Sipas raportit në fjalë, gjatë kësaj periudhe njëvjeçare vërehet një rritje e volumit të punës, pra edhe e shifrave të krimit. Në total gjatë një viti prokuroria ka trajtuar 32 770 procedime për vepra penale të ndodhura. Por nga ana tjetër prokuroria deklaron se është vendosur mosfillimi për 7793 procedime, që do të thotë rritje prej 11,07% në krahasim me vitin 2010. Bëhet fjalë për materiale të dërguara nga policia apo qytetarët e thjeshtë, për të cilët prokuroria ka konstatuar se nuk kemi të bëjmë me krime. “Organi i prokurorisë është organi kompetent që bën regjistrimin e njoftimit të veprave penale të cilat mund të vijnë nga subjekte e në rrugë të ndryshme. Kjo nuk do të thotë se në çdo kallëzim të bërë ekzistojnë elementët e veprave penale. Me qëllim që të evitohen hetimet e panevojshme, ligjvënësi në nenin 291 të Kodit të Procedurës Penale ka parashikuar edhe të drejtën e prokurorit që në mungesë të ekzistencës së rrethanave për fillimin e procedimit, të japë vendimin e arsyetuar për mosfillimin e procedimit. Në krahasim me një vit më parë ka rritje prej 11,07%”,- thuhet në raportin e prokurorisë. Shifrat flasin për 7424 procedime me 9256 të pandehur që janë dërguar në Gjykatë.
Qytetet
Raporti bën një ndarje të detajuar të krimeve sipas qyteteve ku vihet re se qyteti me shtimin më të madh të kriminalitetit është Berati. “Në prokurorinë e rrethit gjyqësor Berat në vitin 2011 janë regjistruar 889 procedime penale, që do të thotë rritje prej 44,55% në krahasim me vitin 2010. Në prokurorinë e rrethit gjyqësor Pogradec në vitin 2011 janë regjistruar 453 procedime penale, që do të thotë rritje prej 36,44% (për qind) në krahasim me vitin 2010”,- thuhet në raport. Rritje me 23.61% është vënë re edhe në Krujë. Rrethi i katër me rritjen më të madhe të kriminalitetit është Tropoja me 134 procedime penale, që do të thotë rritje prej 22,93% në krahasim me vitin 2010.
Për sa i takon qyteteve ku ka ulje kriminaliteti, vendin e parë e mban Kurbini ku në vitin 2011 janë regjistruar 278 procedime penale, që do të thotë ulje prej 19,42% në krahasim me vitin 2010. Në vend të dytë renditet Durrësi ku vihet re një ulje me 15.24 për qind. Por me gjithë uljen, shifrat e krimit në këtë qytet mbeten ende të larta me 1740 vepra në një vit. Sa i takon qyteteve të mëdha, vihet re se krimi ka ruajtur nivelet që ka pasur. “Në prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë në vitin 2011 janë regjistruar 5126 procedime penale, që do të thotë ulje prej 0,69% në krahasim me vitin 2010. Në prokurorinë e rrethit gjyqësor Vlorë në vitin 2011 janë regjistruar 1489 procedime penale, që do të thotë ulje prej 0,4% në krahasim me vitin 2010”,- thuhet në raportin e prokurorisë. Në fund të listës së kriminalitetit në vend renditet edhe qyteti më i qetë, i cili është ai i Përmetit ku janë regjistruar 94 procedime penale për një vit, pothuajse një krim në katër ditë.
Krimet me sfond seksual
Në total gjatë vitit 2011 në Shqipëri kanë ndodhur 49 krime seksuale, ku pjesa më e madhe janë krime homoseksuale me të mitur. Ndërkohë vepra e dytë më e përhapur e kësaj kategorie është kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë e pasuar nga kryerja e marrëdhënieve homoseksuale me adoleshentë të moshës 14-18 vjeç. “Nga të pandehurit, 6 kanë qenë të pandehur të mitur meshkuj; të pandehur të rritur 38 meshkuj. Në lidhje me arsimin e të pandehurve rezulton se 40 të pandehur janë me arsim deri 9-vjeçar dhe 4 me arsim të mesëm. Sikurse vihet re faktorët kriminogjenë që ndikojnë në ecurinë e kësaj vepre penale kanë të bëjnë së pari me nivelin arsimor të të pandehurve, ku pjesa më e madhe e tyre rezultojnë të jenë me arsim deri 9-vjecar.
Faktorët kriminogjenë që ndikojnë në ecurinë e kësaj vepre penale kanë të bëjnë me arsimimin e personave të marrë si të pandehur si dhe me nivelin e papunësisë”,- thuhet në raportin e prokurorisë.
Vjedhjet po terrorizojnë Shqipërinë
Krimi që dëmton dhe prek më shumë shqiptarët është vjedhja. Shifrat e Prokurorisë së Përgjithshme tregojnë se 40.63 për qind e krimeve që ndodhin në vend janë vjedhje. E përkthyer në shifra konkrete rezulton se vitin që kaloi kanë ndodhur 13 314 vjedhje, ose më shumë se 36 vjedhje në ditë. Por për këtë numër gjigant vjedhjesh, prokuroria ka hetuar vetëm 3409 persona dhe në gjykatë kanë përfunduar vetëm 2644 të pandehur. “Nga të pandehurit, 637 kanë qenë të pandehur të mitur meshkuj (rritje prej 26,13% në krahasim me vitin 2010) dhe 2 femra; të pandehur të rritur 89 femra (rritje prej 53,44% në krahasim me vitin 2010) dhe 2159 meshkuj (rritje prej 24,79% në krahasim me vitin 2010). Në lidhje me arsimin e të pandehurve rezulton se 2193 të pandehur janë me arsim deri 9-vjeçar dhe 618 me arsim të mesëm dhe 53 të pandehur me arsim të lartë. Sikurse vihet re, faktorë kriminogjenë që ndikojnë në ecurinë e kësaj vepre penale kanë të bëjnë së pari me nivelin arsimor të të pandehurve, ku pjesa më e madhe e tyre rezultojnë të jenë me arsim deri 9-vjeçar”,- thuhet në analizën e prokurorisë për këtë vepër penale.
Për sa i përket gjendjes shoqërore nga të dhënat statistikore vihet re se gjithsej nga sektori shtetëror janë regjistruar 33 të pandehur (që do të thotë rritje prej 10 % në krahasim me vitin 2010). Nga këta, 16 të pandehur janë nëpunës i thjeshtë dhe 17 të pandehur janë nëpunës i nivelit ekzekutues. Shifrat tregojnë se pjesa më e madhe hajdutëve banojnë në qytet. “Rezulton se 1721 të pandehur kanë vendbanimin në qytet ndërsa 1126 prej tyre në komuna. Pra tendenca është e tillë që ka një prani më të madhe të këtij fenomeni në zonat urbane. Në lidhje me gjendjen gjyqësore të të pandehurve, theksojmë se pjesa më e madhe e të pandehurve janë të padënuar më parë, 2524 të pandehur, vetëm 202 prej tyre është përsëritës për të njëjtën vepër penale, ndërsa 139 të pandehur janë përsëritës për vepra penale të ndryshme”,- thuhet në raport. E. Janina
Veprat penale që kanë lidhje me zgjedhjet
Janë regjistruar 25 procedime penale, përkundrejt vitit 2010 kur janë regjistruar pranë organit të prokurorisë vetëm 3 procedime penale.
Në vitin 2011 ka një rritje prej 733,33 % (për qind) të numrit të procedimeve të regjistruara për krime kundër personit në krahasim me vitin 2010.
Ka rritje prej 300 % (për qind) të procedimeve të dërguara për gjykim në krahasim me vitin 2010.
Ka një rritje e numrit të të pandehurve të regjistruar përkundrejt këtij totali në vitin 2010 prej 80 % (për qind).
Ka një ulje të numrit të të pandehurve të cilët i janë dërguar gjyqit prej 6,66 % (për qind) dhe kemi nuk kemi asnjë të dënuar nga gjykata për vitin 2011.
Në total janë 28 të pandehur në hetim ndërsa në vitin 2009 në total kanë qenë 15 të pandehur në hetim.
Gjatë vitit 2011 është ngritur akuzë në gjykatë për 14 të pandehur ndërsa në vitin 2010 është ngritur akuza në gjykatë për 15 të pandehur.
Nga të pandehurit, kanë qenë të pandehur të rritur (mbi 18 vjeç) 1 femër dhe 23 meshkuj.
rezulton se 2 të pandehur janë me arsim deri 9-vjeçar dhe 14 me arsim të mesëm dhe 9 të pandehur me arsim të lartë.
Për vitin 2011 vihet re rritje e të pandehur me arsim të lartë për këtë grup veprash penale dhe ulje e të pandehurve me arsim deri 9- vjeçar.
Të dhëna mbi kundravajtjet penale
Janë regjistruar rreth 13902 krime, përkundrejt vitit 2010 kur janë regjistruar rrethe 13766, që do të thotë rritje e këtij treguesi në vitin 2011 prej 0,98% (për qind) në krahasim me vitin 2010;
Janë regjistruar rreth 4043 kundërvajtje penale, përkundrejt vitit 2010 kur janë regjistruar 3618 të tilla, që do të thotë rritje prej 11,74% (për qind) e këtij treguesi në vitin 2011 në krahasim me vitin 2010.
Veprat penale kundër pasurisë
Gjatë vitit 2011 në total janë 3409 të pandehur në hetim.
Për 2644 të pandehur është ngritur akuza në gjykatë, që do të thotë rritje prej 7,26% (për qind) në krahasim me vitin 2010.
Nga të pandehurit, 637 kanë qenë të pandehur të mitur meshkuj dhe 2 femra; të pandehur të rritur 89 femra dhe 2159.