Persiatje migjeniane

Persiatje migjeniane

Migjeni shkruan: “Një krijesë e dorës së mbrame i shpalli përdhimtimet e veta kufomës së ish-njeriut, ndërsa në sy i shkëlqente një lot krokodili, ku u pasqyronte tragjedia e kufomës. Një krijesë tjetër, e dorës së parë, u qesh, u qesh aq fort, saqë iu zhgatrruen qejnat e ftyra i merr një të dukun të shëmtuem. Ishte të qeshunit e njeriut përpara fatalitetit kozmik. E Mira, e Keqia, Perëndia, prej territ, nëpër njeriun, erdhën në dritë, edhe nëpër njeriun kanë me u zhdukë në terr.” Teoria elegante dhe e kotë e personazheve në këtë tekst ngec. Migjeni abstragon pamëshirshëm dhe naivisht. Ç’është krijesa e dorës së mbrame? Nënnjeriu? Nëse Zoti ka vdekur, sipas paradigmës niçeane ahere edhe njeriu ka vdekur. Postmodernistët e nëmur flasin sot për zombi dhe mutante. Estetizmi (humanizmi) nuk është më dukuri epokale. Migjeni asgjëson çdo largësi midis shkronjës dhe kuptimit, duke hequr fare transcendencën e vjetër të kuptimit në lidhje me tekstin. Imagjinoni një planet të mbushur me kufoma të ish njeriut.

 

Ky është një dënim universal moral apo edhe epistomologjik? Fundi i “siécle des luméres”? Antimesianizmi i botës? Kalimi tek trillimet letrare të Zamiatinit dhe Orwellit? Paranoja e pashmangshme? Pse Niçe flet për një “subtancializim fals të Unit”? A është krijesa e dorës së mbrame ajo që mbetet nga një evolucion darvinist sëprapthi? A të çon kjo tek bota Simulacrum e Jean Baudrillard-it? Vdekje e qytetërimeve dhe e pozitivizmit shkencor? Migjeni përfytyron një nga variantet më të vrazhdë apokaliptikë. Gati një eufori dekadente. Për më tepër me lot të rremë krokodili. Kriminaliteti urban! Po a mund të ketë nën tokë një planet përrallash? Përtej çdo historicizmi? A është kufoma e ish-njeriut një relike? Arkeologji përvojash dhe katastrofash? Kjo është çështja hamletiane! Po krijesa e dorës së mbrame a është një nënkrijesë? Kush mund ta thotë këtë? Le të çmendet vetë Niçja! Migjeni është një melankolik i madh! Po krijesa e dorës së parë ç’dreqin është? Mbinjeriu? Heronjtë kibernetikë?

 

Aleksandri i Madh i klonuar? Krijesa ajnshtajniane e formulës E=MC2? Një eksperiment abstrakt? Golemi i alkimistëve? Homonkulusi i Paracelstit? Një ready mades? Postmodernizmi fals? Kancerizimi utopisë? Pjesë e modulit binar të matematikës së George Bul-it? Një indigjen i primitivitetit futorologjik të Claude Levy Strauss-it? Dematerializim dhe formalizim i një njerëzimi alternativ tjetër? Krijesa e dorës së parë e ka një “të dukun të shëmtuem”. Migjeni niçean ironizon estetikisht shembëlltyrën e Zarathustrës së Niçes me të qeshurën para fataliteti kozmik, pra më të epërm. Po ç’është pra? Jashtëtokësorët? Marsianët e mitizuar? Midis dy krijesave, asaj të dorës së mbrame dhe të dorës së parë a ka një krijesë të tretë? Pse nuk funksionon Triniteti teologjik? Pse e Mira, e Keqia, madje dhe vetë Perëndia vijnë nga terri nëpërmjet njeriut (në fakt ish njeriut) për t’u zhdukur në dritë? Migjeni hesht. Tjetërsimi i shkrimit! Askush nuk e ka konceptuar kështu dilemën ekzistenciale! Askush!



Migjeni shënon: “njerëzia, pa përgjegjësi lot në një valle shumë të rrezikshme, me pasionet pa fre, ndërsa një stuhi e pakuptueshme, si orkestër, lëshon melodina misterioze.” Orkestra e stuhisë? Ç’është kjo kozmogoni muzikore? U shurdhofsh Pitagorë që gjoja me dëgjuar tingujt që lëshojnë planetet në rrotullimet e pandalshme! Aurum Canticum? Ku është organoja Sebastian Bach-ut? Violina demoniake e Paganinit? Teokrit, thyeji fyejtë e barijve të tu e ndiz me to një zjarr për të djegur çdo Arkodi të imagjinatës! Po orkestra enigmatike e stuhisë nuk vdes! Si ta shkatërrosh? Video-game e Zotit? Ah, Zoti! Karaoke e Universit! Cilat po vallëzojnë kështu? Ah, Zonjushet e Avinjonit të Pablo Pikasosë!



Përsëri Migjeni: “Si dikur murgjit e krishtenë nëpër shkretina dhe shpella vetmitare, që u futshin thelltë në ego të vet për të pa Zotin e mrekullina e për të ba mrekullina – qashtu unë, zhytem në veten teme, fundosem në një subjektivizëm më t’ekstremtë por jo për të pa Zotin e mrekullina, as për të ba mrekullina. Humba në vetë vetvetin e se gja tjetër – ma të pëlqyeshme për mue – s’kam ç’të baj ndër shëtinat e mbramjes nëpër këto fusha të shkreta (ndoshta dhe jo të shkreta, por të plota, një botë e pakuptueshme për mue!)” Ky tekst ka plot dilema. Perceptimi është kafkian. Kafka shtjellon subjektin e një kështjelle, metafora brutale e një misteri të pafund, ku burokracia dhe mitologjia janë aliazhi i pakuptimshmërisë. Një pëlhurë e helmuar osirike. Kundërthënëse! Vetshkatërruese! Në vend të vertikalitetit të kështjellës monstruoze Migjeni tregon se edhe horizontaliteti i fushave të shkreta nuk është aspak një boshllëk naiv dhe i paqtë, përkundrazi, kjo pamje, mund të jetë e plotë (e mbushur nga mistere dhe qenie të padukshme po aq monstruoze dhe të frikshme!) Kështjella e Kafkës është alegorike, me fatalitetin hebraik të Testamentit të Vjetër. Një strukturë talmudiste, ndoshta edhe kabaliste.

 

Migjeni më i dlirë, më i çliruar, me një rebelizëm më të qetë, por më inkandeshent, më të hollë, më sfidant, ironizon murgun ikonë, shën Antoni e shkretëtirave Tebeane, i cili në delirin e agjërimeve asketike arrinte të shihte edhe Djallin në formën e një femre nudo, apo të një Kentauri fallik. Migjeni e di se s’mund të shoh edhe në subjektivizmin më të infinitshëm as Zotin, as mrekullitë vegimore! Po ahere ku qëndron misteri? Ku është pakuptimshmëria? Diçka nuk shkon në projektin hyjnor, ose kozmik. Kundërt me një Van Gog, që shpërthen fshehtësitë magjepëse nga brendësia e peizazhit, Migjeni me stilin e përkorë çmitizues shprehet shkurt: “Përqark, natyra në gjelbërim më ngjan si një koketë e burdelit, e veshun me një dekolte pikante. Liqeni me prralla të marra të “Njëmijë e Një Netëve”, malet me një heshtje qesharake, e mbi këto Dielli i vjetër, Dielli njëmijë, pesëmijë, dhjetëmijë e kushedi se sa vjet i moçëm. Jo, jo, Diell, nuk pajtohem me ty, nuk pajtohem me të qeshunit tand, që ta ka ndy fytyrën! E vetmja dëshirë që ushqej tashti asht dëshira me iu ngërdheshë, ja dëftue gjuhën këtij Dielli, që aq indiferent prendon prapa maleve.” Bebëzat e Migjenit shikojnë ndryshe! Ah, Dielli, Sol Invictus! Të guxosh kaq shumë? Përtej të pamundurës? Pse kështu Migjen? Ikonoklast i falsitetit të natyrës dhe të Kozmosit si simbol i indiferencës totale? Nëse flitet për kufomën e ish njeriut, a mund të flitet edhe për kufomën e ish natyrës dhe vetë Diellit? Asnjë shkrimtar (ah, shkrimtarët e panumrueshëm dot) nuk e koncepton, nuk e artikulon këtë perspektivë konceptuale! Por Migjeni po! Migjeni po!



