Sot shënohet 3-vjetori i ngjarjeve të 21 Janarit të vitit 2011. Partia Socialiste do të mbajë një ceremoni rreth orës 11:00, ku fillimisht kryeministri Edi Rama do të zbulojë katër pllakat përkujtimore prej bronzi, në nder të katër viktimave Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nikaj dhe më pas do të mbajë një fjalim të shkurtër.
Këtë vit Partia Socialiste ka ideuar një ceremoni të thjeshtë, ku do të jenë të pranishëm drejtues të PS-së, deputetë dhe familjarë të viktimave. Katër persona janë vrarë gjatë protestës së zhvilluar përpara Kryeministrisë në 21 janar të vitit 2011.
Çështja e vrasjes së katër protestuesve, aktualisht po shqyrtohet në Gjykatën e Lartë, por asnjë prej përgjegjësve për këtë tragjedi nuk ndodhet aktualisht në burg. Djali i njërit prej viktimave është shprehur i indinjuar me drejtësinë shqiptare, edhe pse kanë kaluar 3 vite, asnjë përgjegjës nuk është vënë para drejtësisë për vrasjet në protesta.
Renato Myrtaj, djali i Faik Myrtaj i vrarë në protestën e “21 janarit”, pas tre vitesh të vrasjes së babait të tij vazhdon të kërkojë drejtësi dhe fajëson ish-kryeministrin Berisha, i cili i ka mbrojtur personat që vranë katër njerëz të pafajshëm. “Berisha në momentet e fundit, ata njerëz që kanë kryer krimin, i ka mbrojtur tepër mirë, duke i larguar jashtë vendit, ndërkohë që sistemin e gjyqësorit e ka bërë si i ka dashur qefi, prandaj populli shqiptar, ashtu si dhe familja ime nuk ka pse të çuditen, kur për këto vrasje nuk ka asnjë autor”, u shpreh Renato Myrtaj për “A1 Report”.
Djali i Faik Myrtaj thotë se beson se kryeministri Rama do të punojë për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa thekson se tani nuk “do më fjalë, por vepra”.
“Tani besimi im është vetëm të kryeministri Rama. Është shpejt pasi me tre muaj nuk mund të bëhet gjë për të zbuluar autorët, pasi ai ka marrë një qeveri që ishte komplet në humnerë. Kryeministri është shprehur se kjo do të zbardhet, por boll me fjalë, dua vepra”, vijoi Renato Myrtaj.