Mosfjetja mjaftueshëm
Kjo gjë mund të ketë efekte negative mbi përqendrimin dhe punën. Një person i rritur duhet të flejë 7-8 orë çdo natë. Nuk ju zë gjumi? Përpiquni të bëni një jetë sa më të rregullt. Mos darkoni në orët e vona të darkës, mos mbani kompjuterë e celularë në krevat. Nëse problemi vazhdon, edhe pasi keni ndjekur këto rregulla, atëherë konsultoheni me një doktor: ka gjasa që të keni çrregullime me gjumin.
Gërhitja në gjumë
Ndoshta orët e gjumit janë të mjaftueshme, por gërhitja gjatë natës mund të ketë efekte negative. Bëhet fjalë për një shqetësim në frymëmarrje gjatë gjumit, e karakterizuar nga zhurma të padurueshme dhe mbytje. Detyroheni të zgjoheni herë pas here nga mungesa e ajrit. Fenomeni zgjat pak sekonda, por përsëritet shumë herë gjatë natës, duke shkaktuar stres të madh. Ç’duhet bërë? Në rast mbipeshe, duhet medoemos të dobësoheni, të mos pini duhan dhe të flini me një pajisje të veçantë.
Marrja e një sasie të vogël kalorish
Ashtu si ngrënia e pakët që nuk iu jep mjaftueshëm energji, edhe konsumimi i ushqimeve të gabuara mund të jetë një burim problemesh. Zgjidhja është të ndiqni një dietë të ekuilibruar, që iu ndihmon të mbani gjatë një dozë të caktuar sheqernash dhe të parashikojë humbjet. Është shumë e rëndësishme të hani mëngjesin. Përpiquni të përfshini proteina dhe karbohidrate në çdo vakt.
Anemia
Për femrat ky është një nga shkaqet kryesore të lodhjes. Humbja e gjakut gjatë ciklit menstrual mund të shkaktojë mungesë të hekurit. Rruazat e kuqe të gjakut janë shumë të rëndësishme sepse çojnë oksigjenin në inde dhe organe. Nëse keni mungesë hekuri, atëherë ndiqni një dietë të pasur me mish pa dhjamë (shumë i ushqyeshëm është mishi i kalit), mëlçi, aragosta, fasulet.
Depresioni
Depresioni është çrregullim i humorit, por nuk ndikon vetëm në gjendjen shpirtërore: shqetësimi shfaqet edhe me simptoma fizike. Lodhje, dhembje koke, mungesë oreksi, çrregullim të gjumit, këto janë vetëm disa nga shenjat më të zakonshme. Nëse ndiheni të lodhur dhe poshtë me moralin prej disa javësh, duhet të konsultoheni me një doktor. Zgjidhja do të ishte psikoterapia, e shoqëruar me pirjen e disa ilaçeve qetësuese të dhëna nga një specialist i mirë.
Shumë kafeinë
Ju duket absurde një gjë e tillë? Nuk është aspak kështu. Është e vërtetë që kafeina të nxit të vraposh, duke rritur përqendrimin. Por kur është në sasi të tepruar, rrezikon të rrisë presionin e gjakut dhe nervozizmin. Kështu, në fund shkakton lodhje fizike dhe mendore. Cila do të ishte zgjidhja? Pakësimi i konsumimit të çajit, kafesë, çokollatave, pijeve me gaz që përmbajnë kafeinë.
Infeksionet urinare
Shfaqen me dhembje dhe ndiejnë nevojë të urinojnë shpesh, megjithatë jo gjithmonë shfaqet me shenja kaq të dukshme: ndonjëherë, shenja e vetme është lodhja. Dyshimi hiqet duke bërë një analizë që mund të konfirmojë me shpejtësi nëse keni një infeksion. Zgjidhja e vetme janë antibiotikët.
Diabeti
Kjo sëmundje e ndalon organizmin të përdorë në mënyrë korrekte energjinë që vjen nga marrja e ushqimeve. Në organizëm mbetet në qarkullin shumë glukozë, gjë që duhet të kthehet në burim energjie. Si pasojë diabetikët ndiejnë lodhje. Diabeti luftohet duke ndryshuar stilin e jetesës: duke ndjekur një dietë të shëndetshme, duke bërë ushtrime fizike, duke nisur një terapi me insulinë dhe ilaçe.
Problemet kardiake
Në këtë rast, lodhja është e pranishme gjatë gjithë ditës. Personi përton të lëvizë, të hedhë këmbët apo të kryejë ndonjë veprim tjetër. Kjo mund të jetë shenjë që zemra juaj ka një problem. Në këtë rast duhet të konsultoheni menjëherë me mjekun. Ndoshta mund të jetë e nevojshme të ndryshoni mënyrën e jetesës, të ndiqni një terapi farmakologjike dhe të bëni kontrolle të vazhdueshme.
Në rast se lodhja nuk lidhet me asnjë nga këto shkaqe, zgjidhja mund të jetë shumë e thjeshtë: bëni sa më shumë ushtrime fizike. Disa studime thonë se lodhja luftohet edhe me një energji të dhënë nga një program modest ushtrimesh. Mjaftojnë 20 minuta ecje normale në natyrë. Tri herë në javë janë të mjaftueshme për t’u ndier më mirë.