Soren Kierkegard-i ka shkruar një parabolë aporike, zenoniane, ku flitet për organizimin e një ekspedite për në Polin e Veriut. Famullitarët danezë shpallin majë katedrave të kishave se pjesëmarrja në të tilla ekspedita ndihmon në shpëtimin e përjetshëm të shpirtit. Duke pranuar, njëherësh, se për të mbërritur në Polin e Veriut është e vështirë dhe ndoshta e pamundur dhe se jo të gjithë mund të ndërmarrin një nismë të tillë. Kur vjen fundi, njoftojnë se cilido udhëtim nga Danimarka në Londër, fjala vjen, me vaporin e linjës ose edhe një shëtitje të së dielës me karrocë në park, janë, po ta shikosh hollë-hollë, ekspedita të vërteta për në Polin e Veriut. Migjeni, (mendoj se ka lexuar patjetër diçka nga Kiergegard-i) e militarizon një subjekt: “U mblodhën taboret dhe u vunë në lëvizje. U lëvizshin m entuziazëm. Po ku asht armiku? Si nuk ja pamë ende gjurmat, – u ngritshin pyetjet në taboret. Tashmë entuziazmi u ftoh, u ftoh, u ba akull. Armët u suellën përtokë, kundra thneglave, të cilat në këtë rast ishin të pafajshme. Ahere prijsit e taboreve u kuptuen. U sulën përballë taboreve e në ball të sejcilit ushtar lexuen një fjali tragjike rrudhash të shëmtueme…” Parabola migjeniane asht më tepër se sa një kapërcim pindarik Ç’janë këto njerëz me fjali rrudhash të shkruara në ballët e tyre? Ç’është ky libër kolosal epidermik (jo në pergamenë me lëkurë kafshësh) por me lëkurë të gjallë plot agoni të njerëzimit? Kush e lexon këtë libër, që tejkalon Biblën, Danten dhe Shekspirin? Nëse Poli i Veriut dihet e mund të mbërrish në të pa mbërritur në të vërtetë, po armiku a i ngjan sadopak dhe sofistikisht Polit të Veriut?

 

A është kjo një dituri (apo bestytni) Konvencionale? Apo një grackë e pahonepsshme intelekti? Apo një tërësi imazhesh të brishtë dhe mashtruese? Apo një regressus in infinitum? Apo një “videmus nuc per speculum in aenigmace”? Në shekullin XIII një poet persian Attar-i flet për një popull zogsh që kërkonin të gjenin Perëndinë. Mbas shumë sprovave titanike dhe aventurave të udhëtimit të egër arritën tek Vendi i Perëndisë, ku ishte vetëm një Pasqyrë, ku zogjtë panë vetveten dhe kuptuan se secili prej tyre qe Perëndia. Tek parabola mizore dhe shpërthyese e Migjenit, armiku ishte secili njeri dhe njëkohësisht ai që e kërkonte për ta luftuar dhe zhdukur armikun. Çdo njeri e kishte në ballë tekstin profetik (me ç’alfabet, me ç’gjuhë nembrotase qe shkruar vallë?), por leximi nuk është asnjëherë identik me kuptimin.


Përsëri Migjeni: “A ka me sjellë historiku fletën krejt të re, të shkruajë – apo do të vazhdojë fletën e vjetër? Mos asht dhe kjo një ironi kohe?” Këtë pyetje Migjeni e bën sikur të ishte vetë njerëzimi. Pyetje globale. Universale! Fleta e vjetër dhe fleta e re si dy kundërshtime, si dy gjeneza që anulojnë njëra tjetrën. Të papërputhshme! Futurizëm migjenian? Shqetësim që praron, ose shkatërron tërë pikëllimet dhe dilemat e botës? A mund të kalojmë në kohën alegorike, ku ironia përbën vetë nocionin? U djegsh përsëri bibliotekë e famshme e Aleksandrisë! Dituritë e vërteta janë tek pyetjet e vërteta! Ah, Libri i Pyetjes së Vetme!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama