Ajo ishte ankuar disa herë në polici për bezdisjet e shpeshta që i sillte ish-bashkëshorti. Madje kishte depozituar dhe një kallëzim penal për të shmangur atë që ndodhi tri ditë më pas. Valbona Çarçani vdiq mëngjesin e një të shtune në një nga rruget e kryeqytetit pasi u godit mbi 4 herë me thikë nga ish-bashkëshorti.
Kronikë e një vdekje të paralajmëruar ishte dhe ajo e Alketa Çanit. Prej kohësh Alketa duronte dhunën fizike të burrit të saj, kërkonte të ruante familjen ndaj gëlltiste në heshtje lotët derisa pushoi së qari nga plumbat e kallashnikovit të bashkëshortit. Valbona dhe Alketa ishin tek 40% i atyre grave (sipas UNICEF) që dhunohen sistematikisht nga burrat. Po këto të dhënat tregojnë se 87% e vrasjeve, ku viktima janë gra kryhen në mjedisin familjar, nga të cilat 95% e tyre mbajnë autorësinë e bashkeshortit, të të dashurit apo bashkëjetuesit të tyre si rrjedhojë e vendimit që gruaja merr për t’u ndarë. Përse të tillë reagim nga një burrë që braktiset prej gruas së keqtrajtuar? Jam rrekur të kuptoj shkakun, por në një shoqëri ku arsyeja humbet terren për shkak të kulturës tipike maskiliste, mesa duket kësaj pyetje vetëm një burrë mund t’i përgjigjet.
Sigurisht, që në këto raste nuk bëhet fjalë për dashuri të sëmurë apo xhelozi, por për ndjesi të pastra pronësie që e bëjnë gruan të ndihet një objekt, dhe si e tillë pa mundësi zgjedhje. Madje edhe atëherë kur një burrë prej vitesh e ka lënë në harresë, jashtë vëmendjes dhe përkujdesjes gruan e tij, sërish ai dëshiron ta gjejë çdo mbrëmje bashkëshorten në shtëpi, sikurse një tavolinë kuzhine apo një divan në sallon. Ndaj dhe eleminimi fizik nuk është gjë tjetër veçse fundi i kalvarit të vuajtjeve të një gruaje, pasi fillimisht është vrarë shpirtërisht, është poshtëruar, fyer dhe ndëshkuar. Vrasja është dënimi përfundimtar që një burrë jep pa motiv ose thjesht për faktin se gruaja ka vendosur të thotë: Mjaft më! Por cilët faktorë mund ta shtyjnë një burrë të dëmtojë një grua, të cilës dikur i pati premtuar dashurinë e përhershme?
Për të kuptuar probabilitetin e incidencës së dhunës bashkëshortore në 141 vende të botës, përfshi dhe Shqiperinë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kryer një seri studimesh, përmes të cilave, përveç shifrave alarmante evidenton dhe tipologjinë e burrave që janë të prirur të godasin një grua. Ajo çka vërehet në secilën prej këtyre hulumtimeve është se burrat e dhunshëm me gratë e tyre nuk janë të ngjashëm me njëri-tjetrin.
