Më datë 25 shkurt 2016, Ministria e Arsimit dhe Sporteve (MAS) botoi në faqen e saj online një urdhër të ministres Lindita Nikolla, të datës 23 shkurt, për shpalljen e konkursit për një numër tekstesh të reja shkollore për vitin akademik 2016-2017.
Ministria u ka bërë thirrje botuesve të librit shkollor që të konkurojnë me librat e tyre, për vitin e ri shkollor që do të fillojë në shtator. Tekstet duhet të jenë në përputhje me programet e reja mësimore 2016-2017, të miratuara para pak kohe, dhe në respektim të standarteve të teksteve shkollore të miratuara nga MAS-i.
Afati i dorëzimit të teksteve në konkurim është 25-27 prill 2016, ndërsa fituesit do të shpallen më 20 maj 2016.
Në fakt, këto tekste, kur të jenë në duart e fëmijëve, vitin që vjen, nuk do të jenë aspak reflektim i standardeve që ka përcaktuar MAS-i apo dhe i programeve të reja të ideuara nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit. Këtë gjë e kupton çdo njeri që merret me mënyrën e përthithjes së informacionit nga fëmijët dhe, për rrjedhojë, edhe përcjelljes së informacionit tek fëmijët, për përthithjen sa më të mirë të tij.
Duke shkelur haptazi përfundimet e literaturës mbi këtë fushë, por, gjithashtu, duke shkelur haptazi edhe atë ç'ka është edhe njerëzisht e mundshme, dhe, mbi të gjitha, duke ofenduar të gjithë prindërit dhe nxënësit të cilëve ajo u shërben, Ministria e Arsimit u kërkon shtëpive botuese të dorëzojnë tekstet e tyre në konkurs për dy muaj.
Komedia e këtij akti është tragjike. Personalisht, nuk njoh askënd që mund të shkruajë një libër për dy muaj, edhe pse njoh shumë që shkruajnë vepra shkollore, vepra akademike, letërsi artistike, letërsi gazetareske, etj.
Dhe, realisht, nuk është e mundur të shkruash një libër për dy muaj (të mos përllogarisim këtu që një pjesë e kësaj kohe është pjesë e dedikuar për dizenjimin grafik të librit, kështu që një libër duhet të shkruhet në pak a shumë 6 javë, sipas afateve të ministrisë).
Nga biseda me një kolegen time e cila punon me shtëpinë botuese ndërkombëtare të teksteve shkollore Houghton Mifflin Harcourt, mësova që autorëve u kërkohet të punojnë për një tekst shkollor minimalisht 2 vjet të plotë.
Ky libër (cilido nga ata) i bërë për 2 muaj do të jetë një libër me të cilin do të mësojnë fëmijët e Shqipërisë.
Por, vallë, ç'do të jetë, ky libër i bërë për rreth 6 javë?
Përse tallet Ministria e Arsimit me fëmijët e Shqipërisë?