Perkthyesi Lanksch Thjesht u dashurova me poezine e Ali Podrimes

Perkthyesi Lanksch: Thjesht u dashurova me poezine e Ali Podrimes
Poezia lirike e Ali Podrimes është e njohur edhe jashtë hapësirave shqipfolëse. Poezitë e Ali Podrimes në gjermanisht janë përkthyer nga Hans-Joachim Lanksch. Poeti i njohur nga Kosova, Ali Podrimja, ndërroi jetë ditët e fundit në Francë, pasi kishte marrë pjesë në festivalin e poezisë “Voix de la Méditerranée” në qytetin jugor Lodeve. Politikanë dhe personalitete në Kosovë e konsideruan si humbje të madhe ndarjen e Podrimes nga jeta. Ndër të tjera, poeti kosovar ishte nderuar edhe me çmimin “Nikolaus-Lenau” të qarkut të artistëve Eslingen. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë. Në gjermanisht është botuar në vitin 1991 vëllimi me poezi “Ich sattle das Ross den Tod” (Unë shaloj vdekjen e kalit).

DW: Kur e keni njohur poetin Podrimja për herë të parë dhe çfarë ju bëri përshtypje fillimisht në vargjet e këtij poeti?

Lanksch: Me Aliun jemi njohur më 1985-n, kur isha i ftuar si mysafir i “Takimeve të Brezovicës”. Takimet ishin një qëndrim dyjavësh në malet e Sharrit, ku takoheshin anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Një shtëpi e vogël botuese gjermane, “Straelener Manuskripte Verlag” që merrej me botimin e poetëve nga letërsitë “e vogla”, ma kishte dhanë nji mision, d.m.th. me hetue nji poet për t’ u botue pranë kësaj shtëpie botuese. Me t’u mbërrijtë në Prishtinë, më çuen te shtëpia botuese “Rilindja” ku më dhuruen libra sa për të mbushë gjithë vendin e bagazhit të makinës. Disa njerëz mundoheshin me m’imponue nji poet të përcaktuem tue më këndue lëvdata të trasha për të, disa poetë mundoheshin të më vetimponoheshin, mirëpo në Brezovicë unë kisha mjaft kohë dhe lexoja me duzina poetë të ndryshëm dhe thjesht u dashunova në poezinë e Aliut.

Më bani përshtypje ngjeshunia e teksteve të Aliut – s’ka fjalë të tepërta, s’ka as rrokje të tepërta. Poezia e tij nuk tregon ndonji ngjarje dhe as nuk shpalos drejtpërsëdrejti ndonji mendim a ideologji, ajo nuk asht përshkruese, por asht shumë domethanëse me shumë pak fjalë. Me nji fjalë: më bante përshtypje vlera estetike e poezisë së tij.

DW: Si e përjetuat vdekjen e tij?

Lanksch: Kur vdiq Aliu, isha me pushime. Me t’u kthye në shtëpi, mesazhi i parë me email që hapa ishte ky: “Ndoshta e ke marrë lajmin e hidhur për ndarjen nga kjo botë të Ali Podrimes. Një fund tragjik i një poeti të mirë. Ngushëllime!” Mesazhi qe nji shok i vërtetë. Ende jam nën shok. Me Aliun iku i fundit i klasikëve të letërsisë moderne të Kosovës. ASHAKU-u thotë që do t’ia botojnë tanë veprën Aliut. Fort mirë. Ma merr mendja që asht fjala për nji botim reprezentativ, ku shpresoj që do ketë dhe nji botim për studentët, nxanësat dhe njerëz të tjerë pa kuletë të trashë. Due me thanë që dëshiroj që vepra e Ali Podrimes të lexohet e të shijohet dhe të mos muzealizohet me përmendore, botime të shtrenjta, akademi solemne etj.

DW: A është vështirë të përkthesh poezitë e tij? Nga se karakterizohet poezia e tij, ku e ka pikën më të fortë?

Lanksch: Çdo përkthim i çdo poeti të vërtetë asht i vështirë. Vështirësia specifike e poezisë së Aliut qëndron te dendësimi i saj, ku çdo rrokje ka peshën e saj të domosdoshme, vlerën e saj estetike dhe funksionin e saj semantik, kështu që edhe përkthyesi duhet t’i kursejë rrokjet, kurse gjermanishtja ka shumë rrokje pa domethanie, që kanë vetëm ndonji funkcion gramatikor, si p.sh. “ich habe ihn gesehen” (shtatë rrokje)” – “e kam parë” (tri rrokje). Përveç kësaj, gjuha poetike e Aliut shquhet nga nji frazeologji e pasun. Fjalët gjinden në fjalorë, ndërsa frazeologjizma – kombinime specifike fjalësh – nuk gjinden në fjalorë.

DW: Cilat poezi do të veçonit si më të mirat?

Lanksch: Zonja Mimoza, kjo është sikur të duhet të veçoj ndër 2000 femna bukuroshe. Veç ju lutem: mos më bani pyetje se cila asht ma e bukura!?

DW: Si është vlerësuar në Gjermani ky poet?

Lanksch: Si në Gjermani ashtu dhe në Austri, poeti Ali Podrimja vlerësohej nalt nga kritika letrare. Ma me randësi, ndoshta, asht jehona te publiku. Aliu kishte shumë orë letrare para publikut gjerman dhe austriak, sidomos në vitet e ‘90, ku ndigjuesit ishin thjesht të entuziazmuem nga niveli, bukuria dhe ekspresiviteti i poezisë së tij. Publiku i ka kenë mirënjohës Aliut edhe për shkak se ai dëshmonte që shqiptarët e Kosovës nuk janë vetëm nji masë refugjatësh të mjerë, por nji popull me kulturë të naltë në nivel europian.

Poeti i bukës, Parisit e zjarrit

Mihane Mustafa Prizren

Askush nuk i këndon jetës dhe dashurisë rome në Kosovë më ndjeshëm se Kujtim Paçaku. Poeti 53-vjeçar, që ka mallëngjim për jetën e dikurshme në Paris dhe dëshiron të kthehet dikur atje, por që ndoshta Parisin, si një qendër të artit të të shkruarit, ai ka kohë që e ka arritur.

Më 1985-n, atëherë në moshën 26-vjeçare, për herë të parë flet në mikrofon përmes Radio Prizrenit, në orën njëmbëdhjetë të ditës. “Mirëdita, unë Kujtim Paçaku, djali i Durmishit, po filloj sot me emisionin e parë dhe nuk kam frikë si shumë njerëz të deklarohen romë në media në Europë”.

Siç thonë, ai ishte njeri i bërë. Që ka kaluar sfida jete e ka nxjerrë përfundime, që ka ndërtuar një sistem të vlerave të veta të gjykimit dhe që ia ka qartësuar vetës identitetin e tij. Ndoshta gjithë kjo, bashkë me rrethanat në Prizren, e ka bërë atë që si askush t’ia thotë vargut rom me ndjeshmëri e ndonjëherë dhimbje deri në asht.

Kurrë nuk isha mjaft i bardhë

Për të bardhët

As tamam i zi për të zinjtë

Ky është portreti i tij për njeriun rom në një nga përmbledhjet që e ka titulluar “Rreth zjarreve”.

Një poet, i cili ka udhëtuar nëpër Europë, është takuar me artistë e ka recituar poezi, është marrë një kohë me këngë e ka shkuar në Akademinë e Aktrimit dhe Regjisë me Faruk Begollin mentor, të gjitha që kanë shtuar në ngjyrën e tekstit të tij, ndoshta mund t’ia ketë arritur të krijojë një zë shumë më të fortë sesa e provonte si i ri.

Paçaku, që s’kishte trup e as talent të madh për futboll, e që s’e merrnin të luante, dëgjonte e admironte komentuesit e lojës e ndonjëherë shkonte dhe i shikonte ata më shumë sesa ndeshjen në stadium. “Ia kisha lakmi Veli Vraniqit e Azem Brovinës që komentonin nga afër. Mësoja emrat e futbollistëve dhe kthehesha në shtëpi, merrja një bakall, sepse aty krijohej ehoja e zërit, dhe nisja të komentoja”, tregon Paçaku.

Kishte nisur si fëmijë të shkruante mureve të shkollës poezi më serioze, por kur u pjek ai vazhdoi të komentojë, por një lojë shumë më të gjerë. Jetën rome.

