhe të kultivuar nga Thaçi e Fishta. Rexhep Ismajli pranon për Nolin se: “Përkthimet e tij më të mira në të vërtetë janë rikrijime, e pikërisht për këtë shkak edhe më të suksesshmet në kulturën tonë”, por vazhdon se: “Pohimi i Qosjes: “Të gjithë shkrimtarët që i ka përkthyer i janë përkulur vullnetit të tij të çelniktë dhe kanë folur shqip gati poashtu bukur, siç kanë folur edhe në gjuhët e tyre origjinale” ose pyetja e Shuteriqit: “Në cilën gjuhë Shekspiri foli më bukur, pas anglishtes”?, mund të jenë vetëm pasojë e entuziazmit, e pamaturisë dhe e mosnjohjes së çështjes, e kurrsesi jo e studimit të thelluar”.

Natyrisht, meriton të kujtojmë se çfarë mendonte vetë Noli për këtë punë. Ai i thotë një përkthyesi të ri: “Merri me vete këto dy vargje dhe mendohu gjithë ditën, ngado që të vesh: në hotel, në tren, në dyshek, në rrugë, veç ki mendjen se mos të shtyp ndonjë automobil, se unë kam shpëtuar disa herë për qime”.

Dhe shton se mësuesit e tij qenë artistët e mëdhenj që ka përkthyer. Këta artistë quheshin: Shakespeare, E.A.Poe, Omar Khajam etj. Përkthyer më thjesht, Noli thotë: duhet një punë e pafund.

Kujtojmë se nga ky përkthim dalin krijimet më jetëgjata, të cilat arrijnë të bëjnë pjesë në prodhimin letrar të shqipes.

4.    Përcaktim:

Përkthimi në prozë – gjithashtu ka disa dobësi. Dobësia më e theksuar është humbja e bukurisë së origjinalit.

Diskutim:

Paul Valery shprehet se sa më shumë është një krijim në përputhje me poezinë, aq më pak mund të mendohet në prozë pa humbje. Të rimarrësh, të rishkruash në prozë një poemë, do të thotë fare thjesht të mos njohësh thelbin e një arti.

Përkthimet e bëra nga Faik Konica, sipas shkollës franceze, nuk kanë gjetur ndikim. Kjo mënyrë përkthimi, mbase, do të jetë një kërkesë e së ardhmes, kur të rrihen më në thellësi problemet e krijimit të poezisë, siç e tregon përvoja franceze, ose kur të gjykohen si të shterura ose të pamjaftueshme format e tjera të përkthimit.

Kjo mënyrë përkthimi tërheq vëmendjen për qëndrime të thella e serioze ndaj poezisë, por shpërbërja e strukturës ligjërimore mbetet problemi kyç. Sidoqoftë, Vedat Kokona shprehet: “A mund të ketë një përkthim adekuat nga një gjuhë tjetër? Anglezët dhe francezët, sidomos gjatë gjysmës së dytë të këtij shekulli, kanë hequr dorë nga përkthimi në vargje nga një gjuhë e huaj. Pas përpjekjeve që janë bërë në Francë për të përkthyer poetët e huaj në vargje të gjuhës amtare, kanë arritur në përfundimin se këto vepra të mëdha poetike duhen përkthyer në prozë poetike. Kështu Joseph Bédier përktheu në prozë “Këngën e Rolandit” (në vargje në frëngjishten e vjetër) dhe Victor Bérard “Odisenë” e Homerit. Të dyja përkthimet janë të mrekullueshme”.

5.    Përcaktim:

Përkthimi rimik – i mëshon përcjelljes së rimave të origjinalit në gjuhën që përkthehet. Rezultati do të jetë përafërsia në dukje, por humbja në semantikë.

Diskutim:

Edhe ky përkthim zgjon vëmendjen ndaj problemeve të krijimit të poezisë, por mund të ketë shërbyer edhe për sjelljen e keqkuptimeve, pasi shumë përkthime të derimësotme mund të kërkojnë variante të tjera përkthimi, duke treguar se një kohë ka një nivel dhe një pritje të caktuar për poezinë. Por në duart e mjeshtërve kjo mënyrë përkthimi mund të shënojë edhe suksese. Kur shkruan një recension për botimin e librit të Nolit, “Mall e brengë”, Kuteli thotë: Për strofën: Thuaj yjtë s’janë zjarr,/ Thuaj dielli u shua,/ Thuaj jeta është varr,/ Por mos thuaj që s’të dua./ Duhej kujtuar shqipërimi i gjith atij teksti i bërë në prozë, prej Konicës: Ki dyshim se yjtë janë zjarr;/ ki dyshim se djelli tundet;/ ki dyshim se e vërteta është gënjeshtër;/ por kurrë mos ki dyshim se të dua./ Pa fjalë se ky i fundit është më i përpiktë se i pari, po Noli e fiton luftën me sulmin e ritmit e të rimës së vet”. Si sukses shihet edhe përkthimi nolian i rubairave khajamiane. Arshi Pipa shprehet: “Rubaitë e Khajamit” kanë tashma nji vepër thuajse shqiptare nëpërmjet përkthimit magjistral të Nolit, kaq thellë kanë hy në popull, kaq bukur janë janë përshtatë me natyrën e gjuhës shqipe. “Rubaitë e Nolit” (me të drejtë mund t’i quajmë me kët emër) kan hy përgjithmonë në trupin e letërsis sonë”. Dihet se kur i lexoi albanologu Norbert Jokli rubairat noliane u shpreh se nuk dinte nëse këtyre përkthimeve ia kalonin ato të gjermanishtes e spanjishtes, që janë përkthime të dorës së parë.

Nuk mund të ngremë hipoteza se sa do të qenë të famshme rubaitë e Khajamit nëse do të kishim të bënim me së pari jo me ato të Nolit, po me ato të Hafiz Ali Korçës, tashti që jemi mësuar me të kundërtën. Është e ditur se ky i fundit i përktheu rubaitë për të vënë në vend nderin e tyre të humbur nga përkthimi i Nolit, i cili nuk i kishte përkthyer nga origjinali dhe nuk u kishte ndenjur besnik koncepteve religjioze. Nga disa pikëpamje, përkthimin e rubaisë së mëposhtme, të zgjidhur me një 12-rrokësh me cezurë, mund ta quajmë të mirë: Zere se e kreve jetën pas dëshirës, fundi çë?/ Zere se i shkove në fundit së mirës, fundi çë?/ Zere se e kape qindin si pas qejfit, fundi çë?/ Dhe një qint të tjera ta zëmë pas hires, fundi çë? Mirëpo 11-rrokëshi nolian, i pasuruar me disa përftesa stilistikore, shumë muzikale, na godet me një poetikë që duhet të përbëjë suksesin e këtyre përkthimeve. Ja, sot gas paske dhe shëndet, pastaj?/ Ja, mot të paçim si sivjet, pastaj?/ Ja, qofsh i lumtur një qind vjet, pastaj?/ Ja, për çudi dy qind si mbret, pastaj? Kjo na çon në idenë se, nëse në anglisht këto rubai janë quajtur me emrin FitzOmar, në shqip do të kishim formën FanFitzKhajam.

6.    Përcaktim:

Përkthimi në varg të lirë – injoron rimën dhe metrin, por fizikisht fitohet një pamje e ndryshme nga origjinali, si dhe ruhet semantika.

Diskutim:

Edhe ky përkthim zgjon vëmendjen ndaj problemeve të krijimit të poezisë, por mund të ketë shërbyer edhe për sjelljen e keqkuptimeve, të cilat, po të shikojmë me kujdes, mund t’i konstatojmë me lehtësi. Edhe në kulturat e mëdha, si për shembull në Italinë e Salvatore Quasimodo-s është folur për një të ashtuquajtur “poezi përkthimi”, sepse kjo lloj poezie më tepër të kujton përkthimin se sa parametrat e paravendosur të një poetike të njohur për një gjuhë të caktuar. Qysh me përkthimin e librit “Fijet e barit” të Walt Whitman-it, letërsia shqipe është e përmbytur nga kjo “poezi përkthimi”, e cila pasuron me një botë idesh të reja, por shkakton dëme të mëdha nga pikëpamja e mishërimit formalo-strukturor të një poezie. Pasojat ndjehen edhe sot dhe, me sa duket, duhet kohë që të korrigjohen.

7.    Përcaktim:

Interpretimi – përbëhet prej dy llojesh: varianti dhe imitimi. Në gjuhën që përkthehet, varianti i një poezie do të jetë semantikisht i njëjtë me atë të origjinalit, por do të ndryshojë në dukje. Në gjuhën që përkthehet, imitimi i një poezie do të jetë një poezi ndryshe, ndërsa titulli, tema dhe pika e nisjes do të jenë të njëjta me ato të origjinalit.

Diskutim:

Edhe ky përkthim zgjon vëmendjen ndaj problemeve të krijimit të poezisë, por mund të ketë shërbyer edhe për sjelljen e keqkuptimeve, arsyeja e të cilave është humbja e strukturës ligjërimore të origjinalit, gjë që mbetet për t’u theksuar. Njëkohësisht, ky lloj përkthimi e pasuron prodhimin letrar marrës me struktura të reja në raport me prodhimin letrar dhënës. Kur poeti amerikan Robert Lowell i quan përkthimet e veta “imitime”, gjë që e vë që në titull të librit, do që të tregojë raportin e veçantë me origjinalet.

Se cila nga këto marrëdhënie tekstore, të cilat bashkëjetojnë mes tyre, është e duhura, e domosdoshmja, më ndikuesja për letrat shqipe, do ta tregojë koha, përderisa ajo i pranon të gjitha, por ne mund të dallojmë edhe hierarkinë e tyre nëse përcaktojmë qasjen. Për ta mbyllur një diskutim si ky, do të kërkojmë ndihmë nga Ndre Mjedja, i cili u prononcua për përkthimin që Koliqi u bëri poetëve të mëdhenj të Italisë. Është fjala për pyetjen: cili përkthim është më i miri? Përballja me të mëdhenjtë, sipas tij, është si t’i ndihmosh dritës së diellit me një qiri, megjithatë shprehet: “Nji përkthim fjalë për fjalë kishte m’u dukë përkthimi ma besnik, por ku asht fryma qi neper ato fjalë ka qitë poeti hartues? Ku janë nyjet e lëvizjet neper të cillat dan të gjallëtit e nji trupi e hijeshija e ti? Pa rrahë nji teje ndiesitë e përkthyesit me ato t’auktorit nuk mundet me dalë nji përkthim si kush”. Mjedja e shoqëron këtë deklarim me historinë e përkthyesit italian të Iliadës, Vincezo Monti, i cili e bëri punën pa gramatikë greqishteje, pra nuk e njihte gjuhën, por ky poet i madh lexoi përkthimet në gjuhë të tjera, studioi interpretimet e vërejtjet e gramatikanëve dhe arriti t’i kalonte përkthyesit e tjerë. Konceptin e Mjedës për përkthimin mund ta kuptojmë më mirë po të kemi parasysh përkthimin e poezisë së Goethe-s, Mbreti i Tules. Krahasimi i këtij përkthimi me disa të tjerë që i janë bërë kësaj poezie në gjuhën shqipe flet për vlera të padiskutueshme dhe hap diskutime serioze për përkthimin dhe poezinë në përgjithësi.

Në një ndarje më të thjeshtuar, do të kishim përcaktimin se çdo përkthyes duhet ta ndjejë veten në marrëdhënie me dy skaje. 1) Skaji i parë është përkthimi i përputhur, që respekton sa të jetë e mundur më shumë karakterin e huaj të tekstit burimor, punë që mund të vejë deri në transkriptimin e pastër dhe të thjeshtë të origjinalit; 2) Skaji i dytë është përkthimi dinamik që synon ta përfshijë sa më shumë tekstin e përkthyer brenda traditës së sistemit të pritjes. Në grupin e parë do të fusnim këto lloje përkthimesh: Përkthimi literal (i fjalëpërfjalshëm); Përkthimi në prozë; Përkthimi në varg të lirë; Interpretimi. Në grupin e dytë do të fusnim këto lloje përkthimesh: Përkthimi fonetik; Përkthimi metrik; Përkthimi rimik.

Mund të ketë raste kur letërsia e një gjuhe ngec, sepse i mungon gjaku i freskët për ta forcuar atë dhe përkthimet mund t’i sigurojnë perspektiva krejtësisht të tjera. Me përkthimet nga gjuha kineze Ezra Pound-i hapi në SHBA rrugën për lëvizjen letrare të njohur si Imazhinizmi. Megjithatë, përkthimet zënë pozicion dytësor në tradita të forta letrare, si në frëngjisht për shembull.

Cili është ndikimi i një teksti të përkthyer në kulturën marrëse? Nëse gjuhës marrëse i mungojnë forma të caktuara, stile apo zhanre, atëherë është e mundshme për ta mbushur atë hapësirë boshe përmes përkthimeve. Kjo ndryshon në varësi të faktit nëse pozicioni i tij në kulturën marrëse është qendror ose periferik. Në qoftë se ai zë një pozitë qendrore, atëherë përkthimi do të përshëndetet si një tekst origjinal. Nëse qëllimi i përkthimit është për të futur diçka të re për kulturën marrëse, përkthimi do të mbajë cilësitë e origjinalit. Kjo mund të rezultojë diçka e tjetërsuar për lexuesit, të cilët nuk ndjehen mirë me një formë të re apo ide radikale, por mbetet fakt se përkthimi do të ketë ndryshuar perceptimet e kulturës marrëse ndaj një vepre letrare. Nëse përkthimi është në një pozitë sekondare, pamja ndryshon. Këtu do të jetë përpjekja për t’u përshtatur në një ekzistues model, në vend që të vendoset diçka e re. Kjo ndodh për shkak se kultura marrëse është mjaft e fortë dhe nuk do të inkurajojë eksperimentimin në formë apo në mendim. Si përfundim: 1) Përkthimet që zënë pozitë qendrore do të përpiqen të mbajnë shijen e origjinalit dhe do të theksojnë besnikërinë e tyre me të; 2) Përkthimet që konsiderohen si periferike, në anën tjetër, do të duhet të “zbuten” duke u bërë më shumë si kultura marrëse dhe natyrisht nuk do të kenë cilësinë e të qenit besnik ndaj origjinalit.

Si do ta vendosnim këtë argument në gjuhën shqipe? Në hyrje të përkthimit që i bën poezisë “Skënderbeu” të Longfellow-t, vetë Noli thotë se kthimi i një vjershe nga një gjuhë në një tjetër është një gjë e zorshme, në mos e pamundshme. Megjithatë, ai provon disa herë përpara kësaj të “pamundshmeje”, përveç të tjerash edhe me “Korbin” e E.A.Poe, me të cilin janë matur emra si Charles Baudelaire apo Fernando Pesoa. A është ky përkthim i Fan Nolit një fakt i poezisë origjinale, që bën jetën e vet në prodhimin letrar të shqipes, dhe jo i kopjimit të zbehtë të origjinalit? Trajtimi i albanologes ruse M.V. Domosileckaja (Peterburg) “Fan Noli si përkthyes i poezisë së E.A. Po-së”, na drejton në idenë se Noli është bazuar kryesisht në dy parime kryesore:

1)    Përpikmërinë e përkthimit (në fushën e ritmit, të metrit, të sintaksës)

2)    Drejtshmërinë e përkthimit (shfrytëzimi i kompensimit dhe i analogjive në të gjitha nivelet e gjuhës poetike)

A arrin Fan Noli të krijojë një përkthim ku paraqitet tërësia semantike e veprës, mishëruar në format e ngjashme dhe në stilin identik që mbi lexuesin shqiptar ushtrojnë një ndikim në mënyrë analoge (si tek lexuesit e origjinalit)?

1. Sipas studiueses, vështirësitë e para të punës së Nolit lidhen me mundësitë gjuhësore të shqipes, “formës” së saj: gjatësia e një fjale në gjuhën angleze është 1.5 rrokje, kurse gjatësia e një fjale shqipe është 2 rrokje. Si rrjedhim, Noli ishte i detyruar të shkurtonte detaje të informacionit poetik, që do të thotë se për të krijuar imazhin përkues, ai merr elementin më të rëndësishëm.

Për të ilustruar argumentin, studiuesja rendit disa shembuj:

a)    Vargun “While I ponderd weak and weary” Noli e jep “Tek këndonja i zalisur”.

b)    Që të arrihet pa varfërimin e përmbajtjes, Noli në disa vende të tjera lë mënjanë hollësitë më pak të rëndësishme: “sculptured bust” e jep “statujë”, ndërsa “fantastik terror” e jep “tmerr”.

c)    Vargu “was blessed with seeing” është dhënë me “ka parë”.

ç) Noli bën edhe të kundërtën: e zgjeron epitetin. Për shembull, “in the bleak December” është dhënë “dimr’ i ftoht’ i ngrirë”.

d)    Jo rrallë, për të arritur informacionin poetik të përkthimit, brenda një strofe, Noli, duke shfrytëzuar metodën e shpërblimit, pa shkaktuar dëm te konteksti artistik, bën edhe shkurtim, edhe zgjerim. Te strofa 15 kemi: “Temper” – “shejtan i Ferrit të Zi” (zgjerim) dhe “tempest tossed” – “shtrëngata” (shkurtim).

2. Sipas studiueses, veçoritë sintaksore të origjinalit dhe përkthimit paraqiten në këtë mënyrë:

a) Përsëritja e elementeve të tekstit, që janë më shumë se një fjalë (Noli e ndjek shumë shpesh këtë formë), nuk mund të përputhet me kontekstin e origjinalit.

Për shembull (strofa 18): “And the lamp o’er him streaming throws his shadow on the flour:/ And my soul from out that shadow that lies floating on the flour…” jepet “Gjer tani ka parë shpendë mund mbi derë t’odës tij,/ Shpënd’ e shtazë’ mbi statujë mun mi derë t’odës tij…”

b) Dyshimi që përforcon efektin monoton nuk përputhet me kontekstin e origjinalit.

Për shembull (strofa 1): “As of some one gently rapping – rapping at my chamber door” jepet “Edhe kurrë, kurrë më”

a)    Gradacioni përputhet sa i përket vendit dhe semantikës, por te Noli është më i shkurtër.

“What this grim, ungainly, ghastly, gaunt, an ominous bird of jore” te Noli jepet “Korb i vrenjtur, i vrerosur, arratisur zall më zall”

ç) Anominacioni dëshmon për mjeshtërinë e madhe të shqipëruesit.

Për shembull: “Doubting, dreaming dreams…” jepet “Ëndërra dyke shikuar që njeri s’ka ëndërruar”

b)    Paralelizmin sintaksor, Noli e jep po aty ku e ka dhe autori.

Për shembull, “…and so gently you came rapping and so foundli you came rapping” jepet “…aq’e hollë ish trokitja, aq’e lehtë ish goditja”

dh) Kapërcime ndodhin 5 nga 8 në origjinal. Bartje shtohen 2.

Studiuesja arrin në përfundimin se sintaksa është transmetuar në mënyrë adekuate nga përkthyesi, por më poshtë tërheq vëmendjen për transmetimin e strofës.

3. Noli përpiqet t’i qëndrojë besnik “rimës bosht”, por rimat e brendshme i realizon të llojllojshme. Saktësia e rimave, për vetë futjen në këtë kohë të asonancës në shqip, shkon deri 31%, sepse rimon “nxirë-hi”, “thashë-jashtë”, “mvrenjtur-vjetër”. Përputhjet semantike rimore, për vetë vështirësinë e transmetimit nga gjuha në gjuhë, janë të rralla, sidoqoftë, ato që realizohen tregojnë për mjeshtërinë e përkthyesit: ai gjen këto çifte “derary-weary” / “bezdisur- zalisur” ose “napping-tapping-rapping” / “kapitur-trokitur-goditur”.

Studiuesja del në përfundimin se në përgjithësi, struktura rrokjesore dhe theksore e vargjeve të origjinalit dhe të përkthimit përputhen.

a)    Nga dy prirjet e transmetimit të ritmit dhe të metrit në përkthim – rikrijimi i atyre të origjinalit dhe rrafshimi i tyre sipas traditave të letërsisë pritëse – Noli ndjek kryesisht të parën, sepse ajo nuk është e huaj në kontekstin e poezisë shqipe (pra vargu silabik me tendencat ritmike të ngjashme).

b)    Për t’u shënuar është edhe përpjekja e zhdëmtimit gjatë përdorimit të leksikut. Për shembull, “not the least obeisance made he” (solemniteti që e bën humorin plot grotesk) (stil neutral) bëhet “as u fal, as përshëndoshi”, duke shtuar edhe “as bën tjatër punë boshi”.

Ky përkthim, nga ana tjetër, është shumë i rëndësishëm për Nolin poet. Rrjedhimisht, edhe për poezinë shqipe në përgjithësi. Është e njohur se niveli i poezive origjinale te Noli rritet shumë pas përkthimit të “Korbit” të Poes (1919). Mjeshtëria e vargut dhe cilësi të tjera stilistike, që ai i përfton gjatë këtij përkthimi, do ta përcaktojnë krijimtarinë e tij origjinale në të ardhmen.

Duhet të marrim në konsideratë edhe kur ndodhi ky lloj përkthimi: pra kur një letërsi është e re apo në proces formimi, kur një letërsi është e dobët apo periferike dhe kur një letërsi po përballet me një krizë, dhe të dalim në mendimin se në ç’fazë ndodhej poezia shqipe në vitin 1909. Mendimi ynë është se letërsia shqipe po përballej me befasimet e modernitetit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama