Ai është një nga rekrutët më të rinj të operacionit “Payback”. Në një dhomë gjumi në Londër, 24-vjeçari që është haker kompjuterësh po përgatit armën e tij për betejën e kësaj jave në një luftë kibernetike që sapo ka nisur. Arma e tij është laptopi dhe armiku në këtë rast korporatat amerikane, përgjegjëse për sulmet ndaj “Wikileaks”. Ai ka parë lajmërimet që nisën të dalin në rrjet që nga fillimi i shtatorit. Nëpër dhomat e chat-it, në bordet e diskutimeve në të gjitha mënyrat elektronike të komunikimit nga Mançesteri në Nju Jork e në Sidnej fytyra me buzëqeshjen e veçantë të Guy Fawkes, maskës së famshme, shfaqej duke u bërë të gjithë hakersave thirrje për luftë. Në të gjithë botën nisi grumbullimi i batalioneve të këtyre ushtarëve të info-luftës.
Si shumë konflikte të tjetra ndërkombëtare, edhe lufta e internetit e nisur javës që shkoi nis në rrethana shumë modeste dhe u përshkallëzua nga dita në ditë. Para “Wikileaks”, objektivi fillestar i “Operation Payback” ishte industria amerikane e muzikës, e cila u zgjodh për persekutimin që u bën shkarkuesve të muzikës në internet. Nga kjo zanafillë shumë modeste anticensura dhe anti- copyright, programi i lirisë së shtypit do të përhapej dhe do të merrte një tjetër formë duke ndryshuar kështu edhe objektivat që tani ishin qeveria amerikane dhe disa nga korporatat më të mëdha në botë. Charls Dod, një nga konsulentët e qeverisë amerikane për internetin dhe sigurinë e tij thotë: “Sulmi i hakersave vjen nga bota e hijeve dhe ata nuk kanë frikë për shpagim dhe mbi të gjitha kjo është një luftë që nuk ka rregulla”.
Beteja tani sillet rreth tentativave të mëdha të Uashingtonit për të mbyllur “Wikileaks” dhe si pasojë publikimin e dokumenteve diplomatike konfidenciale. Të enjten e kaluar hakersat ndërmorën sulmin e radhës ndaj atyre që kishin sulmuar “Wikileaks” dhe bëhet fjalë për ikona të korporatave amerikane, firma të kartave të kreditit dhe disa nga kompanitë më të mëdha online. Duket se është edhe përballja e parë mes një rendi të vendosur dhe kulturës së bazës së internetit. Por kjo përplasje e ka zgjeruar spektrin e deritanishëm deri tek ajo që ka të bëjë me fuqinë e rrjetit për të vepruar si një “gjemb” jo vetëm kundër regjimeve totalitare, por edhe të demokracive perëndimore në lidhje me të drejtën e popullit për të pasur informacion dhe përgjegjësisë së mbajtjes së sekreteve. Nga kjo po dalin edhe pyetje thelbësore në lidhje me rolin e vetë rrjetit. Një bloger e ka cilësuar atë që po ndodh aktualisht si “lufta e parë informatike”.
Në zemër të konfliktit është themeluesi i “Wikileaks”, figura enigmatike e Julian Assange, i cili i është vënë një superfuqie që nga ana e saj e konsideron si një “rrezik për sigurinë kombëtare”. E ndërsa ka të ngjarë që të formulohen akuzat amerikane për ekstradimin e Assange në Shtetet e Bashkuara pritet paralelisht edhe përshkallëzimi i kundërsulmeve të hakersave pra kundërsulmi i operacionit Payback.
Objektivat përfshijnë kompaninë e shitjeve më të mëdha online “Amazon”, që tashmë e ka pësuar një herë një sulm disa ditë më parë për shkak të vendimit për të përjashtuar “Wikileaks” nga shërbimet e saj. Veç kësaj objektiva janë edhe polica britanike, apo sajte të politikanëve të rëndësishëm të Uashingtonit. Ka fjalë për një infektim të “Facebook”, rrjetit social që javën e kaluar hoqi një faqe të hakersave që ishin në mbështetje të “Wikileaks”. Kjo mund të arrihet përmes infektimit të të gjitha profileve me një virus që do të shkatërrojë gjithë rrjetin. Askush nuk di asgjë në lidhje me momentin e fillimit të një sulmi të tillë. Të gjithë dinë vetëm se ai do të ndodhë.
Londër
Në orën 9:15 të së martës së kaluar, një siluetë elegante me flokët e bardhë “La Frontline Club”, një institucion në perëndim të Londrës, qëllimi i të cilit është ruajtja e lirisë së medias dhe në mënyrë vullnetare iu dorëzua policisë. Dy javë pas publikimit të shumë materialeve “djegëse” për liderët e botës dhe afera të ndryshme korruptive të para nga prapaskena e diplomacisë amerikane, një urdhër ndërkombëtar arresti erdhi në duart e policisë britanike. Ai ishte nga prokurorët suedezë, të cilët mezi prisnin që ta merrnin në pyetje në lidhje me dy akuza për përdhunim.
Kundërpërgjigjja ndaj publikimeve të “Wikileaks” kishte qenë e ashpër dhe e menjëhershme, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara ku ish-senatori i Arkansasit, Mike Huckabee, tha se ata që i kishin kaluar informacione “Wikileaks” duheshin pushkatuar. Sarah Palin kërkoi që Assange të ndiqej si të ishte terrorist i Al-Kaedës. Vetë kreu i Pentagonit edhe pse Assange u arrestua për një çështje krejt tjetër, deklaroi, pasi dëgjoi lajmin se i vinte mirë.
E ndërsa Assange dorëzohej në polici një aleancë e mbështetësve të “Wikileaks” po përgatiste grumbullimin e fundit për sulmin e parë frontal. Gjithçka nisi me “Amazon”, “Mastercard”, “PayPal”, postën zvicerane të gjitha institucionet që e kishte përjashtuar “Wikileaks” nga shërbimet e tyre. Ky operacion po zhvillohej paralelisht me një tjetër me operacionin e hakmarrjes për Assange, të dy nën ombrellën e “Anonimët”. Bëhet fjalë për aleanca hakersash që janë bërë bashkë nga një dëshirë thuajse e marrë për të parë shumë më tepër liri në botën e informacioneve.
Lufta e rrjetit
Për ditë me radhë “Anonimët” nga dhomat e tyre të errëta të chat-it po vëzhgonin një haker të quajtur Jester, i cili dukej se ishte koordinatori i një sërë sulmesh ndaj provajderave të internetit që mbanin “Wikileaks”. Nga kërkimet doli se ai ndihmohej nga dikush dhe më pas u zbulua se ai punonte për llogari të autoriteteve amerikane. Por tentativat për të nxjerrë jashtë rrjetit “Wikileaks”, edhe nga ana e hakersave të zotë kanë dështuar deri më tani. Largimi i sajtit nga serverat në të cilët kishte qenë deri në atë moment e shtoi aftësinë e sajtit për të qenë online. Mbi 1300 vullnetarë dolën për të mbajtur sajtin online në sajtet e tyre në të ashtuquajturin “sistemi pasqyrë”. Brenda shumë pak ditësh, “Wikileaks” u bë e paprekshme dhe e kudondodhur. Në njëfarë mënyre ky sajt nuk ka qenë kurrë më parë kaq i sigurt dhe i mbrojtur në mënyrë kaq agresive. Ndërsa Assange ndodhet në burg, “Anonimët” janë betuar që të dënojnë të gjitha institucionet që i kanë bërë presion “Wikileaks”. Një nga hakersat e “Anonimëve” tha: “Ka kohë që i vijmë rrotull luftës së internetit. Nuk di nëse do të fitojmë, por di se tani lufta ka nisur”.
Stokholmi
Nuk ishte aspak i papritur akuzimi i Assange për krime seksuale pas publikimit të dokumenteve diplomatike dhe menjëherë pas kësaj avokati i Assange i cilësoi veprime të tilla si politikisht të motivuara, Assange, një hakers edhe ai, mori famë shumë të madhe dhe të beftë dhe në një nga leksionet që mbajti në Stokholm deklaroi se “e vërteta ishte viktima më e madhe e luftës”. Ishte pikërisht pas kësaj konference që Assange shkoi me dy vajza suedeze, të cilat një ditë pas largimit të tij nga Suedia e paditën për “përdhunim”. Sipas botueses së një reviste suedeze, amerikanët ishin me shumë fat që Assange brodhi me dy vajza suedeze, një vend që i merr shumë seriozisht akuzat për përdhunim.
Operacioni “Payback”
Ata që monitorojnë dhomat e chatit të përdorura nga operacioni “Psaperback” thonë se hakersat e tij janë duke u përqendruar në fazën vijuese të luftës pranë “Wikileaks”. Armët e përdorura gjatë javës që shkoi kishin të bënin me ndalimin e shërbimeve, apo funksionimit të sajteve të sulmuara. Sulmet fillestare ndaj postës zvicerane u bënë nga 200 kompjuterë, sipas një burimi të brendshëm të “Anonimëve’ e megjithatë, hakersat ishin të aftë që të grumbullonin mijëra ndjekës dhe mbështetës të “Wikileaks”. Ndërsa në sulmet që u kryen ndaj “Matsercard” dhe “Visa card” u përfshinë 3000 kompjuterë. Liderët e “Anonimëve” nisën që të shpërndanin mjete softuerësh që lejojnë të gjithë ata që kanë një kompjuter t’i bashkohen operacionit “Payback”. Deri më tani 9000 përdorues në Shtetet e Bashkuara e kanë instaluar këtë program. Në vend të dytë vjen Britania e Madhe me 3000 instalime dhe më pas: Holanda, Kanadaja, Franca, Spanja, Polonia, Rusia dhe Australia. Vendi i 11 i përfshirë në këtë sulm është Suedia ku ndodhen edhe serverat masivë të “Wikileaks”.
Sipas shumë ekspertëve të kompjuterëve është e pamundur që të gjesh profilet e atyre që janë përfshirë në një sulm të tillë. Ata janë anonimë, janë të kudondodhur, janë të moshave të ndryshme, madje edhe fëmijë. Ditën kanë një punë dhe natën merren me sulmin. Sipas analistëve “Anonimët” janë një lloj demokracie 24 orëshe që qeverisen nga njerëz rastësorë, nga liderë që shfaqen dhe pastaj zhduken në varësi të objektivit që është për t’u goditur.
Në këtë grup nuk ka një lloj hierarkie dhe organizatorët ndryshojnë vazhdimisht. Kjo i jep grupit një fuqi të madhe dhe i bën të pakapshëm dhe të pagjurmueshëm. Idetë transmetohen nëpër buletine online, vendndodhja e të cilëve ndryshon në mënyrë të vazhdueshme. Një test shumë i rëndësishëm për këtë operacion do të jetë “Amazon” për shkak të përmasës së shërbimeve të saj. Tentativa për të sulmuar sajtin të enjten e kaluar ishte gjysmë e suksesshme, por e guximshme. Tani burimet thonë se për një sulm që të mund të dëmtojë “Amazon” do të duhen 30 deri në 40 mijë kompjuterë dhe ka një ndjesi te të gjithë hakersat se suksesi është i mundshëm. Nëse kjo do të ndodhë atëherë “Amazon” mund të humbasë milionë dollarë gjatë Krishtlindjeve.
Deri më tani, pjesa më e madhe e sulmeve ka qenë kryesisht ajo e përqendruar te kompanitë për destabilizimin e tyre financiar. Objekti ka qenë sajti zyrtar jo dëmi i strukturës së shërbimeve online. Objektiva të sulmit po bëhen edhe dy nga rrjetet sociale më të famshme të internetit “Facebook” dhe “Twitter”. Dhe këto sajte janë vënë tani në një pozicion të vështirë duke e ditur se çfarë mund të bëjë një sulm i përqendruar ndaj tyre. Një tjetër objektiv që po kristalizohet për t’u sulmuar është vetë qeveria amerikane.