Një poezi rome, thotë ai, duhet të flasë për zjarrin, ujin, diellin dhe lirinë.

“Kur zemra ka acar / S’ka pranverë që mund ta shkrijë…”. Po e ndiqni? “O, sa gënjejnë ata që thonë / Se koha i shëron të gjitha”. Kjo ishte sa i përket kohës, po ç’thuani për dashurinë? Dashurinë rome. “Kur dashuron një rom / Ua shkund shtratin luleve të përgjumura / Myzhdenë t’ua japë”. E pastaj, ja ku është ai kthim tragjik si i të gjithë poetëve. “Por, kush mund të na mbrojë nga vetja jonë? Kush?”

Nëse poetët krijohen në kohë të vështira, rom duhet të jetë edhe poeti më i mirë. “Si mos të më këndohet e mos të jem / I gëzuar sot / Kur nën krah mbaj bukë”. Se buka dhe shtëpia janë të lidhura gjithherë. “Shtëpitë e rrugicës sime / Rrinë të mbështetura në njëra-tjetrën / Dhe sikur gjithë kohën janë duke vallëzuar / Ndonjëra mezi rri në këmbë / Sikur të ishte goditur nga raki e fortë”.

Poezia e tij është muzikë, është gjeografi, është fizkulturë. Sikur titujt e lëndëve në të cilat arsimtari i dikurshëm mësonte nxënësit romë. Por nuk është mësimi ku ai do të kthehet, është rikthimi në Paris. Atje kur dikur jetoi. Sepse, atje thotë Paçaku, njerëzit shpesh kanë ditur të dëgjojnë. E dikush edhe të qajë me poezinë e tij.

Jashtë ëndrrave, ai jeton në Prizren. “Dita ime fillon në mbrëmje dhe ndonjëherë pres mëngjesin të më zërë gjumi, sepse atëherë ndodh të zbres ndonjë ide, varg”, thotë ai. “Nuk do të ndalem kur më pushon dora, por kur të më ketë pushuar mendja… do të përdor diktofonin nëse nuk mund të shkruaj”.

Kjo është gjuha e tij.

Kaherë e kemi braktisur qiellin e vendlindjes sonë

Rrugëve të panjohura ia mësyem

Me vete morëm

Vetëm gjuhën, këngët dhe përrallat tona

Në zemër e ruajtëm gjuhën

Në gjuhë i ruajtëm këngët

Në këngë i ruajtëm përrallat tona

Arti urban kosovar promovohet në Gjermani

Në institucionin kulturor “Alte Feuerwache” në Manhajm të Gjermanisë u bë hapja solemne e ekspozitës “When Worlds Collide”. Me punime paraqiten artisti i ri nga Kosova, Jetik Doli, dhe artisti gjerman, Philipp Himmel.

Jetik Doli ishte ftuar që të merrte pjesë në këtë ekspozitë në kuadër të projektit “Urban Art Exchange”, të organizuar nga Nita Hasani, e cila aktualisht punon si menaxhere për kulturë në institucionin kulturor Alte Feuerwache në Manhajm.

Ekspozita qëndroi e hapur deri më 4 gusht. Qëllimi i projektit është që t’i japë rastin një artisti të ri, në këtë rast Jetik Dolit, të prezantojë punën dhe talentin e tij në një vend tjetër dhe me këtë rast të krijojë kontakte për një bashkëpunim të mëtutjeshëm.

“Përmes këtij projekti shpaloset ana e freskët urbane e kulturës kosovare. Në kuadër të projektit “Urban Art Exchange”, Jetiku ishte i ftuar në Manhajm për dy javë. Gjatë këtyre javëve, ai pati mundësinë të njohë dhe të përjetojë skenën artistike të Manhajmit dhe të bashkëpunojë me kolegun gjerman”, ka thënë Nita Hasani, nga Kosova, e cila merr pjesë në këtë program që nga tetori i vitit 2011.

Projekti “Urban Art Exchange” është duke u realizuar në kuadër të bursës nga Fondacioni “Robert Bosch”, në kuadër të programit “Menaxher për kulturë nga vendet e Europës së mesme dhe juglindore”. Projekti mbështetet nga Fondacioni “Robert Bosch”, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, si dhe organizata CEO.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama