Episodi më i diskutueshëm i Euro 2016 do të mbetet ai i minutave të para të finales mes Francës dhe Portugalisë. Dmitri Paje ndaloi në mënyrë të parregullt Kristiano Ronaldon, duke i shkaktuar një dëmtim i cili do të ndërpriste para kohe finalen e yllit portugez.
Shumëkush e ka cilësuar këtë një ndërhyrje me dashje të francezit, por shefi i gjyqtarëve në UEFA, Pierluixhi Kolina, e sheh vetëm si një episod rastësor të lojës.
"Le ta sqarojmë që në fillim: ndërhyrja e Paje duhej vërshëllyer. Ishte faull. A e meritonte kartonin e verdhë? Mund të diskutohet, por dinamika e përplasjes, gjuri kundër gjurit, ishte rastësore.
Ishte thjesht një episod pa fat, Paje nuk dëshironte që ta dëmtonte", shpjegoi Kolina në një intervistë për "La Gazzetta Dello Sport", në të cilën e vlerësoi si të suksesshme paraqitjen e gjyqtarëve në Europian.
"Fakti që në 93,7% të rasteve asistentët kanë marrë vendimin e duhur, tregon më mirë punën që është bërë nga gjyqtarët", theksoi ai.