Perkujtohet 71-vjetori i Çlirimit te Tiranes Meta Shqiperia ne kah te forcave progresive

TIRANË, 17 Nëntor/ATSH-A. Struga, Z. Tosku/.- Një ceremoni përkujtimore u zhvillua paraditen e së martës pranë Monumentit të Ushtarit të Panjohur me rastin e 71-vjetorit të çlirimit të Tiranës.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kryebashkiaku Erion Veliaj, veteranë, deputetë, qytetarë, etj, zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora pranë Monumentit, simbol i luftës çlirimtare të popullit shqiptar.

Kryeparlamentari Meta në një prononcim për mediat, shprehu "nderimin më të madh" për partizanët dhe partizanet që çliruan Tiranën më 17 nëntor të vitit 1944, pas disa javë betejash të jashtëzakonshme dhe plot sakrifica. "Shprehim sot mirënjohjen për gjithë popullin e Tiranës dhe për barrikadat që ai ngriti kundër pushtuesit dhe të mos harrojmë dhe kontributin e dhënë nga aleatët tanë, sidomos ata britanikë, në çlirimin e kryeqytetit", tha Meta.

Mesazhi aktual i çlirimit të kryeqytetit dhe të Shqipërisë ndaj bishës nazifashiste, nënvizoi kryeparlamentari, përkon sot me një mesazh mjaft të rëndësishëm, me kontributin që Shqipëria, Forcat tona të Armatosura dhe ato të Sigurisë japin në luftën kundër terrorizmit, që është e keqja më e madhe me të cilin ballafaqohet sot vendi ynë, NATO dhe Europa, dhe jo vetëm Franca, që u godit në Paris, por mbarë qytetërimi e njerëzimi.

"Ne jemi të bindur se me këtë betejë vendi i Shqipërisë është gjithnjë në kah të forcave më përparimtare dhe progresive dhe kontributi i Shqipërisë nuk do të mungojë asnjëherë", theksoi kryetari i Kuvendit.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke i uruar gjithë qytetarët e Tiranës për ditën e Çlirimit, sidomos familjet e dëshmorëve, tha se kjo është koha e duhur që ne të zgjedhim se me kë jemi, duke bërë zgjedhjen e duhur në lidhje me qytetërimin që duam të jemi. "Tirana është në anën e duhur, në anën e Parisit", tha kryebashkiaku.

"Shqipëria ka pasur njerëz që kanë luftuar për Tiranën dhe ne kemi ditur gjithmonë të bëjmë zgjedhjen e duhur. Më vjen mirë, që zgjodhëm qytetarimin e duhur. Kombi ynë ka një destin dhe ky destin është civilizimi, pra qytetërimi", shtoi Veliaj.

Më pas, ai informoi për aktivitetet e shumta që bashkia e Tiranës ka organizuar në kuadër të 17 Nëntorit.

Çlirimi i Tiranës

Mëngjesin e 17 nëntorit të vitit 1944, pas 19 ditë e net lufte të ashpër e të pandërprerë, kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, u çlirua nga trupat gjermane. Operacioni mësymës për çlirimin e Tiranës u përgatit dhe u zhvillua në kuadrin e mësymjes së përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare për çlirimin e plotë të Shqipërisë. Ai ishte vijimi dhe kulmi i mësymjes së përgjithshme.
Çliri­mi i kryeqytetit pati rëndësi të madhe politike e ushtarake, pasi kurorëzoi fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ajo shënoi operacionin më të madh të shkallës operativo-strategjike i zhvilluar nga Ushtria shqiptare në çlirimin e qyteteve. /m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama