Permbytjet- Rama PD politike edhe me shiun; Basha Reagim i papergjegjshem

rama-twitter1-525x35011TIRANË, 11 Tetor/ATSH-Gjergji Mima/ -Kryeministri Edi Rama reagoi sot në rrjetin social "Facebook" ndaj deklaratave të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristani lidhur me situatën e përmbyjteve në vend.

"#?VajmedetPD? që bën politikë dhe me shiun e që u qan hallin njerëzve nga streha e Shqupit për qeverinë e keqe që nuk kufizon prurjet e shiut!", shkruan Kryeministri Rama.

Basha: Reagimi i Kryeministrit sulm dhe tallje ndaj opozitës

Ndërsa, kreu i PD, Lulzim Basha, reagimin e kryeministrit e ka cilësuar si sulm dhe tallje ndaj opozitës. "Ky është reagim i një të papërgjegjshmi që nuk ja ndjen për njerëzit, por vetëm për lojën e vet. Lëri lojërat por nis forcat dhe mjetet në ndihmë të të përmbyturve", u shpreh Basha në një deklaratë.

Sa për politikën, vijoi Basha, "sapo doli ministri i Bujqesisë dhe ju deklaroi shqiptarëve se hidrovoret kanë 24 orë që nuk pompojnë sepse ju është prerë energjia. Kur gishti tregon henën tarallaku tregon gishtin".

PD, Ristani: Qeveria të angazhohet plotësisht dhe me urgjencë

Më herët, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani i bëri thirrje qeverisë që të angazhohet plotësisht dhe me urgjencë për të përballuar situatëne përmbytjeve në vend.

"Partia Demokratike me gjithë strukturat e saj po ndjek me shqetësim situatën e rëndë të krijuar nga përmbytjet për qindra familje në Fier, në Vlorë, në Selenicë por dhe në qytete e fshatra të tjera të Jugut dhe në mbarë vendin, ku shirat e dendur që kanë nisur një ditë më parë e po vazhdojnë kanë krijuar pasoja dramatike", tha Ristani me anë të një deklarate për mediat.

Për fat të keq, theksoi ai, "ujërat e rrëmbyer morën jetën e kryefamiljarit Luan Qarri në Radhimë, dhe Partia Demokratike i shpreh ngushëllimet më të ndjera të afërmve të tij, gruas dhe tre fëmijëve".

"Situata mund të përkeqësohet edhe më shumë nga shirat që vazhdojnë në gjithë vendin, ndaj një orë e më parë qeveria duhet të mobilizohet me çdo mjet, instrument dhe burime njerëzore që ka në dispozicion, për të shmangur viktima të tjera në njerëz. Jeta e qytetarëve është prioritet, mbi të gjitha", nënvizoi Ristani.

Sekretari i Përgjithshëm i PD u shpreh se, "Ne i kërkojmë Edi Ramës të lërë keqardhjen për ndeshjen e futbollit që ai nuk e sheh dot në parkun e Kryeministrisë dhe të heqë dorë nga shfaqja mediatike edhe në këto orë të vështira për bashkqytetarët tanë. Të marrë çdo masë përpara se të jetë vonë, që të mos ndodhin fatkeqësi të tjera".

/f.n/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama