Perse humbi e djathta

Perse humbi e djathta

Albert Rakipi dhe Afrim Krasniqi u pergjigjen pyetjeve lidhur me humbjen e zgjedhjeve te 23 qershorit nga e djathta. Cilat ishin arsyet e humbjes? Me cilat sfida kryesore përballet qeverisja e re? A është e saktë të thuhet se ky rotacion i dytë paqësor, është shenjë pjekurie e demokracisë, që do të japë impakt pozitiv në jetën politike e sociale të vendit?

Albert Rakipi: Arroganca, shpërfillja dhe imponimi zemëruan shqiptarët
 
Cilat janë arsyet e këtij rezultati kaq të rëndë për të djathtën?


Pike së pari mendoj se  rikthimi në opozitë  i Partisë demokratike, pas tetë vjetësh në pushtet,  është  krejtesisht normal. Mirëpo ky  argument  nuk ështe i mjaftueshëm  për të kuptuar dhe shpjeguar rezultatet  e dobëta dhe zhgënjyese që u arritën në këto zgjedhje.  Rezultatet  duken  edhe më të dobëta  dhe shumë më shumë zhgënjyese, për shkak të perceptimit  që u krijua.  Dhe ky perceptim ishte se të dyja palet janë shumë afër dhe diferenca  e rezultateve do të jetë e vogël.


Shumë faktorë dhe zhvillime kanë ndikuar në krijimin e ketij perceptimi: Së pari, Partia Demokrtatike  dhe në mnëyrë  të veçantë kryeministri Berisha, pothuajse  shmangën çdo mëdyshje për mundësinë e një mandati të tretë. Fushata e socialistëve më 2005 ishte krejtësisht e vakët dhe askush nuk dyshonte për kthimin e Partisë Demokratike në pushtet pas tetë vjetësh në opozitë. Ndërsa  tre muaj përpara këtyre zgjedhjeve, opozita publikisht deklaronte  se do t’i kishte të sigurta  72  vende në parlament.


Gjithashtu, në krijimin e këtij perceptimi ndihmoi edhe ushtria  mediokre e analistëve që mbushin ekranet  e televizioneve  dhe që flasin me arrogancë për gjithçka, sepse mendojnë se janë ekspertë për gjithçka. U krijua një realitet i gënjeshtërt, që në fakt nuk kishte lidhje me njerëzit dhe jetën e tyre.


Dhe këtu mendoj se duhen kërkuar rezultatet e dobëta  të Partisë Demokratike dhe jo humbja në zgjedhje, sepse ajo është normale dhe do të kishte qenë normale për çdo parti,  në kushtet e një krize ekonomike.


Arroganca dhe shpërfillja e njerëzve ndonjëherë është një faktor më i rëndësishëm sesa varfëria apo papunësia. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2004,  Partia e kryeminsitrit Aznar ishte të pakëtn  12 deri në 15 përqind përpara  socialistëve të Zapateros. Aznar kishte dhënë dorëheqjen, duke prezantuar edhe kryetarin e ri të partisë, që do të ishte edhe kryeministri i ri. Zgjedhjet dukeshin thjesht një formalitet që duhet  te kryhej. Por ndodhën sulmet terroriste dy ditë përpara zgjedhjeve dhe qeveria e fshehu faktin që  sulmi qe kryer nga Al Qaeda dhe jo nga  ETA, siç në fakt përpiqej qeveria ta paraqiste. Por e vërteta doli në dritë dhe spanjollët dolën masivisht në zgjedhje, duke sjellë socialistët në pushtet, të cilët në fakt  u ndjenë shumë të habitur nga kjo fitore “e rënë nga qielli”.


S’ka dyshim se ka shumë faktorë të tjerë që çuan në këtë  humbje të thellë, sic ishin për shembull  premtimet  gjigante për  qindra mijëra vende pune. Shikoni sjelljen politike në Itali dhe në Shqipëri: kryeminsitri i njërës prej pesë vendeve më të industrializuara në botë, si Italia, premton hapjen e 200 mije vendeve të punës, ndërsa në Shqipëri premtohen 300 mijë vende të reja pune.
Besoj se ndajmë të njëtën pikëpamje, se pati edhe premtime të  tjera, gjithashtu gjigante. Ndërkaq duhet shpjeguar edhe fenomeni  LSI, suksesi i jashtëzakonshëm i kësaj partie. Kjo kërkon reflektime  dhe kërkime të tjera, por një pyetje themelore qëndron: A e shikojnë shqiptarët LSI si modelin që duhet ndjekur dhe pse?


Mund të ketë edhe faktorë të tjerë, por dëshiroj të rikthehem tek  faktori thelbëbsor i kuotave të ulëta  që arriti PD në këto zgjedhje. Partia Demokratike solli pluralizmin në Shqipëri, ajo është partia e lirisë. Anëtarësimi  i vendit në NATO dhe heqja e murit të vizave, si dalja e dytë nga izolimi, janë arritje të shkëlqyera që lidhen në fakt me lirinë  e njeriut. Vlerat, përparësitë dhe fitoret e Partisë Demokratike janë të lidhura me këtë identitet që ka të bëjë me lirinë. Çdo hap që shkon kundër kësaj është i gabuar.  Çdo largim, deformim nga  këto vlera, nga ky identitet, mbart një çmim  të rëndë për t’u paguar.


Arroganca, shpërfillja, imponimi i të njëjtave fytyra në qeveri për tetë vjet, imponimi  herë-herë i   standarteve të ulëta  dhe shumë të ulëta dhe fryma përjajshtuese, mund të ketë zemëruar mjaft njerëz,  madje besoj edhe demokratë. Qendrojnë ndërkaq edhe çeshtjet e korrupsionit dhe kultura e pandëshkueshmërisë për njerëz që e vunë veten mbi ligjin, për shkak të parave apo pozitës publike.


Ka  dy qasje  për të  kuptuar  dhe shpjeguar  humbjen e thelle të PD.  E para, të fajësosh  të tjerët,  shkurt të gjesh një armik siç është në natyrën e shoqërive ballkanike, e dyta ta ballafaqosh partinë,  qeverisjen e  saj, me vlerat dhe identitetin, ideologjinë  për të cilën është krijuar dhe për të cilën e kanë votuar shqiptarët. Unë jam i sigurtë që PD ka zgjedhur dhe do të zgjedhë të dytën.
 
Me cilat sfida kryesore përballet qeverisja e re?


Ekonomia është e para. Dhe kam frikë se është shumë më keq sesa mendohet.  Por megjithë këtë  unë mendoj se problemi  themelor në Shqipëri është shteti i dobët, shkalla e  ulët e funksionalitetit. Standartet e ulëta  në arsim, në sistemin e shëndetësisë,  lidhen pikë së pari me shtetin e dobët. Duhet,  mendoj, konsesus  dhe një pakt për shtetin...
 
A është e saktë të thuhet se ky rotacion i dytë paqësor, është shenjë pjekurie e demokracisë, që do të japë impakt pozitiv në jetën politike e sociale të vendit?


Ka qënë një  javë historike për Shqipërinë, shkruan Andi Balla në editorialin e  djeshëm të “Tirana Times”. Dhe s’mund të mos jem veçse plotësisht dakort me të. Zgjedhjet pothuajse brenda standarteve ndërkombëtare, kanë lejuar transferimin e pushtetit nga  qeveria tek opozita. Humbësi ka pranuar humbjen dhe ka uruar kundërshtarin. Kjo ka munguar gjatë më shumë se dy dekadave. Mendoj  se  jemi duke shkuar drejt fundit të një epoke që është dominuar nga konfikti i thellë politik, që është lidhur me pushtetin dhe zgjedhjet. Pas zgjedhjeve të vitit 2005, është hera e dytë që ndodh transferimi i pushtetit nga qeveria tek opozita.  U deshën më shumë se dy dekada për të mbërritur këtu, por nuk duhet të harrojmë një trashëgimi shumë të rëndë në komunizëm, si dhe përvojat  e pakta  liberale dhe aq më pak demokratike në historinë moderne të Shqipërisë.. Ndërkaq mendoj se duhet pritur sesi do të akomodohen dhe si do të sillen fituesit me pushtetin.
 
 
 
Afrim Krasniqi: U ndëshkua një ofertë korruptive dhe niveli skandaloz qeverisës


Cilat janë arsyet e këtij rezultati kaq të rëndë për të djathtën?


Një humbje e përmasave të tilla nuk lidhet vetëm me një, por me disa arsye. Arsyeja kryesore është vota kundër arrogancës së pushtetit dhe sistemit korruptiv që ajo krijoi. Presioni absurd ndaj biznesit, qytetarëve, administratës, medias dhe publikut krijoi një hendek të madh midis qytetarëve dhe ekipit të vogël klientelist që drejtonte me mospërfillje, arrogancë dhe mentalitet sunduesi. Arsyeja e dytë lidhet me nivelin e lartë korruptiv të ofertës së saj politike. PD nuk kërkoi votë për ndryshime, por votë për të vijuar me këtë sistem, pa e prekur atë, pra me kërkesa minimaliste për standardet e jetës, shtetit dhe politikës. Arsyeja e tretë lidhet me protestën qytetare ndaj sjelljes arrogante të vetë kryeministrit, dhe përpjekjet e tij për të njësuar demokracinë dhe sistemin qeverisës me vetveten, deklarimet e tij se do jetë në pushtet edhe dekada të tjera apo përpjekjeve të tij për të imponuar elitën politike, elitën ekonomike, elitën kulturore dhe madje edhe opozitën. E fundit mendoj se ishte niveli skandaloz i moralit qeverisës; emra anonimë dhe pa pikë kredibiliteti u emëruan në postet më të larta shtetërore, pazaret e votave dhe posteve deformuan sistemin konkurrues, pafuqia për politikë të pastër dhe rritja e peshës në pushtet e bëri familjen dhe rrethin kryeministror një rrezik për shoqërinë, një dukuri negative që të kujtonte më shumë bllokun e periudhës komuniste sesa klasën drejtuese të një vendi në NATO që pretendon BE-në.
 
Me cilat sfida kryesore përballet qeverisja e re?


Është e para mazhorancë që vjen në pushtet e papërgatitur për ardhjen. Ajo iu përkushtua shumë rotacionit, pa projektuar në terma afatgjatë administrimin e pushtetit. Ndryshe nga 1991, 1992, 1996, 1997, 2005, etj, është mazhoranca e parë që vjen e kushtëzuar në pushtet, një parti me projekt, vota e pritshmëri dhe një partner që ka prioritete, interesa dhe projekte paralele politike. Rama kërkon të krijojë profil ekzekutiv, të reformojë sistemin dhe të mirëqeverisë, Meta kërkon kryesisht të përmirësojë imazhin e tij personal, të administrojë fitoren e papritur të partisë së tij dhe të mos lejojë që rritja e socialistëve të shndërrohet në kërcënim për votat e tij të majta. Pra janë dy synime paralele, shpesh edhe kundërshtuese. Sfida kryesore e mazhorancës së re do jetë menaxhimi i fitores, aftësia për të ndarë pushtetin politik, për të ruajtur klimën e fitores dhe shpresës dhe për të shkruar e më pas jetësuar disa prej premtimeve themelore elektorale. Asaj i mungojnë burimet e nevojshme financiare dhe ajo ndeshet me hendekun që shkaktohet nga kërkesat e shumta brenda llojit për pushtet me mundësitë/hapësirat e kufizuara për të plotësuar ambicie kaq të shumta në ndarjen e pushtetit.  Problem tjetër themelor është raporti midis pritshmërisë së madhe dhe pamundësisë apo mungesës reale të vullnetit politik të mazhorancës së re për ta përmbushur këtë pritshmëri. P.sh, është premtuar reformim tërësor i sistemit politik përfaqësues, por tani ky premtim vjen në kundërshtim me interesa afatshkurtra të partive brenda mazhorancës së re, ndaj sfidë do mbetet aftësia e saj për të tejkaluar vetveten dhe interesat e ditës.
 
A është e saktë të thuhet se ky rotacion i dytë paqësor, është shenjë pjekurie e demokracisë, që do të japë impakt pozitiv në jetën politike e sociale të vendit?


Po, ishte rotacion shumë më paqësor se më 2005, i krahasueshëm vetëm me vitin 1992. Merita, më shumë sesa e politikës, është e qytetarëve që krijuan një hendek të thellë në votat midis palëve. Vota ishte masive kundër absolutizmit dhe përpjekjeve të zëvendësimit të republikës me de facto monarkinë. Ky është trend pozitiv për demokracinë. Ana tjetër, fenomeni i trafikut dhe tregtisë së votave si dhe zëvendësimi i një modeli negativ duke votuar një model tjetër negativ si LSI, konfirmon problemet e kulturës dhe vetëdijes demokratike në Shqipëri. Vetë PD u gjend në pozitë të paimagjinueshme prej saj, në raportet politike të vitit 1991, me më pak se 30% pushtet përfaqësues duke mbetur një opozitë formale numrash në parlamentin e ri. Ndaj ajo duhej të pranonte çdo verdikt dhe të përfitonte prej humbjes për ta menaxhuar se sa më pak kosto, siç bëri me deklarimet e fundit, njohjen e rezultatit, dorëheqjen e Berishës etj. Kështu ajo humbi pushtetin, por investoi në një sjellje politike të re për të, pozitive për vendin dhe me siguri, të detyrueshëm për të gjithë pas 2013-ës. Pasojat e rotacionit do jenë pozitive në terma afatshkurtra dhe afatgjata. Gjithsesi shpejtësia e thjeshtësia sipërfaqësore sesi po ndodh, rrezikon të injorojë problemet reale të zgjedhjeve, cilësinë e dobët të garës dhe brendësisë së saj, problemet e korrupsionit dhe aftësisë së shoqërisë për distancim nga fenomene të tilla dhe për më tepër, rrezikon që rotacionin ta bëjë formal, një ndryshim karrigesh pa prekur dhe as reformuar sistemin.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama