Pero Pejiç zgjidh kontratën me ish-klubin e tij Esteghlali në Iran dhe tashmë është lojtar i lirë. Për të, çdo gjë është e mundur për t'u rikthyer në Shqipëri. Është ish-skuadra e tij Kukësi që nuk e ka harruar beniaminin e saj që në sezonin që luajti shënoi plot 36 gola. Presidenti Safet Gjici hidhet menjëherë në sulm.
Bëhet e ditur se kreu i klubit ka folur me lojtarin dhe kanë arritur një akord në parim, por sulmuesi ende nuk ka vendosur, edhe pse Kukësi është një alternativë mjaft e mirë. Vetë lojtari, në një prononcim për gazetën "Panorama Sport", tregon se çfarë do të bëjë me të ardhmen e tij. Ai konfirmon se ka shumë mundësi që të kthehet në Shqipëri, në një kohë që përveç Kukësit, ka edhe dy-tri oferta të tjera nga klube të Superiores, pasi tani është lojtar i lirë.
Pejiç
"Tashmë jam lojtar i lirë dhe normal që kam shanse të kthehem te Kukësi. Kam kaluar shumë mirë te kjo skuadër dhe këtë e vlerësoj interesimin e tyre. Unë kam lënë ish-skuadrën, sepse ata ma ndërprenë kontratën, ndërsa unë ndërmora hapat ligjorë, i çova në FIFA dhe fitova gjyqin, kështu që mora paratë për dy vitet kontratë që kisha", shprehet fillimisht kroati në lidhje me shkëputjen e marrëveshjes me Esteghlalin.
I pyetur nëse e ndjek Kukësin dhe konkretisht a i ka parë ndeshjet në Kupat e Europës, Pejiç përgjigjet: "Po, e kam ndjekur Kukësin, e pashë edhe humbjen me Austrinë e Vjenës. Ata kanë marrë rezultate të mira, pasi janë një skuadër e konsoliduar, pasi jo më kot kaluan turin e parë. Tani shpresoj që të fitojnë në ndeshjen e radhës, ta përmbysin rezultatin dhe të kalojnë në raundin tjetër". Në lidhje me të ardhmen, Pejiç sqaron: "Mbas finales së Kupës së Shqipërisë ka qenë hera e fundit që kam folur me presidentin e Kukësit, Safet Gjici. Për të ardhmen time është e vështirë ta them tani nëse do shkoj te Kukësi apo jo, pasi momentalisht kam dy-tri oferta të rëndësishme nga Superiorja. Një gjë është e sigurt, fakti që më pëlqen Shqipëria dhe më ka munguar shumë. Aty jam ndier gjithmonë si shqiptar", përfundon prononcimin e tij për gazetën sulmuesi kroat Pejiç.
Tashmë, nga kampi kuksian pritet që presidenti Gjici t'i bëjë një ofertë konkrete financiare shtatlartit. Kreu i klubit kuksian edhe më parë ka thënë që Pejiç e ka derën të hapur te skuadra verilindore dhe ai ka shumë respekt për të dhe për profesionalizmin që ai ka treguar te Kukësi. Tashmë, do të pritet të shihet gjatë ditëve në vazhdim se çfarë do të ndodhë me Pejiç dhe skuadrën e tij të re që do të zgjedhë për të vazhduar karrierën.
Skerdilaid Sulozeqi