Pabesia bashkëshortore është konsideruar tradicionalisht një "punë burrash", por në shumë vende perëndimore statistikat flasin se tashmë ajo është edhe "punë grash". Një nga shkaqet është padyshim barazia financiare mes partnerëve, mundësitë e shumta me të cilat gratë përballen kur janë në punë dhe për më tepër në punë me orë të zgjatura, apo larg shtëpisë. Të gjitha këto janë shtysa për këtë fenomen gjithnjë e më të përhapur. Ndërsa në të shkuarën gratë detyroheshin që të vazhdonin edhe martesa tërësisht të konsumuara, sot shumë prej tyre vendosin që t‘i lenë lamtumirën një njeriu, që sipas tyre nuk e meritojnë ta kenë përkrah. Veçanërisht vendime të tilla merren kur fëmijët janë në një moshë të rritur dhe dy bashkëshortët, të mbetur tashmë përballë njëri-tjetrit, e kuptojnë se nuk kanë më shumë gjëra të përbashkëta.
Por ndërsa disa gjëra ndryshojnë, ka të tjera që mbeten të njëjta. Kështu, për shembull, nëse në të shkuarën, apo edhe në të tashmen, ka gra që për hir të së shkuarës, fëmijëve, apo konvencioneve të tjera janë të afta t‘i falin partnerët që i kanë tradhtuar, kur bëhet fjala për tradhtitë e grave, burrat nuk ka shans që të shprehin ndonjë shenjë zemërgjerësie. Feminizmi mund t‘u ketë dhënë grave mundësitë dhe hapësirat që të bëjnë si burrat, por nga ana tjetër burrat e kanë shumë të vështirë që të falin. Për një grua të tradhtuar, një marrëdhënie jashtëmartesore nga ana e së shoqit është një ofendim që i bëhet dinjitetit të saj. Ndërsa për një burrë të tradhtuar, ofendimi ka të bëjë me anën e tij mashkullore dhe tradhtia atë e godet në thelbin e identitetit. Një rast tjetër është ai i një dizajnuesi 47-vjeçar, i cili u nda nga e shoqja kur ajo nisi një marrëdhënie intime me mikun e tij më të mirë. Pasi zbuloi tradhtinë, fjalët me të cilat ai përshkruante gjendjen në të cilën ndodhej ishin: "I goditur", "I pafuqishëm". "Unë dhe ime shoqe prej 11 vitesh po kalonim një periudhë të vështirë.
Kishim tre fëmijë dhe së fundmi stresi ishte shtuar edhe nga vdekja e tim vjehrri. Pavarësisht kësaj, isha i bindur që marrëdhënia jonë do të përmirësohej me kalimin e kohës. Një ditë ime shoqe, që rrinte në shtëpi, më tha se donte që të kthehej në punë, sepse kishte marrë një ofertë për sekretare nga një miku im i ngushtë, që punonte në një agjenci imobiliare. Unë u ndjeva mirë, sepse mendova se kjo do të na lidhte me njëri-tjetrin, edhe pse tani më duhej që të kujdesesha edhe për fëmijët, por një ditë miku im më vuri përballë fakteve dhe më tha se kishte rënë në dashuri me time shoqe dhe se të dy kishin vendosur që të jetonin së bashku. Në ato çaste doja që ta qëlloja, ta rrihja, por e dija që një skenë inati dhe shpërthimi do të më bënte të ndihesha më keq më pas. Doja që të isha një zotëri deri në fund dhe të mos dëmtoja njeri. Megjithatë nuk kishte shanse që unë ta falja time shoqe, edhe sikur ajo të ishte rikthyer, qoftë edhe për hir të fëmijëve", rrëfen Chris. Por përveçse humbi familjen, ajo çka Chris përjetoi ishte edhe një goditje në thelbin e tij mashkullor. I dukej se nuk ishte një mashkull i zoti dhe kaluan 5 vjet para se të takonte dhe të kishte marrëdhënie me një tjetër femër. Më pas u martua për herë të dytë, por sërish nuk ka mundur që të flasë me gruan e parë. Mungesa e faljes nga ana e meshkujve mbetet një fakt kokëfortë dhe i pakundërshtueshëm, që vështirë se do të ndryshojë. Kjo vjen sepse për meshkujt, komponenti seksual i tradhtisë është shumë më i rëndësishëm se për gratë. Ndërsa një grua e pyet burrin që tradhton "A e do atë?", një burrë e pyet gruan "A ke shkuar në shtrat"?
Kjo bën që tradhtia bashkëshortore të përbëjë një nga rastet e vetme që meshkujt nuk falin në një marrëdhënie dhe që për të janë gati të shkatërrojnë edhe martesën e familjen së bashku. Për sa u përket shkaqeve të tradhtive, ato janë të njëjta si për meshkujt, ashtu edhe për femrat: dëshira për të qenë në qendër të vëmendjes, për të qenë të përkëdhelur dhe të mikluar. Kur në një marrëdhënie gjëra të tilla mbarojnë, atëherë tradhtia është e pashmangshme. Megjithatë ka çifte të mençura, që para se të shkojnë në gjykatë, vendosin që të dialogojnë e të flasin për problemet e tyre me zemër të hapur dhe me sinqeritet. Në fund të bisedave të tilla, zakonisht duhet të merren vendime drastike: lënie pune, apo sakrifica të tjera, por të gjitha këto në emër të një të mire të madhe e të përbashkët: familjes.