Te kjo dilemë shpie edhe botimi i librit të Xhelal Staraveckës “Përpara gjyqit të historisë. Kujtime historike: 1912-1966” (Naimi, 2012). Prezantimi u bë në Akademinë e Shkencave por iniciativa ishte private, e botuesit.
Moderatori i takimit, publicisti Fatos Lubonja bëri njëfarë dallimi të vlerës së kujtimeve në shërbim të historisë, nga përdorimi i historisë zyrtare prej ideologjisë komuniste. Kujtimet kanë një meritë e cila në faqet e historisë thahet e vdes në data e shifra. Liria e të shkruarit në kujtime mund të identifikohej me atë që quhet atmosferë. Nga libri i kujtimeve të Xhelal Staraveckës (1912-1975), Lubonjën e ka tronditur pikërisht atmosfera e egër e luftës, që folës të tjerë më vonë e klasifikuan si cilësi e veçantë ligjërimore e Staraveckës, për ta treguar historinë, për ta tërhequr lexuesin te vetja. Duke lexuar libra si ky që ndalen në periudhën e fundit të monarkisë dhe në luftën antifashiste, “shtyhesh të kuptosh më mirë realitetin e sotëm shqiptar”. Një problem nxjerr publicisti nga ky libër që, në emër të historisë, Staravecka i jep Enver Hoxhën e Mehmet Shehun si burra shteti, e megjithëse kujtimet janë përfunduar në 1966 në mërgim, autori e glorifikon LANÇ-in.
Akte të një figure kontroverse i quan historiani Pëllumb Xhufi reagimet në momente kulmore në jetën e Staraveckës. Kishte kryer Akademinë Ushtarake në Napoli; ishte protagonist në kryengritjen antizogiste të Fierit për çka dënohet me vdekje, por bën vetëm burg politik; udhëhoqi çeta dhe luftoi për çlirimin e disa krahinave në Skrapar, Berat, Korçë e Fier; bashkëpunoi me Enver Hoxhën për krijimin e Brigadës së Parë partizane (siç thuhet në CV e tij shkurt në krye të librit); braktisi Frontin për shkak të ndërhyrjes jugosllave në Partinë Komuniste; pas masakrës së 4 shkurtit 1944, për disa muaj komandoi Xhandarmërinë e Tiranës e pas këtij viti, marrëdhënia e tij më Shqipërinë shkëputet. Peripeci disa vjet në Itali dhe mërgim politik në Francë deri në fund të jetës. Në Paris i prehen eshtrat. Në Shqipëri ai kishte lënë gruan e re Ylldës dhe birin 2 javësh Naim. I pranishëm në prezantimin e librit, Naimi tregoi jetën pa të atin fare shkurt, aq sa po e botojmë të plotë. Dorëshkrimi i babait i ra në dorë në vitin 1993 nga një person që kishte jetuar pranë tij në Paris. Naimi shpreson t’i sjellë eshtrat e të atit dhe t’i bashkojë me eshtrat e nënës e cila prehet në Lushnje, vendi i tyre i internimit të gjatë. Sepse Xhelal Staravecka në tekstet e historisë pas ‘45-ës cilësohej tradhtar, kriminel, përgjegjës për masakrën e 4 shkurtit.
Historiani Pëllumb Xhufi e gjen me vend botimin e librit në valën e entuziazmit të 100- vjetorit të Pavarësisë, sepse përkrah kësaj atmosfere shqiptarët duhet të ballafaqohen me vesin e tyre kombëtar: tradhtinë. “Kjo nuk është aq një histori dëshmish sesa një histori e ilustruar e tradhtisë ndaj atdheut. Se si shqiptarët e kanë tradhtuar atdheun e tyre pafundësisht. Ky është testamenti politik i Staraveckës.” Të ashpra i quan Xhufi kujtimet e këtij trimi të çartur, me temperament të zjarrtë që ka ndikuar jo pak në kurbën e jetës së tij. “Libri është i mbushur, me situata, personazhe që shpesh shihen ndryshe, si Mit’hat Frashëri, Fan Noli, Esad Pashë Toptani. Vepra të tilla janë si goditje elektroshoku për ne shqiptarët që jemi mësuar të vetëkënaqemi nganjëherë që jemi populli heroik, liridashës, paqedashës, demokratik. Por jemi edhe si gjithë popujt dhe ne, një popull që ka ato veset e veta që shpeshherë i fsheh, por Xhelal Staravecka ka vendosur që t’i tregojë.”
Mesazhi që figura të tilla të historisë që u është hedhur baltë, lind nevoja të rehabilitohen, ishte i qartë, madje shkoi edhe më tej. Në emër të banorëve të fshatit
Staraveckë – vendlindja e Xhelal Staraveckës – Haxhi Kalluci, kryetar i njësisë vendore të komunës së Potomit, tha se kjo figurë dhe figura të tjera që mbajnë mbiemrin Staravecka “janë krenaria jonë dhe do të mbeten shkollë e madhe sidomos për brezin e ri”. Prandaj zoti Kalluci shprehu gatishmërinë për t’i pajisur bibliotekat e shkollave të komunës me librin e Staravenckës. Kjo kaloi thjesht si një dëshirë, sepse ndërkaq gjërat më të rëndësishme ishin thënë.
Në përfundim, i pyetur historiani Xhufi a është korrekte të sugjerohen edhe në shkolla këto lloj tekstesh-memuare si ana tjetër e historisë, ai u përgjigj se jo çdo gjë që thotë Staravecka duhet marrë e duhet futur në tekstet e historisë, duhen konfrontuar me ato që thonë dokumente të tjera, dëshmitarë të tjerë, por “sigurisht që ai sjell situata të reja, të panjohura më përpara dhe kjo është gjë e madhe. Është një ngacmim që para se të hidhet në histori, duhet konfrontuar”.
Fatos Lubonja, publicist
Me Naimin kemi shtyrë vagonë në Spaç e në Qafë Bari së bashku. Ne jemi të dy njerëz që kemi vuajtur edhe për shkak të baballarëve dhe njëkohësisht Naimi, nëpër internimet e tija, ka qenë thellësisht i pafajshëm si fëmijë, së bashku me shumë nga fëmijët e personazheve të këtij libri, për të cilët shpeshherë Xhelali është i pamëshirshëm. Dhe ne e kemi një çikë të vështirë të kapërcejmë në emër të së vërtetës ato emocionet e lidhjeve klanore familjare. Desha ta them këtë sepse e di që edhe vetë Naimi e ka problem që këtu mungojnë një pjesë e bashkëvuajtësve të tij të jetës edhe të burgjeve. Por historia është ashtu siç është, nganjëherë e pamëshirshme. Edhe ky lloj libri bën pjesë në edukimin për të njohur të vërtetat e hidhura tonat, për t’i parë ato në distancë në mënyrë më racionale.
Prof.dr. Shaban Sinani
Duke qenë se Staravecka nuk është një dëshmitar çfarëdo i historisë, por një figurë e lidhur me ngjarje të karakterit parësor si Kryengritja e Fierit, antifashizmi, bashkëpunimi, mërgata politike e pasluftës, ky libër nuk është thjesht libër kujtimesh por edhe dëshmimi e vlerësimit të së shkuarës me rëndësi parësore burimologjike. Tashmë në në mendjet e njerëzve është shtruar pyetja: cili ka të drejtë, autori apo ngjarjet që lidhen tradicionalisht me jetën e tij. Kjo dilemë do ta zhvendosë të drejtën nga pikëpamja dhe vlerësimi i Staraveckës. Një njeri që në shkrimet e tij pranon se në rrethanat e luftës ka vrarë, nuk mund të gënjejë kur dëshmon për krimet e të tjerëve. Ai u ofron shqiptarëve jo vetëm të vërteta historike, por edhe certifikime të përpikta për komplekset etnike dhe psikozat sociale të popullit nga ka dalë edhe ai vetë.
Pëllumb Xhufi, historian
Aq shumë duket se e ka identifikuar veten me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare Staravecka sa në nëntor 1943 në Skrapar, ai gati-gati duket se e përjeton me gëzim shpartallimin e forcave balliste e të Abaz Ermenjit. A thua ishte udhëheqës i luftës partizane! Për këdo që njeh akuzat e formuluara nga historiografia komuniste kundër tij, mund t’i dukej befasuese që ai nuk shpreh ndonjë pakënaqësi ndaj udhëheqësve të Frontit Nacionalçlirimtar, përveçse asaj të varësisë nga jugosllavët. Nuk është ideologjia komuniste me sa duket që e shqetëson Staraveckën; ashpërsia shpeshherë e pajustifikuar me kundërshtarin që përfundonte dhe në akte terroriste si në rastin e pushkatimeve pa gjyq në Kremenarë; nuk kishte ndonjë mendim të ndryshim mbi marrëdhëniet e Ballit Kombëtar me Legalitetin, me forcat e ashtuquajtura nacionaliste. Ato ishin për Staraveckën organizata tradhtare që luftonin me armikun, dhe në këtë drejtim, ai nuk bën fajtor Frontin as edhe për prishjen e marrëveshjes së Mukjes.
Më quajnë Naim Staravecka
Më quajnë Naim Staravecka, biri i vetëm i Xhelal Staraveckës, lindur nga ajo martesë fatkeqe në vjeshtë të vitit 1943 në Berat në mes të Luftës së Dytë Botërore. Them fatkeqe jo vetëm se kjo martesë pati jetë shumë të shkurtër, por sepse më shumë se babai im që vuajti pasojat e zgjedhjes që bëri personalisht duke iu futur politikës dhe idealit kombëtar, do të vuanim ne shumë më tepër. Unë dhe nëna ime vuajtëm dhe u torturuam nga diktatura komuniste. Jo se u morëm me politikë, por thjesht se ishim djali apo gruaja e Xhelal Staraveckës. Jeta ime qysh kur isha akoma në gji të nënës do të ishte një kalvar i gjatë vuajtjes nëpër kampet e përqendrimit dhe së fundmi në burgun e Spaçit dhe të Qafë Barit.
Kur kam qenë 8 vjeç në kampin famëkeq të Tepelenës më kanë ndarë nga nëna forcërisht pasi atë e morën të lidhur dhe e çuan në fabrikën e tullave në Tiranë për krahë pune. Për mua në mungesë të nënës është kujdesur një grua fisnike nga Dukati i Vlorës që më ka trajtuar barabar me tre fëmijët e saj. Më 1954 u transferuam në sektorin e Fermës së Lushnjes, ku natyrisht trajtimi ishte shumë më ndryshe se sa në Tepelenë. Aty bëra gjimnazin në qytetin e Lushnjes. Po aty u martova. Sot prej disa vjetësh jetoj në Amerikë me gruan dhe tre fëmijët e me shumë mbesa e nipër.
Natyrisht jam shumë i kënaqur nga jeta atje. Ne jemi mbledhur për librin e Xhelal Staraveckës jo për mua. Por jua tregova këto që të merret vesh si përfundojnë idealistët dhe familjet e tyre. Ne shqiptarët sakrificat për prindër, vëllezër apo farefisin i bëjmë pa vrarje ndërgjegje. Në rastin tim, sakrifica e detyruar e pushtetit komunist kishte diçka që nuk shkonte. Unë vërtet po bëja internim dhe burg për Xhelal Staraveckën por Xhelal Staraveckën historia komuniste e nxirrte tradhtar dhe kriminel dhe jo një luftëtar të madh antifashist të pakompromis ashtu siç ka qenë në të vërtetë dhe siç del dhe nga libri që lexojmë sot. Ai regjim u përpoq të njolloste jo vetëm mua dhe fëmijët e mi por gjithë farefisin tim nga babai dhe nëna të gjithë e pësuan kush më shumë e kush më pak. Kur Naim Zoto më kërkoi se donte të botonte kujtimet e Xhelalit, unë hezitova.
Sepse shumë nga personazhet që Xhelali i gjykon negativisht në kujtimet e tij, me pasardhësit e tyre unë i kam miq të mirë, shokë të ngushtë me të cilët kam ndarë të mirat e të këqijat nën diktaturë. Ndërsa Xhelali shprehet negativisht për disa prej figurave historike të viteve 1935-‘44, unë do të shprehesha me superlativa për qëndrimin heroik të bijve të tyre nën diktaturë. Unë nuk i kam borxh apo ndonjë lloj detyrimi Xhelal Staraveckës pavarësisht se jam djali i tij. Ai u largua nga Shqipëria kur unë isha vetëm dy javësh. Nëse jam ky që më shihni sot, jam në sajë të nënës sime, asaj gruaje fisnike dhe trime që qëndroi e paepur nën terrorin komunist. Sipas mendimit tim, heroizmi i saj dhe i shoqeve të saj e kaluan atë të Xhelal Staraveckës gjatë luftës. Pranova t’i botoj këto kujtime sepse hedhin dritë mbi jetën e Xhelalit se nuk ka qenë Xhelali që ka bërë 4 shkurtin famëkeq.
Se nuk u nda nga lufta antifashiste e Partisë Komuniste për karrierë e motive personale po për arsye të mëdha që lidheshin me vartësinë e komunistëve shqiptarë nga ata jugosllavë. Unë nuk pata fatin ta njoh babain tim, më saktë nuk më lanë ta njoh. Por nga kujtimet e tij Xhelali rezulton se ka qenë një trim i madh, një idealist i ndershëm, një patriot që e donte Shqipërinë mbi të gjitha. Madje për Shqipërinë dhe për progresin e saj sakrifikoi gjithçka, na sakrifikoi edhe neve. Shkurt Xhelal Staravecka ishte i Shqipërisë por nuk mund të ishte edhe i shtëpisë së tij. Botimi i librit më bën krenar, mua fëmijët e mi, gjithë farefisin dhe gjithë skrapalinjtë të cilët i ka dashur e vlerësuar shumë. Besoj se ky libër e ka hequr baltën që u hodh përmbi Xhelal Staraveckën përmbi 50 vjet. E vërteta nuk vdes kurrë dhe unë jam i gëzuar që ajo sot doli publikisht, ndonëse tmerrësisht vonë.