Kështu nga njëra anë është burri që bëhet i dhunshëm në mënyrë sporadike, që nuk përdor armë dhe nuk ka precedentë keqtrajtimi ndaj bashkëshortes së tij. Në këtë rast, një episod i dhunshëm është atipik dhe duket më shumë i motivuar nga faktorë të jashtëm. Ndërsa në ektremin tjetër është burri që të rrahurit e gruas i ështe bërë ritual i përditshëm ashtu si një kafe në mëngjes. Keqtrajtimet në këtë çift janë të vazhdueshme dhe burri nuk provon asnjë lloj brerje ndërgjegjegjie ndaj saj. Në këtë spektër ekstremesh, nuk kanë rëndësi format e ndryshme të shprehjes së dhunës sa kohë që shkaktojnë dëmtime, deri në marrjen e jetës. Mënyra që zgjidhet për të dhunuar një grua nuk justifikon aktin në vetvete, që mbetet i dënueshem për opinionin publik, por thellësisht i pranueshëm në hapësirën tonë private familjare, ku përgjithësisht gratë pranojnë të jenë vasale të pashmangshme të burrave…sepse gjithçka fillon te familja…
Nuk është një befasi fakti që burrat e dhunshëm vijnë nga familje të dhunshme. Psikologu amerikan, Leonard Bergoviç i njohur veçanërisht për kërkimin e tij në fushën e agresivitetit njerëzor, shkruan se shumica e bashkëshortëve që rrahin gratë e tyre kanë jetuar në familje po kaq të dhunshme. Që në moshë të hershme, të rritur në mjedise armiqësore ata e perceptojnë dhunën emocionale dhe fizike si diçka ‘të zakonshme’. Sipas Bergoviç, këta njerëz janë të ushqyer që në vegjëli me përbuzjen ndaj grave. Modeli i tyre është ai i babait nga ku mësojnë se për t’i pasur nën kontroll, grave duhet t’u shkaktohet frikë, dëmtime apo përulje.
Pikërisht në skutat e errëta të fëmijërisë gjendet terreni pjellor i vazhdimësisë së dhunës ndaj gruas, dhe beteja kundër saj ngjan gati donkishoteske, e humbur që në nisje, thuajse e pashpresë. Për fat të keq, e tillë do të jetë sa kohë që shteti dhe shoqëria kujtohen vetëm kur shënohet një viktimë tjetër dhe faqet e gazetave e edicionet e lajmeve hapen me kronikën e zezë të masakrave ndaj grave. Për të reflektuar ndryshimin, beteja kundër këtij fenomeni duhet të nisë që te familja për t’u shtrirë te mendësia e mykur e një shoqërie që vijon të mbetet patriarkale. Po sa shqiptar është fenomeni i dhunës në familje?
Një raport i fundit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara pohon se “idea që burri ka të drejtë të kërcënojë apo të rrahë gruan është e rrënjosur thellë në shumë shoqëri” paçka se format e dhunës zbehen ose theksohen në varësi të kulturës së shoqërisë. Opinioni publik britanik u befasua kur në të përditshmen “The Guardian”, u publikua një studim sipas të cilit mbi 70% e fëmijëve të moshës 11 dhe 12 vjeç e konsideronin si të pranueshëm që një mashkull të godistë me shuplakë një femër nëse ajo e kishte provokuar një reagim të tillë. Ndërsa realiteti shqiptar, sikurse evidentohet nga UNICEF, reflekton një dominancë të theksuar mashkullore.
Tradita patriarkale e Ballkanit, ku bën pjesë dhe vendi ynë, i mëson gruas rolin e të nënshtruarës. Parimi i barazisë gjinore, pavarësisht tranzicionit 22 vjeçar, vijon të jetë një term veshtirësisht i përtypshëm për shoqërinë shqiptare. Ja përse shifrat e fundit të dhunës ndaj grave, krimet makabre, veçanërisht ftohtësia me të cilën ato kryhen dhe pranohen përpara drejtësisë trondisin vetëm në aparencë. Kultura e thellë patriarkale në Shqipëri është premisë e legjitimimit të dhunës në mjediset familjare, aty ku gruaja zgjedh të heshtë nga frika, të heshtë për opinion, të heshtë se beson që po ruan në këtë mënyrë familjen.
Ndaj kësaj mendësie nuk mjaftojnë ndryshimet e fundit në kodin penal për ashpërsimin e masave ndëshkuese, as eleminimi i tarifave gjyqësore dhe sigurimi i ndihmës ligjore falas për këto gra. Ndëshkimi nuk është parandalim. Ndaj dhe përpjekja për t’i thënë “Mjaft” duhet të nisë nga çdo grua. Të gjitha duhet të kuptojmë se sado të brishta që mund të ndihemi të pozicionuara në këtë shoqëri patriakale përballë kërcënimit të burrave të dhunshëm, stacioni i fundit brenda ciklit jetësor të secilës prej nesh, nuk mund të vijë befasisht vetëm sepse kështu e ka vendosur një burrë.