Shqipëria do t’i dhurojë Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës 200 mijë euro për lehtësimin e pasojave dhe dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e muajit maj.
Vendimi është marrë një ditë më parë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të qeverisë shqiptare. Në vendim sqarohet se secilit shtetet do t’i akordohet nga 100 mijë euro.
“Kjo ndihmë financiare jepet për lehtësimin e pasojave e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në maj 2014. Ky fond do të përballohet nga fondi i kontingjencës, miratuar për vitin 2014,” thuhet në vendimin e publikuar tashmë edhe në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave.
Vendimi për dhënien e kësaj ndihme financiare vjen në një moment kur pritet një vizitë zyrtare e kryeministrit Edi Rama në Serbi, e paralajmëruar më 22 tetor të këtij viti. Por nga ana tjetër, Shqipëria bashkë edhe me 10 vende të tjera të rajonit kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, ku vendet e rajonit zotohen që të ndihmojnë njëra-tjetrën në rast të katastrofave natyrore.
Në këtë marrëveshje u vu re përjashtimi apo mungesa e disa shteteve, midis tyre edhe Kosovës.
Kujtojmë që në maj të këtij viti, në Serbi dhe Bosnjë më shumë se 100 njerëz u mbytën si pasojë e përmbytjeve masive. Qindra mijëra hektarë me të mbjella dhe banesa u shkatërruan plotësisht, ndërsa dhjetëra ura e rrugë dolën jashtë funksionit.
Një pjesë e dëmeve të shkaktuara në të dyja shtetet, që kapin miliona euro, do të kompensohen edhe nga Bashkimi Evropian, nëpërmjet fondit të ndihmës.