Perse shkruajne shkrimtaret?

Perse shkruajne shkrimtaret?
Mjerisht, fusha ku veprojnë disa njerëz, i njëson ata me më të shquarit e asaj fushe. Kështu shkruante Leon Tolstoi, shkruante Dostojevski, shkruante Hygoi, shkruante Balzaku, shkruante Dikensi, shkruante Dantja dhe quheshin shkrimtarë; shkruan dhe çdo grafoman tjetër dhe quhet, po ashtu, shkrimtar! Kompozonte Betoveni, kompozonte Bahu, kompozonte Hendeli dhe quheshin kompozitorë; kompozon sot edhe ai që bën një “rep” dhe quhet, edhe ai, kompozitor! Pikturonte Da Vinçi Mona Lizën, pikturonte Rembrandti e të tjerë si këta dhe quheshin piktorë; një tjetër që hedh sot disa njolla boje në një beze, e quan veten, po ashtu, piktor! Skulpturonte Mikelanxheloja Davidin dhe të tjera kryevepra dhe quhej skulptor; skulpturon sot edhe skulptori modern, amerikani Paul McCarthy, dhe paraqet jashtëqitjen e tij dycopëshe në përmasa të mëdha, rreth dy metra, dhe quhet përsëri skulptor!

Për ironi, ky skulptor e paraqiti “kryeveprën” e tij në Bienalen e Katërmbëdhjetë të Skulpturës në Carrara, në Itali, në vitin 2010, në qytetin e skulpturës, në qytetin ku janë minierat e mëdha të mermerit, të mermerit që i ka transformuar në mrekulli Mikelanxheloja i famshëm e shokët e tij dhe, përsëri për ironi, Bienalja ia pranoi kryeveprën dhe publiku ia pa. E, po ashtu, librat e grafomanëve dhe të mediokërve, mbushin raftet e librarive dhe lexuesit i lexojnë. Ç’padrejtësi u bëhet të aftëve nga të paaftët, të vërtetëve nga sharlatanët!

Këto ditë, disa gazeta shqiptare, si nga ato që dalin të shtypura, si nga ato që dalin në internet, përkthyen dhe botuan një anketë të bërë nga gazeta spanjolle “El Pais”, me nja pesëdhjetë shkrimtarë, kryesisht spanjollë, por edhe amerikanë, anglezë, italianë etj., që pyeteshin për të thënë se përse shkruanin. Në një nga gazetat që del në internet, në hyrjen shpjeguese të anketës, përkthyesi apo paraqitësi shqiptar, thotë: “Kuptohet, përgjigjet ishin nga më të ndryshmet dhe shumica e tyre më lanë mbresa, disa për thjeshtësinë, të tjera për humorin, të tjera akoma për sinqeritetin, por që të gjitha të linin të kuptoje se ishin formuluar nga burra e gra të mençura…”.

Dhe ja se ç’thonë “me mençuri”, disa nga shkrimtarët e intervistuar, në përgjigje të pyetjes se përse shkruanin: “Shkruaj sepse truri im komunikon më mirë me duart se sa me gjuhën…”, “Shkruaj sepse nuk di të shkruaj…”, “Shkruaj sepse është shumë më mirë se të shkarkosh arka te tregu i qytetit…”, “Shkruaj sepse nuk di të kërcej tango, të luaj në ndonjë vegël muzikore, të zgjidh probleme matematike të vështirë, të vrapoj në maratonën e Nju Jorkut, të përshkruaj trajektoren e planetëve, t’u ngjitem maleve, të luaj futboll…”, “Siç e kam thënë edhe në raste të tjera, shkruaj sepse nuk dua të kem një shef te koka dhe të ngrihem herët në mëngjes…”, “Shkruaj për të fshehur paaftësinë për të bërë gjësendi tjetër…”, “Sinqerisht nuk e di…”, “Do të më duhej të them se shkruaj meqë nuk di të bëj gjësendi tjetër…”, “Shkruaj, ngaqë vetëm kështu shmang idenë për të vrarë veten apo të tjerët. Ia kam dalë. Hë për hë…”, “Shkruaj, ngaqë thellë-thellë jam mazokist”…

Edhe përgjigjet e shkrimtarëve të tjerë nuk qenë shumë larg këtyre përgjigjeve “të mençura” që citova.

Unë, për veten time, vërtet nuk kuptova se ku shfaqej mençuria e atyre shkrimtarëve. Të them të drejtën, asnjë përgjigje nuk më tërhoqi vëmendjen, aq më shumë për mençuri. Përkundrazi, m’u duk se anketuesi i gazetës spanjolle kishte shkuar në një azil të marrësh dhe kishte intervistuar njerëzit që gjeti aty, që të gjithë pretendonin se ishin shkrimtarë.

