Në Perros Guirec të Francës, gjithçka është bërë kuqezi. Arsyeja është e fortë, sepse qyteza pret një prej Kombëtareve që do të marrin pjesë në Kampionatin Europian. Gazetari Blerim Shabani ka publikuar një reportazh të ilustruar me foto për portalin "albinfo.ch".
Reportazhi
Perros Guirec po përjeton një "invazion shqiptar". Në hyrje të qytetit të vogël simpatik, të cepit më veriperëndimor të Francës, janë varur mbishkrimet që me zemërgjerësi na urojnë mirëseardhjen në Shqipëri: "Bienvenue à l`Albanie". Shoferi i autobusit, që më solli nga Lannion për në Perros Guirec, derisa e sheh padurimin tim me zgjatjen e rrugës, më thotë me atë përzierjen simpatike të frëngjishtes me anglishten: "Guirec ist tre big", (Guirec-i është shumë i madh), shoqëruar me një mbyllje syri. Në fakt, kjo qytezë ka rreth 7000 banorë dhe është vendosur në cepin më të skajshëm të Francës.
Perros Guirec do të ishte sidoqoftë emri i fundit që do ta dëgjonte një shqiptar, ashtu siç edhe se ky qytet vështirë të ketë dëgjuar për shqiptarët. Nuk ngjan aspak me qytetet zvicerane. Kombëtarja shqiptare ka vendosur "çadrat" në këtë qytezë. Gjegjësisht ky është vendgrumbullimi i saj këto ditë, për të zhvilluar stërvitjet. Këta flamuj të vegjël e të mëdhenj shqiptarë i ndesh gjithandej në këtë qytet.
Në ndërtesën e bashkisë, në hotelin qendror, në dyqanet e qytezës dhe madje edhe në hyrje të rrugës që të çon te hoteli "L`Agapa", rezidenca e Kombëtares shqiptare. Ky hotel me pesë yje, i vendosur në një hapësirë të gjerë me pisha, është shndërruar në një fortesë në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. Një makinë e xhandarmërisë është stacionuar përballë portës së oborrit të hotelit.
Dy xhandarë nuk të lejojnë, jo të hysh, por as të fotografosh kështjellën nga jashtë. Pasi shohin insistimin, ata thërrasin njërin nga personeli i sigurimit, i cili më legjitimon dhe më tregon pak a shumë të njëjtën gjë: "Nuk mund të hyni". Ndërsa "e zbut zemrën" pak dhe më lejon ta fotografoj "fortesën" nga jashtë. Qyteza jeton këto ditë në shenjë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Pothuajse nuk ka pedonale apo lokale ku nuk sheh flamuj shqiptarë.
Në nisje të rrugës kryesore të qytetit është e vendosur pankarta e madhe, e lidhur në dy shtylla, ku në gjuhën frënge shkruan "Mirë se erdhe Shqipëri", ndërsa, krahas flamujve shqiptarë, gjithkund e ke edhe versionin shqip të mirëseardhjes. Duke qenë qytet i vogël, duket se këtyre njerëzve edhe u bën përshtypje kjo gjë, është njëfarë ngjarjeje që e thyen monotoninë, pak para fillimit të sezonit turistik. Se sa larg ka mbërritur reklamimi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në këtë qytet, e tregon edhe kjo:
Në së paku dy dyqane tekstilesh dhe suveniresh mund të blesh fanella të Kombëtares shqiptare dhe rekuizita të tjera me shqiponjë. Ndërsa nuk ke si të mos habitesh dhe të befasohesh kur në vitrinën e një dyqani veshjesh intime për femra, sheh po ashtu flamuj shqiptarë. Por jo vetëm kaq: e zonja e dyqanit, një grua elegante, tashmë jo shumë e re, ka veshur një kostum kuq e zi. Aq kuq e zi, sa ngjan me kostumet solemne të Shqipërisë.
Nejse, e pyetur nga gazetari për këtë shfaqje, ajo thotë: "Oh jo, nuk e dija! Kjo është veshja ime standarde për punë". Rastësi ose jo, "kuq e zi"- ja, në Perros Guirec është këto ditë kombinimi më i dukshëm i ngjyrave. Në qytetin krenar, me prejardhjen kelte të Bretanjës franceze.