Perplasjet mes Nolit dhe Zogut

Perplasjet mes Nolit dhe Zogut
Studiuesi Robert C. Austin, në një studim mbi revolucionin demokratik të vitit 1924, flet mbi marrëdhëniet e vështira mes Fan Nolit dhe Ahmet Zogut. Vrasja e dy shtetasve amerikanë, si dhe vrasja e Avni Rustemit rrit tensionin në vend dhe dyshimet mbi mbretin e shqiptarëve.

Robert C. Austin i ka kushtuar historisë së Shqipërisë gjithë pasionin e tij. Që pas përfundimit të studimeve në Qendrën e Studimeve Ruse të Europës Lindore në Universitetin e Torontos, në Kanada, ai iu përkushtua historisë, ku Shqipëria e viteve ‘20 ishte një terren që e joshi me ngjarjet dhe personazhet që mbartte. Fan Noli, një nga figurat e rëndësishme të historisë sonë, është dhe personazhi historik të cilin Austin e ka studiuar gjerësisht, duke nxjerrë nga arkivat e SHBA-së, materiale nga më të pasurat për t’i përmbledhur më pas në dy libra “Nga Kriza në krizë: Ngritja dhe rënia e vizionit të Fan Nolit për Shqipërinë, 1920-1924”, dhe “Shtegu i pashkelur i Nolit”.

Në këtë të fundit, Austin zgjedh një nga faqet më të diskutueshme të historisë sonë, atë të revolucionit demokratik të vitit 1924, ku në qendër del Fan Noli, një nga personalitetet më të njohura të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Për të bërë këtë rrëfim, Austin ka përdorur dosjet personale të Nolit, dhe aktorëve të tjerë të politikës së kohës. Një pjesë të studimit Austin ia kushton marrëdhënies mes Ahmet Zogut dhe Nolit. Më poshtë po botojmë një pjesë të rrëfimit të Austin, mbi këtë marrëdhënie e cila tendoset më tepër pas vrasjes së dy shtetasve amerikanë.

“Dy vrasje në më në më pak se tri javë u përdorën për të diskretituar qeverinë. E para qe vrasja e dy qytetarëve amerikanë G.B. Del Long 49 vjeç nga Nju Jorku dhe R. L. Koleman 65 vjeç financier nga Kalifornia, të cilët më 6 prill duke shkuar për në Shkodër u qëlluan për vdekje në një pritë në Mamurras. Reagimi i shtypit dhe i qeverisë amerikane qe i ashpër dhe qeveria shqiptare u quajt veçanërisht e implikuar në vrasje. Tradicionalisht, të huajt gëzonin mbrojtjen e “besës”, që ishte garanci nderi që përjashtonte të huajt nga dëmtimi dhe si të tillë ishin të paprekshëm. Veç kësaj, qeveria nuk e përballonte dot shtypin kundërshtar që e paraqiste Shqipërinë si një vend të egër e të prapambetur, mbushur plot me hajdutë dhe vrasës.

Akuza të tilla për mungesë të ligjit u shkonin për shtat dhe fqinjëve të Shqipërisë, që prej kohësh trumbetonin që shqiptarët nuk ishin gati për t’u vetëqeverisur. Lajmi mbi këtë vrasje u përhap me shpejtësi dhe nuk u desh shumë që media ndërkombëtare të hidhte idenë se në këtë çështje ishin ngatërruar ose anëtarë të qeverisë së shkuar, ose asaj aktuale.

Qeveria bëri ç’ishte e mundur që t’u dilte përpara kritikave: Ministri i Jashtëm shqiptar udhëzoi Legatën në Nju Jork që t’i shprehte ngushëllimet qeverisë amerikane; shqiptarët bënë një manifestim në shenjë simpatie përpara Legatës Amerikane; Asambleja mbajti pesë minuta heshtje dhe më 8 prill u mbyllën dyert e dyqaneve në shenjë respekti. Së fundi, në njoftimet dërguar konsullatave jashtë vendit, ministri i Jashtëm theksonte se ishin marrë “masa energjike” për kapjen e vrasësve dhe se “zemërimi i gjithë popullit ishte i papërshkrueshëm”. Mbetet e paqartë se cili qe përgjegjës për krimin. Në fillim u duk se zyrtarët amerikanë në Tiranë menduan që krimi ishte politik” dhe ndoshta i huaj në origjinë dhe i drejtuar gabimisht kundër amerikanëve nga endacakë të marrë megjithëse nga klikat e brendshme u përdor si kapital politik”. Disa elementë përkrahës të Nolit u përpoqën t‘ia linin fajin Zogut.

