Perse duhet te ndryshojme menyren e jetese?

Përse duhet të ndryshojmë mënyrën e jetesë?

Disa shekuj më parë, edhe në vendet që sot konsiderohen si vende me një mirëqenie të avancuar, uria bënte kërdinë. Ata që hanin në mënyrë të rregullt dhe të bollshme, ishin një pakicë njerëzish me fat, por për sa i takon popullsisë, ajo shtrëngonte vazhdimisht rripin. Sot, gjysma e planetit vazhdon të jetojë në kushte të tilla, ndërkohë që në vendet e zhvilluara ka ushqim, por problemi i madh është konsumimi i tepruar i ushqimeve të gabuara, që shndërrohen në vrasës të vërtetë. Sipas një nutricionisti të famshëm, nëse do të reduktohej deri në masën 10% mbarështimi i kafshëve që kultivohen për mish, do të përftohej një shumë parash e vlefshme për ushqimin e 60 milionë të uriturve në botë.

Dhe ndoshta shndërrimi i njerëzve në vegjetarianë mund të ishte një nga zgjidhjet më të mira në favor të reduktimit të urisë në botë. E ndërkaq, si të ishin “të mallkuar”, janë pikërisht njerëzit e vendeve të pasura ata që vuajnë nga sëmundje të shkaktuara pikërisht nga mënyra e keqe dhe e parregullt e të ushqyerit, nga jeta sedentare dhe mungesa e lëvizjeve, nga përdorimi i tepruar i alkoolit, duhanpirja e kështu me radhë. Dhe pikërisht këto zakone të këqija, kryesisht të të kequshqyerit, janë ndër shkaqet më të rëndësishme të shfaqjes së sëmundjeve të rënda, përfshi kancerin. Ndaj në Perëndim, në vendin ku keqkonsumohet ushqimi, shfaqen shumë shpesh iniciativa masive, të cilat ndërgjegjësojnë njerëzit për ndryshimin e mënyrës së të jetuarit, të të ushqyerit, që janë edhe kushtet parandaluese të shumë sëmundjeve dhe patologjive të rrezikshme. Në fakt, lidhja që ekziston mes të ushqyerit dhe gjendjes shëndetësore të trupit është një fakt i njohur që në prehistori. Njeriu i lashtë dinte se si të bënte lidhjen për efektet që ushqime të caktuara, apo bimë, kishin në organizmin e tij, qoftë për mirë apo për keq. Si pasojë, në kohët e lashta njerëzit ishin të kujdesshëm për ato që fusnin në bark.

Kjo lloj koshience dhe ky lloj ndërgjegjësimi i shoqëruar nga njohja duhet që të bëhet sërish pjesë e njeriut të sotëm, për parandalimin e problemeve të mëdha shëndetësore. Kjo sepse gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, të karakterizuar nga zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë, njeriu ka krijuar një shkëputje të madhe me natyrën. Mënyra e jetesës në shoqëritë e zhvilluara shumë shpesh është një mënyrë në të keqe të shëndetit, që nuk merr parasysh parimet kryesore të të ushqyerit të shëndetshëm. Një nga zakonet e këqija është konsumimi i pijeve me gaz, teprimit me ëmbëlsirat, kremrat, apo ushqimet e shpejta që të heqin dëshirën për ushqimet që janë me të vërtetë të shëndetshme. Me kalimin e kohës është zhdukur zakoni për konsumin e ushqimeve të freskëta, që janë të pasura me vitamina, si frutat dhe zarzavatet. Sipas standardeve normale, një person duhet të konsumojë në ditë 5 porcione ushqimesh të freskëta. Por fatkeqësisht mund të konstatojmë se të rinjtë janë ata që konsumojnë jashtëzakonisht pak fruta dhe perime, duke u dhënë pas ushqimeve gjysmë të gatshme, që konsumohen pas një ngrohjeje disa sekondëshe në mikrovalë.

Por nuk është kurrë vonë për të përtërirë kulturën e konsumimit të ushqimeve të freskëta nga toka, të vajit të ullirit në vend të yndyrave shtazore, apo të asaj që quhet dieta mesdhetare, e pasur me agrume e vitaminë C. Ky ndërgjegjësim vjen nga puna e përditshme që duhet të bëjmë për të kuptuar dhe për t’u bindur se mënyra e jetesës ka një ndikim parësor dhe të drejtpërdrejtë në shëndetin tonë. Dhe jo vetëm kaq, por që një mbikonsumim nga ana jonë shkon në kurriz të vendeve të varfra. Për këtë nuk duhet të mjaftohemi me një fajësim të thjeshtë të elementëve negativë, por me hapjen e mendjes ndaj një mentaliteti të ri të të kuptuarit të jetës në këtë planet jo si një fakt i izoluar, por si një zinxhir gjërash, pjesë e të cilit jemi. Nuk mund të vuajnë të tjerët e të jemi mirë ne, dhe anasjelltas. Shembuj iniciativash të tilla ndërgjegjësuese janë të shumtë. I tillë ishte dhe ai që ndërmori një qytet belg, Gand, për t’u shndërruar në një qytet vegjetarianësh, pra njerëzish që nuk konsumojnë mishin dhe nënproduktet e tij. Shembull i mirë ky, që është ndjekur nga të tjerë.

Si do të jetë bota e së ardhmes, këtë nuk mund ta dimë, sepse siç thotë edhe poeti i famshëm, Kahlil Gibrani: “Bijtë tanë jetojnë në shtëpinë e së ardhmes, ku ne nuk mund të hyjmë, qoftë edhe në ëndërr”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama