Nga kapitulli i parë
Përgjegjësi i një dyqani zarzavatesh vendosi në vitrinë, midis qepësh dhe karrotash, parrullën “Proletarë të të gjitha vendeve, bashkohuni!”
Përse e bëri ai këtë? Ç’deshi t’i kumtonte botës? A mos është ai vallë ndonjë partizan i flakët i bashkimit të proletarëve të të gjithë botës? Kaq larg shkon entuziazmi i tij, saqë ai ndjeu nevojën e papërballueshme për t’ia bërë të njohur opinionit publik idealin e vet? A e ka menduar ai ndonjëherë, qoftë dhe vetëm për një çast, se si do të mund të kryhej një bashkim i tillë dhe ç’kishte për të sjellë ai?
Besoj që me të drejtë mund të supozohet se shumica dërrmuese e shitsave të zarzavateve as që mendojnë mbi tekstet e parrullave të vendosura në vitrinat e tyre, aq më pak pastaj të duan të shprehin me to pikëpamjet e veta.
Atë parrullë shitësit tonë të zarzavateve ia solli furnizimi së bashku me qepët dhe karrotat, dhe ai e vuri në vitrinë, thjesht pse kështu ka bërë prej vitesh, se kështu bëjnë të gjithë, se kështu duhet. Sikur mos ta bënte këtë, mund t’i hapeshin punë; mund ta qortonin pse nuk ka vënë “dekoracion” në dyqan; ndokush bile mund ta akuzonte për mungesë besnikërie. Ai e bëri atë gjë, sepse “ja që duhet”, në qoftë se njeriu do t’i ecë mirë në jetë; sepse kjo “vogëlsi” është një ndër njëmijë të tjera, të cilat i sigurojnë atij një jetë relativisht të qetë “në harmoni me shoqërinë”.
Siç shihet, shitësi as që nuk e vret mendjen për përmbajtjen semantike të parrullës. Ai kurrë nuk e vë një gjë të tillë në vitrinë për arsye se do t’i kumtojë opinionit publik një ide të tijën.
Por sigurisht kjo nuk do të thotë që veprimi i tij nuk ka as shtysë, as kuptim dhe që ai nuk i kumton askujt ndonjë gjë. Parrulla ka funksionin e shenjës. Si e tillë ajo përmban një kumt të fshehur, megjithatë të saktë. Me fjalë të tjera ai mund të shprehej kështu:
Unë, shitësi i zarzavateve XY jam këtu dhe e di mirë se ç’duhet të bëj; unë bëj atë që pritet prej meje; te unë kanë besim dhe askush nuk mund të më akuzojë për ndonjë gjë; unë jam njeri i bindur, prandaj edhe kam të drejtë të jetoj i qetë. Ky kumtim ka natyrisht edhe të adresuarit e vet; ai drejtohet edhe “për lart”, pra eprorëve të shitësit të zarzavateve, është në të njëjtën kohë edhe një mburojë prapa së cilës shitësi u fshihet denonciatorëve të mundshëm.
Kështu pra, me kuptimin e saj të vërtetë kjo parrullë është e ngulitur drejtpërdrejt në ekzistencën e shitësit të zarzavateve: ajo pasqyron interesin e tij ekzistencial. Po ç’interes është ky?
Nga ana tjetër, sikur shitësit të zarzavateve t’i jepnin urdhër që të vinte në vitrinë parrullën “Unë kam frikë, prandaj bindem pa kushte”, ai nuk do të ishte më kaq asnjanës ndaj kuptimit semantik të parrullës. Sadoqë pikërisht ky kuptim përputhet me domethënien e fshehur të parrullës në vitrinë. Shitësi i zarzavateve nuk do të pranonte ndoshta që të nxirrte në vitrinë një njoftim kaq të hapët të poshtërimit të vet, do ta ndiente veten keq, do të turpërohej. Sepse doemos, ai është njeri dhe si i tillë e ka ndjenjën e dinjitetit njerëzor.
Në mënyrë që të kapërcehet ky ndërlikim, pohimi i besnikërisë së tij duhet të ketë formën e një shenje, kështu që së paku nëpërmjet sipërfaqes së tekstit të bëhet lidhja me një sferë më të lartë bindjesh jo-vetiake. Shitësit të zarzavateve i duhet krijuar mundësia që të thotë: “E përse të mos bashkohen fundja proletarët e të gjithë botës?”
Shenja pra ndihmon që të fshihen themelet e “ulëta” të bindjes së tij të përulur, e kësisoj edhe themelet e “ulëta” të pushtetit në sytë e njeriut. Ai i fsheh ato prapa fasadës së sferës “së lartë”.
Kjo “e lartë” është ideologjia.
Ideologjia, kjo gjoja-lidhje personale me botën, e cila i ofron njeriut iluzionin se edhe ai është një personalitet identik me të, i moralshëm dhe me dinjitet, duke ia mohuar në të vërtetë të gjitha këto; ideologjia, kjo kopje false e disa vlerave “mbivetiake” dhe të lira, e cila i krijon mundësi njeriut që të mashtrojë ndërgjegjen e tij, të maskojë përpara botës dhe vetvetes gjendjen e tij të vërtetë, mënyrën e tij të palavdishme të të jetuarit. Ajo është një përligjje produktive, njëkohësisht gati-dinjitoze, “nga lart”, “nga poshtë” dhe “anash”, përballë njeriut dhe perëndisë. Ajo është një vel, me anë të të cilit njeriu mund të mbulojë rrënimin e ekzistencës së tij, rrafshimin dhe përshtatjen e tij me një gjendje të caktuar. Ajo është një alibi të cilën mund ta përdorin të gjithë – që nga shitësi i zarzavateve, që e maskon frikën e vet se mos humbë pozitën shoqërore me një interesim të shtirur për bashkimin e proletarëve të të gjitha vendeve, e deri te funksionari më i lartë, i cili interesin e tij për t’u kapur pas pushtetit mund ta mveshë me fjalë rreth detyrës që ai kryen në shërbim të klasës punëtore.
Ideologjia ka si pikënisje – d.m.th. funksion të saj “alibik” – që t’i krijojë njeriut iluzionin se jeton në harmoni me një rend njerëzor dhe me vetë rendin e universit. Sa më e vogël të jetë fusha e veprimit të një diktature dhe sa më pak e diferencuar të jetë nga pikëpamja e qytetërimit shoqëria që ndodhet në këtë fushë veprimi, aq më drejtpërdrejt vihet në jetë vullneti i diktatorit – pra me një disiplinë “lakuriqe”, d.m.th. pa lidhje të komplikuara të unit me botën, pa shpjegim të unit në këtë botë. Kurse sa më të ndërlikuara të jenë mekanizmat e tregut, sa më e madhe dhe e diferencuar të jetë shoqëria ku ato veprojnë, sa më gjatë të kenë vepruar ato historikisht, aq më tepër do të duhet që të integrohen në të njerëz që ndodhen “jashtë”, aq më tepër rëndësi do të ketë në jetën e tyre “alibia” ideologjike – si një lloj ure që lidh pushtetin me njerëzit, nëpërmjet së cilës pushteti i afrohet njeriut dhe njeriu pushtetit.
Edhe thjesht për këtë arsye ideologjia luan një rol tepër të rëndësishëm në një sistem pastotalitar. Ky mekanizëm i ndërlikuar, me pjesët e veta përbërëse, me shkallëzimet, levat dhe instrumentet e manipulimit të tërthortë, që nuk i lë asgjë në dorë rastësisë dhe që siguron integritetin e pushtetit, as që mund të mendohet pa ideologjinë – si “alibinë” e vet universale dhe si “alibinë” e çdonjërit prej anëtarëve të sistemit.
1978