Sipas saj, përzgjedhja e punëve të ekspozuara përfshin objektet më përfaqësuese të krahinave fshatare dhe qytetare, duke pasur si qëllim pasqyrimin e zhvillimit kulturor, krahinor dhe aftësitë krijuese të mjeshtërve tanë. "Po ashtu, ajo është dëshmi e asaj që Shqipëria ka qenë e hapur ndaj kulturave me të cilat ka pasur kontakte gjatë shekujve dhe zhvillimit të saj historik", tha Onuzi.
Ndërsa Kryeparlamentarja Topalli e quajti këtë ekspozitë "një vlerë të jashtëzakonshme dhe unike, që e trashëgojmë nga civilizimi ynë dhe që i sjellim Europës duke shkurtuar rrugën drejt anëtarësimit në BE".
Sipas Kryeparlamentares "dialogu ndërkulturor midis vendeve është një vlerë e shtuar që ne mund t‘i sjellim Europës. Gjithmonë kam menduar se kultura është zemra e komunikimit dhe dialogut midis popujve e kombeve dhe kurrë nuk kam besuar se ka një kufi tek identiteti kulturor. Trashëgimia kulturore e traditës dhe e civilizimit shqiptar, nuk është vetëm një çështje shqiptare, por dhe një çështje europiane". Zonja Topalli solli në kujtesë një nga krijuesit e etnografisë shqiptare prof. Rrok Zojci. "Ai është njeriu që ka shëtitur fshat më fshat në Shqipëri, për të mbledhur dhe për të bërë të mundur, që ne sot në muzetë tona, të kemi një pasuri kaq të jashtëzakonshme", tha Topalli. Kjo ekspozitë u hap në kuadër të "Javës Europiane".
Nga Gazeta Shqip