Ka nga ata që janë 85-vjeçarë, ka edhe të rinj, 32 vjeç. Ka nga ata që kanë publikuar shumë dhe kanë kolana të tëra që mbajnë firmën e tyre dhe të tjerë që sapo e kanë nisur udhën e botimit të veprave të tyre të para. Gazeta spanjolle “El Pais” u ka marrë mendimin 50 shkrimtarëve të ndryshëm në lidhje me arsyen që i bën të shkruajnë. Secili prej të pyeturve ka dhënë përgjigjen e tij. Disa janë të shkurtra si ajo e Umberto Eco: “Shkruaj sepse më pëlqen”, të tjera janë më të gjata dhe më të shtjelluara.
Ka nga ata që e konsiderojnë të shkruarën gjënë e vetme që dinë të bëjnë në këtë jetë, të tjerë që e kanë edhe mjet fitimi të mirë, ka të tjerë që thonë se është i vetmi profesion që i plotëson dëshirën e të çuarit vonë nga shtrati dhe atë të të rënit në orët e para të mëngjesit. Të tjerë e kanë si një sfidë për të imagjinuar atë që nuk ka ndodhur ende dhe në njëfarë mënyre kështu marrin rolin e një profeti. Një tjetër thotë se shkruan, sepse duke shkruar gjen përgjigje për pyetjet e shumta që ka pasur që në fëmijëri për botën dhe jetën në përgjithësi. Gjithsesi, në këtë tërësi përgjigjesh ia vlen që të kujtojmë edhe përgjigjen që i ka dhënë kohë më parë kësaj pyetjeje i madhi Beckett: “Shkruaj sepse vetëm të shkruarit më ka mbetur”.
Shakom Auslander
Shkruaj për të shmangur për të vrarë veten, apo për të vrarë dikë tjetër. Deri tani e shoh se ia kam dalë mbanë. Por vetëm për momentin, ama.
Andrea Camilleri
Shkruaj, sepse është gjithmonë më mirë se të ngarkosh dhe të shkarkosh arka në tregun qendror të qytetit. Shkruaj sepse është e vetmja gjë që them se di ta bëj. Shkruaj sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’u dedikoj diçka nipërve të mi. Shkruaj, sepse në këtë mënyrë më kujtohen të gjithë njerëzit që kam dashur dhe vazhdoj të dua në jetë. Shkruaj, sepse më pëlqen që të rrëfej histori. Shkruaj sepse më pëlqen që pasi të jem lodhur të pi një krikëll birrë që më shijon më shumë se çdo gjë në botë. Shkruaj sepse më duket se u kam një borxh të gjithë atyre shkrimtarëve që u kam “marrë’ përmes leximit të veprave të tyre.
Umberto Eco
Shkruaj, sepse më pëlqen.
Nathan Englander
Shkruaj, sepse kam dëshirë që të vendos rregull në kaos.
Ken Follet
Gjëja e parë që mendoj sapo çel sytë kur çohem në mëngjes është të shkruaj skenën, ose dialogun e ardhshëm të librit tim. Kjo është gjëja që më zbavit dhe më motivon më shumë. Është fantastike t’i dedikohesh diçkaje që di ta bësh mirë. Më zbavit të shkruarit, por fjala “zbavit” është një fjalë që në fakt për hir të së vërtetës nuk e rrok gjithë idenë e asaj që dua të them në këtë rast me atë që përjetoj kur shkruaj. Akti i të shkruarit më pasionon. Përfshin gjithë intelektin tim, emocionet e mia, përfshin gjithë atë që jam në botë dhe mënyrën se si funksionoj si qenie njerëzore. Gjithçka është pjesë e sfidës për të “joshur” lexuesit e mi. Puna ime më përfshin të tërin dhe bëhet fjalë për një përfshirje që i ngjan një magjepsjeje të gjatë, që nuk merr fund kurrë dhe që ndërpritet shkurtimisht vetëm nga nevojat njerëzore që më duhet të kryej për të vazhduar jetën time, e cila përbëhet thelbësisht dhe kryesisht nga gëzimi dhe pasioni i të shkruarit. Pra, unë jetoj për të shkruar dhe duke shkruar jetoj.
Mark Haddon
Romani, poezia, teatri, piktura, fotografia…në realitet nuk ka rëndësi se cila nga këto zhanre është me mua.
Një ditë që nuk arrij që të bëj diçka, sado e vogël qoftë ajo gjë, më duket një ditë e çuar dëm, një ditë e vdekur si një qelizë e vdekur që nuk i hyn më në punë askujt. Një javë pa krijuar diçka në çfarëdolloj zhanri arti më duket një javë tmerrësisht e dhimbshme, sepse për mua dhimbja ka ndjesinë e kotësisë.
Ndonjëherë mund të të duket një bekim të ndihesh kështu, pra që të ndihesh shumë i qartë në ndjesinë tënde, në aspiratën tënde shpirtërore për atë që dëshiron. Por shumë shpesh është një dhimbje sepse të dish atë që dëshiron me të vërtetë nuk është gjithmonë e njëjta gjë me atë që duhet ta dish edhe ta bësh mirë. Ka shumë raste që përpiqesh të realizosh atë që ke në mendje, por nuk ia del dot. Kjo ndoshta sepse nuk ke gjetur mjetin e duhur shprehës, pra në këtë rast zhanrin e duhur të artit. Por mund të ndodhë të kuptosh se nuk ka ende një zhanër të tillë që të arrijë të shprehë brendinë tënde emocionale. Gjithsesi, të shkruarit është ai që i afrohet më shumë kësaj brendie dhe materializimit të saj.
Ajo çka urrej më shumë është të më thonë se çfarë duhet që të bëj, si duhet ta bëj, të më japin modele dhe shabllone për shembuj. Edhe pse zakonisht jam një njeri që më pëlqen shumë të shoqërohem me njerëz në rastet kur krijoj, apo jam në dellin e krijimtarisë dua që të jem tërësisht vetëm, edhe sikur të bëhet fjalë për ditë, javë, apo muaj të tërë. Jam si një grua e barsur që dëshiron ta sjellë në jetë fëmijën e saj në izolim të plotë nga qeniet e tjera vetëm me të dhe emocionin e asaj që po ndodh. Tani të dalim te pyetja se përse shkruaj: E vetmja përgjigje që di të jap është se shpeshherë nuk di të bëjë gjë tjetër për t’u shprehur në mënyrën që dua.
Adam Haslet
Shkruaj për të udhëtuar në jetët e të tjerëve.
Javier Marias
Siç e kam thënë edhe në shumë raste të tjera shkruaj për të mos pasur një shef mbi kokë, për të qenë i lirë në të gjitha ato gjëra që nuk janë të lira në jetën e përditshme. Shkruaj sepse është i vetmi profesion që më jep mundësinë që të çohem vonë në mëngjes dhe të mos rrezikoj që të më përzërë njeri nga puna. Shkruaj edhe pse nuk ka shumë gjëra të tjera që të di ti bëj kaq mirë sa të shkruarit dhe të shkruaj më pëlqen më shumë sesa të përkthej, apo të jap mësim, çka gjithashtu di t’i bëj dhe i bëj herë pas here për kënaqësi, apo për nevoja nga më të ndryshmet. Shkruaj edhe pse nuk dua të takoj ata që nuk i dua dhe për të mos përshëndetur ata që nuk dua t’i përshëndes, por e kam një detyrim për ta bërë një të gjë tillë.
Shkruaj, sepse besoj se mendoj shumë më mirë para një makine shkrimi sesa në çdo pozicion tjetër, apo vend tjetër.
Shkruaj romane, sepse kjo gjini letrare ka aftësinë që të na mësojë atë që nuk e njohim ende, që nuk na është dhënë ende. Kështu, madje thotë edhe një nga personazhet e librit tim të fundit.
Ajo që nuk kam bërë kurrë dhe shpresoj që të mos e bëj është të shkruarit për nevojë financiare. Në një situatë të tillë mund të ndodhte që të bllokohesha plotësisht dhe të mos isha në gjendje më që të shkruaja asnjë rresht tjetër. Por sigurisht duke qenë se të shkruarit është edhe një punë dhe në shumë raste me fitim shumë të madh nuk më vjen keq që t’ia marr edhe frytet financiare kësaj pune.
Colum McCann
Shkruaj, sepse bota nuk i ka dëgjuar ende të gjitha historitë dhe njerëzit kanë ende për të parë dhe mësuar. Aftësia e të shkruarit ka të bëjë edhe me aftësinë për të imagjinuar fakte që vazhdojnë të ndodhin dhe që ekzistojnë edhe mijëra histori që presin penën e një shkrimtari për t’u thënë.
Patrick McGrath
Shkruaj për t’i dhënë formë krijimit të imagjinatës sime që në të kundërt do të vdiste në heshtje dhe në errësirë
Stefan Merrill Bloc
Shkruaj, sepse të shkruarit është e vetmja gjë që bëj që më duket se e ka një kuptim.
Amelie Nothomb
Më pyesin shpesh se përse kanë zgjedhur që të shkruaj. Në fakt, nuk jam unë që kam bërë një zgjedhje të tillë. Është si të dashurohesh. Ti nuk zgjedh thjesht të dashurohesh me dikë pa një proces selektiv. Është një gjë të cilës ti i dedikon gjithë energjinë tënde, të gjithë mendimet, gjithë kohën. Të shkruarit është si të bësh dashuri. Duhet të jesh me të, për të në të gjitha dimensionet.
Mario Vargas Llosa
Shkruaj, sepse mësova të lexoj që i vogël një letërsi të mirë që më futi në një botë ëndrrash më bëri që të përjetoja përvoja shumë entuziaste e ndryshoi jetën time tërësisht dhe në një mënyrë kaq të mrekullueshme sa mendoj se ishte vërtet një bekim.
Në një farë mënyre të shkruarit është vazhdim ia asaj ndjesie të provuar që për mua nuk ka të dytë. Unë citoj shumë shpesh një frazë shumë të famshme të Floberit: “Të shkruarit është mënyrë jetese”. Të paktën në rastin tim ka qenë pikërisht kështu. Është bërë qendra e gjithçkaje që bëj në atë pikë sa nuk do ta konceptoja jetën time asnjëherë pa shkrimin, pra pa letërsinë.