Perllogaritjet teorike per eksperimentin ne Zvicer vijne nga Shqiperia
- Botuar: 17 vite më parë
- Shkruar nga:
Mund të zbulohet se ne jetojmë në një multiunivers si dhe mund të eksperimentohen burime të pastra energjie nëpërmjet fizikës bërthamore". Në një intervistë për gazetën "Shqip", fizikani Artan Boriçi tregon për eksperimentin, dobinë e tij, qëllimin e këtij projekti e mbi të gjitha përgjigjet për spekulimin e rrezikut të vrimave të zeza. Askujt nuk do t‘i kishte shkuar në mendje se në një nga departamentet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, një fizikan i njohur shqiptar bën llogaritjet e algoritmeve në "adresë" të eksperimentit LHC, projekti më i përfolur në të gjithë botën, në media, në diskutime mes besimtarëve dhe shkencëtarëve. Disa e quajnë "fundin e botës", të tjerë "rrezik", si pasojë e krijimit të vrimave të zeza. Të vetmit që e shohin me optimizëm janë fizikanët. Edhe ata shqiptarë. "Asnjëherë nuk dihen përfundimet e një eksperimenti. Ajo që mund të themi është se në rast se krijohen vrimat e zeza, ato do të jenë mikroskopike. Jemi në ankth të përfundimit", thotë profesor Artan Boriçi. Ndërsa shqiptarët që sot e tutje do të fusin në "repertorin" e tyre një tjetër bashkëkombës shumë të rëndësishëm, i cili po ndihmon me emrin e Shqipërisë një nga eksperimentet më të përfolura në të gjithë botën.
Përse është i rëndësishëm ky eksperiment, çfarë qëllimi ka dhe përse do të shërbejë?
Eksperimenti është i rëndësishëm sepse do të testojë teoritë fizike mbi ndërtimin e lëndës dhe forcat në natyrë në përgjithësi, si edhe përllogaritjet e kryera me anë të këtyre teorive. Një nga këto teori është teoria kuantike e kuarkeve dhe gluoneve, ose kromodinamika kuantike. Nëse do ta përfytyronim protonin si një top të rrumbullakët, teoria përshkruan brendësinë e këtij topi me anë të kuarkeve dhe gluoneve. Eksperimenti do të testojë për herë të parë ekzistencën e kuarkeve dhe gluoneve në gjendjen plazmore të temperaturës së lartë. Kjo gjendje është parashikuar tashmë me anë të simulimeve të teorisë në superkompjuter të tipit Blue Gene, në bashkëpunime të ndryshme në Perëndim.
Dimë që ju jeni pjesë e grupit të punës që kryejnë këto llogaritje. Me çfarë do të kontribuojë Shqipëria?
Kontributi i fakultetit tonë është zhvillimi i algoritmeve që u shërbejnë këtyre llogaritjeve. Ne kemi ndërtuar një software, QCDLAB (www.phys.fshn.edu.al/qcdlab.html) dhe një PC-CLUSTER për të ndërtuar prototipin e këtyre llogaritjeve, të cilat më pas zhvillohen në superkompjuter. QCDLAB PC-CLUSTER është një lloj serveri dedikuar vetëm llogaritjeve. Së bashku me pedagogun e Universitetit Politeknik të Tiranës, Alban Allokoçi, kemi ndërtuar këtë server, i përbërë nga 10 PC të lidhura në switch dhe të futura në një rack me 42 njësi. Algoritmet e idetë e zhvilluara në FSHN janë tashmë pjesë e software-ve që ekzekutohen në gjithë superkompjuterët që përdoren për këtë qëllim.
Çfarë është LHC?
Large Hadon Collider, ose Goditësi i Madh i Hadroneve. Pak ditë më parë është kryer testimi i rrethit të LHC-së në të cilin janë lëshuar dy tufave protonike, njëra në sensin orar dhe më pas një tjetër në sensin antiorar. Deri në mesin e vitit tjetër pritet që energjia e tufave të rritet gradualisht, në mënyrë që të fillojnë eksperimentet me goditjen e protoneve në katër vende të caktuara të rrethit të LHC-së, ku janë vendosur detektorët. Një detektor nuk është gjë tjetër veçse një kamera dixhitale gjigande, që kryen qindra miliona fotografi në sekondë të pjesëzave që emetohen si rezultat i përplasjes së protoneve me energji 17 teraelektronvolt.
Çfarë mund të thoni për riskun prej vrimave të zeza?
Këto janë gjepura. Edhe nëse ka një probabilitet të krijimit të tyre, ato do të jenë mikroskopike dhe të paqëndrueshme.
Përse duhet t‘u interesojë ky eksperiment qytetarëve të thjeshtë? Çfarë ndryshimesh do të sjellë ky projekt?
E rëndësishme është të dihet se 99.9 për qind e trupit tonë përbëhet nga hadrone, ose protone, neutrone e bërthama atomike. A nuk është i rëndësishëm për ju trupi juaj? Në fakt, unë do ta përkufizoja LHC-në si një makinë të forcave bërthamore. Ajo që mund të pohoj me siguri është se eksperimenti do të bëjë të mundur njohjen në detaje të forcave bërthamore dhe kjo do të ndihmonte në realizimin e një gjenerate të re reaktorësh bërthamorë me të vegjël, ndoshta të lëvizshëm. Këtu nuk është fjala për design, por për bazën fizike mbi të cilën do të kemi këtë design të ri. A e imagjinoni se çfarë do të thotë të prodhojmë energji të pastër dhe të lirë në 20-30 vitet e ardhshme?
Në fakt, fizikanët janë nisur nga të tjera qëllime dhe jo nga ato që thoni ju?
Është e vërtetë. Eksperimenti ka për qëllim të kapë pjesëzën Higgs, ose bozonin Higgs, grimca e magjishme që i jep kuptim masës si të tillë. Gjithashtu do të testohet teoria e superkordave, e cila na jep dy skenarë: në rast se kapen pjesëzat supersimetrike, ky do të ishte një triumf i vërtetë i kësaj teorie dhe në këtë mënyrë, papritur do të konfirmohej ideja që jetojmë në një botë me 11 përmasa. Më e keqja e mundshme, si përfundim i eksperimentit mund të rezultojë se jetojmë në një univers i cili është përzgjedhur në mënyrë të magjishme prej multiversit, ose sasisë së pafundme të universeve të ndryshme. Në këtë rast do të kishim rrëzimin e parimit të Kopernikut, i cili nuk e vë ekzistencën tonë në një vend të privilegjuar në univers.
A mendoni se ky eksperiment ka shkaktuar polemika mes besimtarëve dhe shkencëtarëve?
Duke u nisur nga sa thamë më sipër, njerëzit mund të spekulojnë. Ekzistenca e shumë universeve sjell spekulime. Këtu bie poshtë parimi i Koperikut, i cili thotë se jemi një qoshe si gjithë qoshet e tjera të universit. Nëse nuk kapet supersimetria dhe teoria e kordave presupozohet e vërtetë, atëherë parimi i tij bie poshtë. Fizikanët në IAS të Princeton janë të mendimit se në këtë rast fizika do të ishte në krizë të njëjtë me atë që ka jetuar 100-150 vjet më parë. Siç e thashë, ky përfundim presupozon diçka që mund të jetë e gabuar: teoria e kordave. Fizikanët, sidomos në SHBA, kanë investuar gjithë karrierën e tyre në këtë teori, aq sa është e pamundur për të menduar gjë tjetër.
Fizikani shqiptar, që llogarit
për LHC me "serverin" e krijuar prej tij
Dr. Artan Boriçi është profesor i asociuar në Universitetin e Tiranës që prej vitit 2003. Më parë ai ka punuar si kërkues shkencor në Universitetin e Edinburgut, në atë Politeknik Federal të Zyrihut dhe në institutin "Paul Scherrer". Pasi diplomohet si fizikan në Shqipëri, ai largohet nga Shqipëria në vitin 1991 për në Zvicër. Atje merr gradën Doktor i Shkencave Matematike në Politeknikun Federal të Zyrihut në vitin 1996. Aktiviteti i tij shkencor shtrihet prej teorive bazë të pjesëzave elementare, te hapësirat e Krylovit në matematikë dhe tek inxhinieria financiare. Ai ka botuar më shumë se 40 libra dhe artikuj shkencorë në revistat më në zë të fizikës dhe matematikës. Artani ka qenë konsulent i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për ligjin e Arsimit të Lartë dhe konsulent i rregullt i institucioneve financiare të huaja dhe të vendit.
Dr. Boriçi aktualisht është kontribuues në zhvillimin e algoritmeve për testimin e teorive më të fundit të grimcave elementare. ://phys.fshn.edu.al/borici.html
Gazeta: Shqip