Në Legatën Shqiptare në Romë, Tefik Mborja, thoshte se vrasjet i kishte organizuar Zogu “së pari me shpresë që të bindte publikun e gjerë se pa të në pushtet siguria e njerëzve kishte marrë fund”. Por, akuza të tilla pasqyronin një program politik. Është e dyshimtë që Zogu të ketë urdhëruar vrasjen e të huajve. Edhe pse nuk mund ta ngatërrosh opozitën me vrasjet, interesave të saj u shërbehej më mirë me krijimin e rrënimit Brenda vendit dhe mosbesimit jashtë duke u përpjekur t’ua vishnin vrasjet urdhrave të Zogut.

Megjithëse është e dyshimtë që Zogu ishte përgjegjës për vrasjet, dhe nuk ka prova të mjaftueshme që të implikojnë grekët, jugosllavët apo opozitën, ato krijuan ndërlikime të rëndësishme për Shqipërinë. Opozita argumentonte se ato ishin një provë më shumë se qeveria nuk ishte në gjendje të ruante ligjin dhe rendin dhe prandaj ajo ishte përgjegjëse për vrasjet. Duke u përpjekur të fajësonte Zogun opozita shpresonte të rriste kapitalin e vet, politik, sepse për shkak të pozitës tradicionale të të huajve në Shqipëri, dhe mendimi që Zogu kishte dhunuar zakonet fisnore, e minoi shumë besueshmërinë e tij. Për qeverinë, kjo qe një mundësi për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila nuk u përdor për të vënë vrasësit para drejtësisë, por për të marrë masa ndaj opozitës.

Në Prefekturën e Durrësit u shpall gjendja e jashtëzakonshme me shtytjen e Asamblesë, megjithëse 17 deputetë (përfshi Nolin dhe Gurakuqin) abstenuan nga frika se qeveria “mund të keqpërdorte pushtetin që kishte në dispozicion” dhe sepse parashikonin që “do të vuanin njerëz të pafajshëm”. Vrasja pati ndikim të rëndësishëm në rrjedhën e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, sepse acaroi qëndrimin e SHBA-së ndaj Zogut ashtu dhe qeverisë së Vërlacit dhe siguroi mbështetjen e Amerikës për Nolin në fillim kur u bë Kryeministër. Edhe pse u arrestuan dy shqiptarët, Vesel Hidri dhe Sefer Hajdar Bega, SHBA-ja mbajti një qëndrim shumë kritik për ngadalësimin e hetimeve. E vënë përballë një gjendjeje të tensionuar që sa vinte e rritej kabineti i Vërlacit, ndërmori plotësimin e disa kërkesave të opozitës. Fitorja më kryesore për stabilitet u arrit më 17 prill kur udhëheqësi i Shkodrës dhe anëtari i opozitës Luigj Gurakuqi, hyri në kabinet si ministër i Financave. Gurakuqi hyri në kabinet me shpresë që të parandalonte krizën që do ta çonte vendin në kaos duke kërkuar mundësisht ndërhyrjen e huaj...

Me Nolin që endej nëpër Vlorë dhe qeverinë që nuk pranonte kompromisin, qendrat e ndryshme të rezistencës gjetën më në fund një shkak për t’u bashkuar: vrasjen e udhëheqësit të Bashkimit Avni Rustemi më 20 prill. Vrasësi, Isuf Reçi, që ishte mbështetës i Esat Pashës nga Avni Rustemi më 1920 në Paris. Megjithatë, opozita përsëri ia hodhi fajin Zogut.

Për të implikuar Zogun në këtë vrasje mund të përdoren tre faktorë: Esad Pasha ishte daja i tij dhe ai mori hak, organizata e Avni Rustemit ishte implikuar gabimisht në atentatin e shkurtit; së fundi, Rustemi ishte radikal i rrezikshëm që gëzonte mbështetje të madhe në të gjithë vendin nga grupet përparimtare e veçanërisht nga rinia. Programi i tij politik, i mëshiruar te “Bashkimi”, drejtohej vetëm kundër klasës sunduese të vendit. Zogu mohoi çdo pjesëmarrje në vrasje dhe përkundrazi deklaroi se vrasja ishte organizuar nga revolucionarët. Pavarësisht se kush qe përgjegjës, vrasja e Rustemit e ndryshoi rrënjësisht gjendjen. Opozita ishte e palëkundur në përpjekjet e saj për t’ia veshur vrasjen Zogut edhe pse në këtë përfundim arritën për arsye të pastra politike. Më pas, në autobiografinë e tij, Noli do të nënvizojë se vrasja e Rustemit ishte “shkaku për fillimin e revolucionit kundër Ahmet Zogut”.

Ky vlerësim është pranuar gjerësisht nga historianët komunistë. Edhe Grand Smith shënonte se “rasti i vrasjes së Avni Rustemit, ishte kapur nga anëtarët e opozitës për të ndërmarrë një revolucion, që me sa duket kishte kohë që komplotohej”. Meqenëse supozohej që Zogu ishte përgjegjës, direkt apo indirekt, ky ishte sinjal për opozitën se ai po bënte plane për të eliminuar fizikisht kundërshtarët e tij. Është gjithashtu e vërtetë se forcat rreth Nolit kërkonin me padurim një shkak për t’u vënë në lëvizje kundër qeverisë dhe të impononin zgjedhje të reja ose ndryshime revolucionare. Tërheqja nga Asambleja vetëm e grupit të Nolit nuk ishte e mjaftueshme për të imponuar ndryshime. Vrasja e Avni Rustemit ishte justifikimi që prisnin forcat antiqeveritare dhe ata e shfrytëzuan deri në fund.

Reagimi ndaj vdekjes së Rustemit në të gjithë vendin qe i ashpër, sepse ajo ishte me të vërtetë një tragjedi. Shtypi i opozitës nxitoi të denonconte bashkëfajësinë e Zogut në vrasje. “Drita” deklaronte se Zogu ishte përfundimisht përgjegjës, sepse kërkonte gjak dhe madje dhe përfaqësitë diplomatike në Durrës dyshonin se Zogu kishte gisht në këtë krim. Halim Xhelo, anëtar aktiv i “Atdheut” dhe “Bashkimit”, deklaronte se Zogu duhej të dënohej si vrasës dhe “si tradhtar duhet të varet”. Rreth 100 telegrame keqardhjeje dhe proteste vërshuan nga i gjithë vendi në qytetin e Rustemit ku deklarohej se vrasja e tij ishte “goditje kundër idealizmit shqiptar” dhe politika e krahasonte atë me patriotin e ri me Naim Frashërin dhe Ismail Qemalin…”

Forcat e opozitës, që kishin marrë zemër nga rritja e ndjenjës antiqeveritare si rezultat i vrasjes së Rustemit, kokëlart iu kundërvunë qeverisë së Vërlacit. Mbas një ceremonie të shkurtër në Tiranë, ku Ali Këlcyra mbajti një panegjirik prekës, trupi i Rustemit u transportua në fortesën e opozitës në Vlorë. Aty u organizua një funeral dhe tubim masiv, ku merrnin pjesë 10 000 njerëz që denonconin krimet e qeverisë. Më 28 prill, Noli denoncoi qeverinë me fjalët më të ashpra, duke deklaruar se në pushtet ishin “antinacionalistët”, se populli s’mund të priste asgjë nga qeveria apo Asambleja dhe se qeverinë nuk e vriste aspak ndërgjegjja për pritat apo për vrasjen e patriotëve si Rustemi.

Më 1 maj, asamblistët e Vlorës shtuan se nuk do të ktheheshin në Tiranë, sepse atje gjendja ishte e rrezikshme. Ishin të pranishëm gati 26 anëtarë të Asamblesë, përfshi Ali Këlcyrën, Sulejman Delvinën, Nolin dhe Gurakuqin, si edhe anëtarë të organizatës “Bashkimi” dhe 5000 fshatarë. Fjalime mbas fjalimesh denonconin ndikimin e Zogut dhe pjesëmarrjen e tij në vrasjen e Avni Rustemit. Noli deklaroi se “opozita u kishte çjerrë maskën krimeve të qeverisë aktuale, se regjimi i kohës ishte i vendosur ta skllavëronte popullin shqiptar nën diktaturën feudale”, dhe se fitorja e liberalizimit do të thoshte përparim i madh në rrugën e qytetërimit dhe zhvillimit ekonomik të popullit shqiptar”.

Mjetet e informimit të opozitës, veçanërisht “Politika”, deklaronin se Zogu po vepronte kundër interesave të kombit, se ai ishte vegël e serbëve dhe sikurse Esad Pasha, edhe ai ishte i vendosur ta bënte Shqipërinë një krahinë të Serbisë. Ali Këlcyra, në një fjalim shumë emocionues, theksonte se vendi ishte “sot në një gjendje shumë të rrezikshme, sepse Ahmet Zogolli qëndron në Tiranë si një përbindësh i egër, që punon kundër kombit në bashkëpunim me agjentë të huaj. Ai është vegël e Serbisë dhe po përpiqet ta copëtojë vendin e ta kthejë në krahinë të saj. Mbas varrimit, Noli dhe mbështetësit e tij vendosën të rrëzonin qeverinë me forcë.

Opozita e vendosur tashmë në Vlorë, i bëri një kërkesë të rëndësishme Këshillit Regjent të vendit dhe u duk se do të kthehej në Tiranë, po qe se kërkesa do të plotësohej. Meqenëse varrimi ishte mbyllur me një deklaratë publike të opozitës për përgjegjësinë e Zogut rreth vrasjes së Avni Rustemit, kjo do të thoshte se kundër tij duheshin ndërmarrë veprime konkrete. Përveç kësaj, nëse qeveria nuk do të ishte në gjendje të plotësonte këtë detyrim themelor, ajo duhej të jepte dorëheqjen përderisa veprimet e saj kishin provuar se ishte e paaftë të mbronte jetën e qytetarëve dhe të miqve.

Pjesa e dytë e ultimatumit tregon se sa shumë rëndësi i jepte opozita dhënies fund të ndërhyrjes së Beogradit. Ajo kërkoi largimin e Ceno Bej Kryeziut, i cili, sipas opozitës, kishte ardhur nga Jugosllavia që të punonte për “shkatërrimin e shtetit shqiptar”. Më poshtë ultimatumi theksonte se toleranca e vazhdueshme e qeverisë ndaj Ceno Bej Kryeziut dhe “bandës së tij” me mercenarë përbënte një akt jokushtetues dhe antikombëtar, sipas neneve të statutit të Kongresit të Lushnjës që flet për paprekshmërinë e territorit shqiptar dhe mosdhunimin e tij nga forcat e huaja të armatosura. Dhunimi i vazhdueshëm i statusit e ka autorizuar dhe detyruar popullin të vërë në zbatimin nenin 127 të statusit për mbrojtjen dhe shpëtimin e atdheut.

Kërkesa për largimin e Kryeziut ishte pasqyrim i nevojës për të ngadhënjyer mbi irredentistët kosovarë. Është gjithashtu interesante të vësh re se, ndërsa historiografia komuniste marrjen e pushtetit nga Noli e interpretonte si revolucion kundër “feudalizmit”, ultimatumi nuk thoshte asgjë për padrejtësitë shoqërore aq të përhapura në atë kohë në shoqërinë shqiptare. Kjo në vetvete tregon se, që në fillim të konfrontimeve të hapura me qeverinë, opozita nuk ka një program të përcaktuar për çrrënjosjen e çifligarëve në vend. Në vend të kësaj, duke e lidhur me Zogun dhe qeverinë me vrasjet dhe ndërhyrjen e huaj, ajo shpresonte në një mbështetje me bazë më të gjerë, meqenëse shumica e asamblistëve të mbledhur në Vlorë nuk ishin ndërkohë të angazhuar në një revolucion shoqëror.

Më saktë, ata kërkonin thjesht largimin e Ahmet Zogut dhe puthadorëve të tij. Vetëm elementët përparimtarë si Noli dhe organizata “Bashkimi” po mendonin për vijimin e një revolucioni shoqëror. Qeveria ndërmori atë çka ajo e quajti “hetim agresiv” për të gjetur vrasësin e Avni Rustemit. Asambleja mbajti pesë minuta heshtje për kujtim të tij dhe botoi një kundërshpallje të gjatë, ku denoncohej veprimtaria e fraksionit të opozitës, në të cilin deklarohej se Ceno Bej Kryeziu s’ishte veçse një kosovar që jetonte në Shqipëri dhe theksonte se kaosi i vazhdueshëm do të shkaktonte shpërbërjen e vendit me anë të ndërhyrjes së huaj, ose nga Italia, e cila, sipas marrëveshjes së Konferencës së Ambasadorëve, ishte garantuesja e pavarësisë shqiptare, ose nga shtetet fqinje të etura për t’u zgjeruar…

Dështimi kryesor i qeverisë ndodhi më 13 maj, kur Gurakuqi dhe dy ministra të tjerë u larguan nga kabineti, duke lënë një kabinet të pastër myslimanë të përbërë nga anëtarë të klasës sunduese tradicionale. Gurakuqi më vonë u kthye në Shkodër për të mbledhur shkodranët në një miting kundër qeverisë së Tiranës. Ai kërkoi që Asambleja të zhvendosej në Shkodër dhe është e qartë se në ditët përpara largimit të tij, Asambleja ishte angazhuar në një betejë të zjarrtë për vendvendosjen e kryeqytetit. Largimi i Gurakuqit nga kabineti i Vërlacit ishte fitore e rëndësishme për opozitën.

Përderisa një patriot i këtyre përmasave dhe i dalluar për durimin e tij po hiqte dorë nga shpresa për ndryshime në Tiranë, ky ishte një tregues i mirë për thellësinë e krizës. Programi i Gurakuqit kishte mbetur i paplotësuar; ai mbështeti shpresat tek opozita, jo jashtë angazhimit për ndryshime shoqërore radikale, por për t’iu dhënë katolikëve dhe shkodranëve një pozitë në Shqipëri që ai mendonte se ua garantonin vlerat kulturore, historike dhe ekonomike. Ai vetë do t’i vihej punës për zgjidhjen e krizës financiare. Pakica katolike për një kohë të gjatë e kishte konsideruar qeverinë e Zogut si armike të katolicizmit.

Sfida shumë serioze që po i bënte opozita qeverisë, kërkonte mbështetje ushtarake. Ndërsa Gurakuqi organizonte mitingje në Veri dhe Noli mbante nën presion qeverinë nga Vlora, ushtria filloi të bashkohej me opozitën. Interesi i ushtarakëve ishte në tri drejtime: ajo e ndiente se po të mos i jepej fund kaosit, gjendja e krijuar mund të shkaktonte ndërhyrjen e huaj nga Italia, ose nga Greqia apo Serbia; së dyti, thënia se Zogu ishte vegël e Beogradit nuk kishte rënë në vesh të shurdhët, sidomos në Shqipërinë e Veriut, ku armiqësia me serbët ishte shumë e madhe, dhe së treti ka të ngjarë që faktori më i rëndësishëm të ketë qenë gjendja shpirtërore e ushtrisë, sepse anëtarët e saj besonin gjithnjë e më shumë se, duke u bashkuar me opozitën, pozita e tyre mund të sigurohej më mirë nga një qeveri e re.

Veç kësaj, siç vëren Grand–Smith, ushtrisë nuk mund t’i besohej në pafundësi mbrojtja e qeverisë, dhe së treti, ka të ngjarë që faktori më i rëndësishëm të ketë qenë gjendja shpirtërore e ushtrisë, sepse anëtarët e saj besonin gjithnjë e më shumë se, duke u bashkuar me opozitën, pozita e tyre mund të sigurohej më mirë nga një qeveri e re. Veç kësaj, siç vëren Grand–Smith, ushtrisë nuk mund t’i besohej në pafundësi mbrojtja e qeverisë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama