Por kjo “e vërtetë” u rrëzua menjëherë sapo media publikoi një tjetër studim sipas të cilit sa u tha më sipër nuk ishte aspak e vërtetë dhe se bën fakt se marrja e hormoneve shtesë nga gratë në një situatë të tillë ishte shumë e rrezikshme, sepse shtonte rreziqet e kancerit të gjirit. Një tjetër studim theksonte se të hash një mëngjes të bollshëm dhe me një meny të pasur edhe të rëndë është shumë i rëndësishëm, ndërkohë që pak kohë më vonë e njëjta gazetë mjekësore publikoi lajmin se e kundërta ishte e vërtetë pra sa më lehtë të hash në mëngjes aq më me energji dhe me entuziazëm e nis ditën e punës.
E shohim që kemi një zinxhir të gjatë thëniesh dhe kundërthëniesh që pohojnë dhe më pas përgënjeshtrojnë njëra-tjetrën në mënyrë të ndryshme edhe pse në kohë të ndryshme. Një numër gjithnjë e më i madh shkencëtarësh janë të mendimit se kërkimet shkencore po krijojnë një kaos të vërtetë te njerëzit dhe te pacientët që vuajnë nga sëmundje, apo situata të ndryshme. Dhe nuk bëhet fjala për një apo për dy studime kontradiktore, por për një numër gjithnjë e më të madh studimesh, të cilat po çojnë në rezultate krejtësisht të gabuara dhe në zbulime të paprovuara plotësisht dhe saktësisht dhe që në të shumtën e rasteve shndërrohen edhe në “vrastare”.
Si rezultat krijohet një sistem që i çon ose më mirë i drejton pacientët dhe mjekët jo në rrugën e duhur, ose më mirë herë në një drejtim dhe herë në tjetrin dhe në regjime që kërkojnë shpesh shpenzime të mëdha financiare dhe nuk sjellin asnjë rezultat, në rastet kur nuk pengojnë. E gjithë kjo situatë që vazhdon prej vitesh është bërë shumë shqetësuese për mjekët, politikëbërësit dhe konsumatorët e këshillave mjekësore dhe medikamenteve mjekësore, pra për të gjithë ne komunitetin e njerëzve që herët ose vonë do të kemi nevojë për këshilla dhe ndihmë të specializuar për një jetë të shëndetshme.
Së fundi, ka nga ata që kanë shpalosur një platformë pas vitesh të gjata të kryqëzatave kundër pretendimeve të pabaza të gjurmëve të ndryshme kërkimore shkencore. Sipas këtij grupi për shkak të informacioneve të pasakta dhe që kundërshtojnë njëri-tjetrin njerëzit po lëndohen e madje edhe po humbasin jetën duke mos e kuptuar se janë pre e një dizinformimi shumë të madh që e marrin fillimisht për të vërtetë të kulluar. Dhe nuk bëhet fjalë për mashtrime, por për gabime në kërkimet shkencore. Sot më shumë se kurrë kur kostot e jetës janë shtruar dhe gjithashtu edhe ato të medikamenteve është shumë e nevojshme që njerëzit të paktën të dinë se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të blejnë. Një nga zgjidhjet e duhura sot dhe në të gjitha kohërat është që të shpenzohen para vetëm për medikamentet që vlejnë. Por nëse bëhen kaq shumë gabime në kërkimet shkencore del se pjesa më e madhe e medikamenteve nuk funksionojnë. Vetëm gjatë dy muajve të fundit janë përmbysur dy nga kolonat më të rëndësishme të mjekësisë parandaluese. Një studim i madh doli në përfundimin se nuk ka fakte që ilaçe të tilla si lipitor dhe creston i ndihmojnë njerëzit që nuk kanë histori me sëmundje zemre. Studimi i bërë nga disa ekspertë biometrikë bazohej në një vlerësim që kishin bërë ndaj 34 mijë pacientëve.
Kostoja e medikamenteve që rekomandohen në bazë të këtij studimi është rreth 20 miliardë në vit dhe tani del që gjysma e kësaj shume shkon me të vërtetë kot. Dhe kjo, sepse sipas shumë specialistëve, menaxhimi i faktorëve të rrezikut kardiovaskular është diçka shumë e paparashikueshme dhe e komplikuar. Në vitin e kaluar, një panel i Institutit të Mjekësisë doli në përfundimin se kryerja e një testi gjaku për vitaminën D nuk ka asnjë vlerë: thuajse të gjithë kanë mjaftueshëm vitaminë D për një shëndet të mirë të kockave dhe nuk është aspak e nevojshme që të merren shtesa vitamine apo pilula kalciumi sikundër është rekomanduar vazhdimisht nga mjekët.
Kostoja e marrjes së vitaminës D nga njerëzit vetëm në Shtetet e Bashkuara në një vit është 425 milionë dollarë. Grupi i mësipërm i mjekëve që duan ndryshimin e gjërave deklaron se qëllimi i tyre nuk është që të shkatërrojnë të gjitha mitet e deritanishme. Sipas tyre, si prova për të vërtetuar dobishmërinë e një ilaçi, apo ato për të vërtetuar mosfunksionimin e tij kanë thuajse të njëjtën kohëzgjatje. Por ndërkohë për të publikuar provat “negative” gjithmonë kalon një periudhë publikimi që shkon deri në 2 vjet. Rezultatet negative qëndrojnë për një kohë të gjatë nëpër sirtarët e mjekëve dhe kërkuesve të ndryshëm me shpresën që një tjetër kërkim do ta rikthejë shpresën dhe do të mësojë të kundërtën. Kjo është e kuptueshme se askush nuk do që t’i ndryshojë gjërat kur bëhet fjalë për qarkullim të miliarda dollarëve nga blerja e medikamenteve apo vitaminave ndihmëse nga masa e gjerë e njerëzve që nisen në këtë blerje pikërisht nga rezultatet dhe rekomandimet e tyre prej mjekëve.
Pikërisht kompanitë farmaceutike kanë një ndikim shumë të madh në publikimin e materialeve dhe studimeve që mund të nxjerrin si të padobishëm të pavlerë, e madje dhe të rrezikshëm një ilaç, apo një medikament. E si rezultat i publikimit me shumë vonesë për medikamentet që nuk kanë vlerë njerëzit vazhdojnë të blejnë, të harxhojnë dhe të shkatërrojnë shëndetin e tyre me “plehra”. Po sa studime biomjekësore janë “negative”? Sipas në studimi të bërë në vitin 2005 dhe të publikuar del se pjesa më e madhe e vlerësimeve për medikamentet ekzistuese janë “negative”. Duke filluar nga testet për ilaçet më të zakonshme e deri tek ato më të ndërlikuara për sëmundje gjenetike.
Ka specialistë të biostatistikave që janë deri diku në një mendje me këtë ide, por është shumë e vështirë që të provohet një teori, ose tezë e tillë. Për këtë do të duheshin modele të ndryshme statistikore. Sipas këtij grupi, një rritje e skepticizmit ndaj kërkimeve shkencore për preparate të ndryshme dhe krijimi i një shqetësimi publik do të shërbente për të furnizuar një ndjenjë të përgjithshme kundër vetë kërkimeve shkencore.
Megjithatë, edhe sikur t’u hedhin revistave shkencore një sy në numrat e tyre në vite do të vëmë re se shumë rezultate të studimeve kanë “firuar” me kalimin e kohës. Dy studime të vitit 1993 dolën në përfundimin se vitamina E parandalon sëmundjet kardiovaskulare. Por një rezultat i tillë është hedhur poshtë tërësisht nga përfundimi i studimeve të mëvonshme dhe më saktësisht në dy studime një në vitin 1999 dhe një në vitin 2000. Bëhet fjalë për studime që janë kryer me mjete kërkimore më të avancuara. Një studim i vitit 1996 doli në përfundimin se terapia me estrogjenë redukton te gratë e moshës së mesme rrezikun e sëmundjeve si parkinsoni apo alzhajmer. Por në vitin 2004 doli një tjetër studim që përmbyste një rezultat të tillë.
Studime të shumta kanë konkluduar se antidepresantët e zakonshëm që përdoren rëndom nga njerëzit kanë një ndikim të keq te njerëzit, pasi ndryshojnë situatën e tij kimike. Por kjo është hedhur poshtë. Dhe lista mund të vazhdojë kësisoj e pafund.
Por sigurisht jo të gjitha zbulimet për ilaçet dhe ato që dimë apo dëgjojmë përditë për mënyra të ndryshme shërimesh apo kurimesh janë tërësisht të gabuara. Për shembull jemi të bindur që duhani të merr jetën dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim, apo obeziteti dhe pesha shumë e ulët të shkurtojnë jetën, apo kontrolli i tensionit të redukton mundësinë e goditjeve në zemër. Ja çfarë këshille që mund t’u jepej konsumatorëve në një kohë dhe situatë të tillë: mençuria mjekësore që i ka rezistuar provës së kohës ka më shumë shanse që të jetë e drejtë sesa përfundimet që dalin herë pas here në revistat shkencore.