Filozofia e absurdit, filozofia e budallallëkut, filozofia e kotësisë, filozofia e lënies së njerëzve pa një mision jete, duket se ka pasur efekt në fund të shekullit që lamë dhe në fillim të shekullit që jemi, sidomos te të fantaksurit që shpesh njësohen me shkrimtarët dhe artistët, por edhe te njerëzit e zakonshëm.

Asnjë nga shkrimtarët e intervistuar nuk kishte parasysh lexuesin. Asnjë nuk thoshte se donte të shërbente në njëfarë mënyre. Secili kishte parasysh veten. Secili, me budallallëk, shfaqesh egoist. Asnjë altruist. Por e keqja nuk është këtu. E keqja është se njerëzit i lexojnë ata dhe ushqehen me prodhimet e tyre, formojnë mentalitetin dhe identitetin, humbasin orientimin, humbasin aftësinë për të dalluar të bukurën nga e shëmtuara, të vlefshmen nga e pavlefshmja, të mirën nga e keqja! Nuk thoshte kot Gandi: “Është humbje kohe jo vetëm kur rri kot, por edhe kur lexon kot, kur lexon libra pa vlerë”. Madje, do të shtoja unë, nuk është vetëm humbje kohe, por është edhe humbje orientimi. Libri i keq të bën dëm.

Gandi, i cili nuk ishte shkrimtar nga profesioni, me autobiografinë që nxori, vërtetoi se dinte të shkruante dhe dinte të shkruante shumë bukur, shumë më bukur se shkrimtarë që kanë bërë emër, pa le më se shkrimtarë si ata që u intervistuan nga gazeta spanjolle. Mënyra se si shkruante ai, i lë me turp edhe ata që mbahen për shkrimtarë “të mëdhenj”. Dhe kështu ka ndodhur edhe me të tjerë njerëz të mëdhenj, që nuk e kanë pasur profesion shkrimin, por kur kanë shkruar për të thënë diçka që ia vlente, kanë treguar se dinë të shkruajnë shumë më mirë se ata që e mbajnë veten për shkrimtarë, jo vetëm për nga cilësia e shkrimit, nga rrjedhshmëria e tij por, sidomos, nga temat dhe problemet që trajtojnë, nga çështjet që preokupojnë ata e që janë po ato që preokupojnë edhe shoqërinë, edhe botën. Lexo Çërçillin, lexo Ainshtainin, për të marrë vetëm dy shembuj dhe do të vëresh se me çfarë force shkrimi paraqesin ata thellësinë e mendimit të tyre!

Një shkrimtar i mirë, një shkrimtar i madh, paraqet bukur dhe shtjellon mirë një ide të rëndësishme, një ide që t’i vlejë lexuesit dhe shoqërisë. Ai nuk shkruan që të dallohet si shkrimtar, që të mburret se është shkrimtar, që t’i shtojë lavdinë vetes si shkrimtar, që të tregohet interesant, duke treguar histori të rëndomta të fantazuara pa kurrfarë vlere. Ai nuk shkruan se nuk ka se ç’të bëjë tjetër, se nuk di se ç’të bëjë tjetër, se ka sëmundjen e grafomanit dhe nuk mund të rrijë dot pa shkruar. Por, ai nuk shkruan as për të përfituar, duke u bërë propaganduesi i një regjimi imoral dhe as për të diskredituar një regjim imoral, pjesë e të cilit kishte qenë vetë më parë.

Shkrimet e shumta të Gandit, për shembull, apo edhe ato pak përkthime të tij, kishin të gjitha për qëllim të shërbenin: t’u shërbenin indianëve dhe Indisë, t’i emanciponin ata, të shpejtonin arritjen e pavarësisë dhe ta shpejtonin atë duke përdorur vetëm metoda morale. Asgjë nuk mendohej, asgjë nuk shkruhej jashtë këtyre qëllimeve.

Ja se ç’thotë ai në autobiografinë e tij për arsyen se përse shkruante në gazetë: “Javë pas jave zbrazja shpirtin tim në kolonat e saj dhe parashtroja parimet dhe praktikat e satiagrahës (të luftës jo të dhunshme), ashtu siç i kuptoja unë. Nuk mbaj mend kurrë të kem shkruar ndonjë fjalë të pamenduar mirë, një ekzagjerim apo diçka thjesht për t’u pëlqyer. Gazeta u bë për mua një stërvitje në vetëkufizim dhe për miqtë, një mjedis nëpërmjet të cilit ata mbeteshin në lidhje me mendimet e mia”.

Krahasoni tashti mençurinë dhe idealizmin e Gandit jo shkrimtar me idiotësinë e “shkrimtarëve të shquar” që ka intervistuar gazeta spanjolle!

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama