Zakonisht lidhjet nisin në mënyrë shumë të pafajshme dhe me kalimin e kohës, ndërsa dy persona fillojnë e thellohen, në marrëdhënie lindin edhe emocionet dhe gjithçka bëhet më serioze. Por, sido që të ndodhë, ka një moment të caktuar kur të dyja palët e kuptojnë që tashmë e kanë kaluar linjën e lejueshme dhe kanë hyrë në domenin e një marrëdhënieje të një tjetër natyre. Ndjenja e parë që përjetohet është mrekullimi, sepse të dy kanë qenë të uritur për një tejkalim të tillë të një marrëdhënieje shoqërore. Nga ana tjetër, pas mrekullimit të parë vjen ndjenja e fajit dhe dhimbjes për kë do të vuajë nga kjo marrëdhënie e re. Veçse, dy njerëz që ndihen mirë, janë edhe dy tradhtarë njëkohësisht, çka askush nuk do të donte që të ishin. Nëse njerëzit nuk duan të divorcohen, dhe për këtë ka shumë arsye, që nisin nga fëmijët, arsyet financiare, apo paragjykime të ndryshme, atëherë ata nisin të mashtrojnë, të shndërrohen në tradhtarë, që shpesh i bën të ndihen të rëndomtë. Njerëzit nuk duan të divorcohen, edhe sepse ata nuk duan që të shfaqen si humbësa e si dështakë në sytë e botës. Në këto kushte, zgjedhja që bën shumica e personave të martuar që kanë një marrëdhënie është që të vazhdojnë edhe marrëdhënien jashtëmartesore, edhe martesën, duke rrezikuar që të krijojnë një telash të madh, por edhe një ulje të vetëvlerësimit. Me kalimin e kohës, ndjenja e fajit duket e menaxhueshme, pasi martesa vazhdon dhe ata ndihen të bekuar nga Zoti që kanë edhe martesën, edhe këtë dhuratë të bukur që është partneri i ri, i cili u fal ndjenja që mendoheshin si të harruara. Por, a mund të zgjasë një gjë e tillë?
Jo, kurrë. Nuk është e mundur. Është thjesht një iluzion në grackën e të cilit bien të gjithë. Të qenit në dy marrëdhënie njëherazi nuk mund të zgjasë shumë, sepse ngarkesa është shumë e madhe dhe herët a vonë njëra ose tjetra marrëdhënie është e destinuar të mbarojë. Është si një shtëpi prej letre. Sa më shumë që vazhdon të qëndrojë në këmbë, aq më shumë rrezikon që të shembet me puhinë e parë. Vjen një moment dhe shumë shpejt presioni rritet e themelet e brishta nisin të lëkunden. Personi që po tradhton përpiqet që të ketë gjithçka nën kontroll, të vazhdojë të mbajë një status quo, t‘i mbajë gjërat të pandryshueshme, por tashmë nuk është më në duart e tij. Nga ana tjetër, dy personat e tjerë në këtë lidhje, bashkëshorti/ ja ose i/e dashura, nisin të bëjnë presion dhe situata mund të shpërthejë.
A kapet me "presh në dorë" shumica e njerëzve? Po. Në pjesën më të madhe të rasteve ndodh. Në historitë që kam dëgjuar, gjithmonë ndodh që pala që tradhton ka raste kur nuk tregohet e kujdesshme dhe kështu pala tjetër gjen prova, apo fakte të vogla, që e çojnë në përfundimin se diçka po ndodh pas shpinës së tyre. Në raste të tilla, sherri dhe zbulimi i lidhjes është i pashmangshëm. Në një rast të tillë, cila është këshilla që do të jepnit: duhet të tregojnë të vërtetën, apo të mohojnë gjithçka?
Ky është një moment shumë-shumë i rëndësishëm. Personalisht jam një person shumë partizane e së vërtetës. Do të rrezikoja gjithçka për hir të së vërtetës, pasi një gënjeshtër, edhe pse mund të shmangë një sherr në një moment të caktuar, nuk do ta shmangte atë për një kohë të gjatë. Situata do të akumulonte dhe do të shpërthente sërish herët ose vonë. Por edhe e vërteta ka rreziqet dhe pasojat e saj. Kur ti vendos të thuash të vërtetën, duhet të marrësh parasysh gjithë dëmin, ndonjëherë të pariparueshëm, që do t‘i shkaktosh palës tjetër. Kjo e fundit mund të bjerë në depresion, në dëshpërim, mund të pësojë një humbje të thellë të vetëbesimit dhe mbi të gjitha marrëdhënia që ju, për një arsye apo për një tjetër, keni tentuar ta ruani, do të prishet përgjithmonë, me siguri. Pra, lëndimi do të jetë i jashtëzakonshëm. Për disa, parimi më i madh moral është që të mos u bëjnë keq të tjerëve, ndaj nisur nga kjo ata pranojnë të vazhdojnë të gënjejnë, pasi kur i thua njeriut me të cilin ndan jetën se ti ke një lidhje tjetër, praktikisht je duke ia shkatërruar jetën dhe gjithë besimin.
Këshilla që unë jap është se nëse njerëzit kanë më për zemër ndershmërinë, duhet të thonë të vërtetën, në rast se ata kanë më për zemër ruajtjen e mirëqenies së tjetrit, atëherë nuk duhet ta thonë. Ka edhe një arsye tjetër për të thënë të vërtetën dhe kjo është një arsye shëndetësore. Nëse me të dashurën nuk ke kryer marrëdhënie të mbrojtura seksuale, atëherë ti rrezikon që të infektosh njeriun me të cilin jeton dhe kjo do të ishte me të vërtetë një padrejtësi e pafalshme. Pra, imagjinoni sikur ta dëmtonit tjetrin në atë masë, sa t‘i shkaktonit probleme të rënda me shëndetin. Kjo do ta kalonte me të vërtetë masën. Para se të merresha seriozisht me shkaqet e tradhtive, kam menduar se një marrëdhënie jashtë martesore do të ishte fatale për vetë martesën, por tani kam dalë në përfundimin se jo gjithmonë është kështu. Gjithçka varet nga mënyra se si ndodhin gjërat, ndaj unë kam një sërë këshillash se si mund të riparohet një marrëdhënie e dëmtuar nga tradhtia, pasi mendoj se gjithçka mund të ndreqet në raste të caktuara dhe se plagët mund të shërohen. Sigurisht, që kjo të ndodhë, duhet shumë kohë dhe punë e përbashkët, por fakti është se kjo nuk është e pamundur. Së pari duhet që personi që është mashtruar të ketë dhuntinë e mrekullueshme të të falurit dhe nga ana tjetër personi që e ka kryer tradhtinë të ndjejë me të vërtetë e thellësisht fajin që ka bërë. Ja një zbulim interesant që kam bërë. Shumë njerëz kanë aftësinë që një tradhti të partnerit ta konsiderojnë si një zile alarmi për marrëdhënien e tyre dhe jo si një fund të saj. Kjo është shumë e zgjuar. Në fund të kësaj mund të ndodhë që çifti të jetë shumë më i lumtur se në momentin e krizës dhe i shëruar përfundimisht nga problemet që e çuan në tradhti.
Njerëzit që gjatë një martese kanë një marrëdhënie jashtë martesore, sa gjasa kanë që ta lenë martesën dhe të përfundojnë me të dashurin, ose të dashurën? Apo në pjesën më të madhe tradhtia është thjesht një sebep për të dalë jashtë një marrëdhënieje? Ka 17 arsye që i çojnë njerëzit në tradhti dhe për këto mjafton të lexoni librin që kam shkruar. Sigurisht që ka njerëz që i përdorin marrëdhëniet për t‘i ikur një martese. Kjo është arsyeja kryesore e shumicës së marrëdhënieve jashtëmartesore. Në kushtet kur dikush ka një person të tretë, ata nuk e gjejnë guximin dhe arsyen për ta lënë martesën, ndërsa kur del një person i dytë, atëherë ekziston edhe motivi, pra një i tretë mund të jetë si barkë shpëtimi. Ata shpresojnë se marrëdhënia do t‘i verë kapak martesës, pasi ose do të jetë bashkëshorti/ja që do t‘i flakë jashtë jete, ose ata vetë nuk do të rrinë më në një lidhje të tillë, kur të dyja palët e dinë mirë situatën. Rrallë ndodh që një i martuar të ndahet dhe të martohet me personin me të cilin ka tradhtuar bashkëshortin. Ç‘mund të na thoni për një marrëdhënie të tipit "pa ta shohim njëherë"?
Nëse motivi i tradhtisë tënde është të shohësh se çfarë ke humbur duke u martuar dhe çfarë mund të gjesh te dikush tjetër që nuk mund ta gjesh në martesën tënde, atëherë kjo është një marrëdhënie e tillë, pra "hajt të shoh". Në punën tuaj keni dëgjuar shumë raste tradhtish. A vazhdoni të jeni ende optimiste për martesën? Oh, sigurisht. Fakti që njerëzit kanë probleme, nuk do të thotë që ata nuk mund t‘i zgjidhin ato. Ajo që më bën të shpresoj është se kam punuar me çifte të cilat dukeshin të pashpresa, por që në fund ia kanë dalë mbanë që të mbijetojnë, madje të ndihen më mirë se në fillim të marrëdhënies së tyre.
Nga : Gazeta Shqip